Italia, vendi i parë në BE që do të prodhojë vaksinën ruse Sputnik V

09/03/2021 1:39 PM 0 komente

“Është firmosur marrëveshja e parë në Europë mes fondit qeveritar rus dhe shoqërisë ADIENNE Pharma&Biotech për prodhimin në Itali të vaksinës Sputnik V”.

Këtë e njoftoi Dhoma e Tregtisë Italo-Ruse në një deklaratë të publikuar në faqen në internet. “Në orët e kaluara, CEO i Russian Direct Investment Fund (Fondi Rus i Investimeve Direkte – RDIF), Kirill Dmitriev, konfirmoi se ka arritur një marrëveshje me kompaninë ADIENNE Pharma&Biotech për prodhimin e vaksinës Sputnik V në Itali, duke nënshkruar kontratën e parë europiane për prodhimin lokal të vaksinës”.

Vaksina do të prodhohet duke nisur nga muaji korrik, në selinë e Adienne në Caponago pranë Monza-s. Por Rajoni i Lombardisë njofton nëpërmjet një deklarate se “e ka marrë lajmin nëpërmjet medias për një marrëveshje midis Adienne Pharma Biotech dhe fondit qeveritar rus, Russian Direct Investment Fund, për prodhimin në Itali të vaksinës Sputnik. Rajoni i Lombardisë thekson habinë për këtë marrëveshje, për të cilën është vënë në dijeni, në mënyrë indirekte, nëpërmjet mediave. Marrëveshja është, në fakt, ekskluzivisht e një profili të së drejtës private midis palëve kontraktuese “.

Ndërkohë, një zëdhënës i Komisionit Europian, zbeh entuziazmin. “Aktualisht nuk ka bisedime për të integruar Sputnik V në strategjinë e Bashkimit Europian mbi vaksinat”. Shtetet Anëtare – theksoi zëdhënësi, gjithsesi “mund ta miratojnë vaksinën Sputnik” si pjesë e autorizimit për përdorim emergjent, por “në këtë rast përgjegjësia do t’i takojë Shtetit anëtar dhe jo kompanisë, siç do të ishte nëse vaksina do të merrte autorizimin për t’u shpërndarë në BE”.

“Procesi prodhues inovativ” i Sputnik do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe do t’i japë mundësinë Italisë të kontrollojë të gjithë procesin e prodhimit të vaksinës. Kjo do të lejojë prodhimin e 10 milionë dozave deri në fund të vitit”, shkruan Dhoma e Tregtisë Italo-Ruse në deklaratë.

Takimet që finalizuan këtë marrëveshje nisën në muajin tetor, me synimin për të identifikuar disa partnerë strategjikë për të përgatitur prodhimin në territorin italian.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se prodhimi në Itali i Sputnik V do të ndihmojë në përmbushjen e kërkesës jashtë për doza.

Megjithatë, vijojnë dyshimet e forta të Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) mbi vaksinën ruse. Përdorimi i saj sot, pa pasur mundësinë e verifikimit konkretisht të të gjitha të dhënave nga ekspertët e BE-së do të ishte si të përdorësh “ruletën ruse”, tha presidentja e EMA, Christa Wirthumer-Hoche.

Burimi: La Repubblica

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of