Koncesionet në shëndetësi

02/04/2019 4:03 PM 0 komente

Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione gjatë dekadës në vijim. Por nëse kjo shumë do të investohej në shërbimet e sektorit publik, padyshim që Shqipëria do të kishte shërbimet mjekësore më të mira në rajon dhe njësoj si në vendet e zhvilluara.

Një ish-ministër i Shëndetësisë, në kushtet e anonimatit, tha se me këtë shumë, vendi do të kishte të paktën 5 qendra të mëdha spitalore dhe do të plotësonte të gjitha nevojat e shërbimit parësor me pajisje mjekësore si laboratorë, eko, skanerë etj.

Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u vërtitur në mes 2-2.5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Europës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Europë.

Nisur nga kjo situatë, Ministria e Shëndetësisë ka autorizuar rritjen e financimeve për sektorin gjatë viteve në vijim në mbi 3,5% të PBB-së nëpërmjet politikës së koncesioneve. Por analiza e çmimeve tregon se kostoja (pa analizuar cilësinë e shërbimit) është shumë e lartë. Koncesioni i CheckUp, që nisi punë në shkurt të vitit 2015, në të cilin ka bërë edhe të gjitha investimet, arriti të realizojë një fitim vjetor prej 46 milionë lekësh, ose rreth 300 mijë eurosh. Kompania, ndërkohë, mori dyfishin e pagesave për kontrollin e 475 mijë personave, pavarësisht se realisht ishin drejtuar për kontroll tek checkup vetëm 240 mijë persona. Qeveria e paguan kompaninë me 12 euro për çdo kontroll, teksa pjesa më e madhe e analizave kushtojnë në laboratorët privatë jo më shumë se 3 euro.

Koncesioni i shërbimit të sterilizimit të sallave është një tjetër shpenzim nga arka e shtetit me kosto të larta – vlerësojnë specialistët. Kompania Saniservis, e cila ka fituar koncesionin 12,3 miliardë lekë për periudhën 2016-2025, u regjistrua në QKB në korrik të 2015, duke raportuar vetëm detyrime, rreth 35 milionë lekë në bilancin dhe asnjë të ardhur. Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, Saniservis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet.

 

 

Për rrjedhojë, kostoja e sterilizimit të sallës në një operacion normal është 275 euro, duke rezultuar një shërbim më i shtrenjtë se kirurgjia. Burimet konfidenciale nga një spital privat pohuan se kosto e sterilizimit në spitalin e tyre është disafish më e ulët, teksa infeksioni spitalor është zero. Për shkak të kësaj skeme në spitalet publike, kushton më shumë sterilizimi i veglave se sa operacioni, po të marrim në konsideratë pagesat e punonjësve të shëndetësisë në një muaj.

Gjithashtu është vënë në funksion shërbimi i dializës për periudhën 2016-2025, me vlerë 9.47 miliardë lekë (70 mln euro). QSUT kishte kontratë me spitalet private dhe paguante një tarifë fikse për çdo të sëmurë me dializë që merrte shërbim nga spitalet private dhe në këtë mënyrë, kostot kanë qenë më të ulëta se aktualisht. Koncesioni i laboratorëve është i katërti që po aplikohet në sektorin e shëndetësisë dhe për të njëjtin shërbim, ofron shpenzime nga buxheti tre herë më të larta se aktualisht, por kontrata është ende pezull, për shkak se nuk ka hyrë në fuqi.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of