Kryeministri italian Mario Draghi ka zgjatur ndalimin e levizjes midis 20 rajoneve të vendit edhe me një muaj tjetër, deri në fund të Marsit, ndërsa qeveria e tij e re po përpiqet të rritë fushtatën e vaksinimit për të luftuar pandeminë.
Në mbledhjen e kabinetit, Draghi zgjati ndalimin e udhëtimit midis rajoneve deri në 27 Mars dhe la në fuqi shtetrrethimin nga ora 22:00 deri në 5:00 të mëngjesit. Qeveria gjithashtu vendosi ndalimin e vizitave midis familjeve në zonat me rrezik më të lartë.
Kryeministri po vlerëson nëse duhet të bëjë ndryshime në sistemin me tre nivele të kufizimeve të Italisë bazuar në kushtet rajonale. Masat do të rinovohen më 5 Mars. Pandemia ka marrë më shumë se 95 mijë jetë, ndërsa vendi ka parë recesionin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore, me borxhin në pothuajse 160% të prodhimit.
“Për fat të keq, duke pasur parasysh variantet që qarkullojnë, është e domosdoshme që ne të vazhdojmë me kufizimet,” u tha Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza udhëheqësve rajonalë të Dielën.
Ministrat gjithashtu kanë studiuar kërkesat nga drejtuesit rajonalë duke përfshirë kompensimin automatik për bizneset e goditura nga mbylljet dhe një rishikim të kritereve për kufizimet e reja, në mënyrë që të lejohen më shumë biznese të qëndrojnë të hapura./Bloomberg