Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas në një letër drejtuar kryetarit të bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe ministres së Arsimit Evis Kushi kërkojnë rimbursimin e plotë në vlerën e 1,600 lekë të aboneve të studentëve që shpërndahen falas.
Shoqata ngre shqetësimin se për këtë nismë të bashkisë, të cilën edhe operatorët e mbështesin, po rimbursohen rreth 38% të vlerës apo në shumën e 600 lekëve, ndërkohë që çmimi i abonesë së përgjithshme në treg është 1,600 lekë në muaj.
Kryetari i Shoqatës Kostandin Foni ngre shqetësimin se kjo nismë jo vetëm vështirëson gjendjen e rënduar të kompanive nga pandemia dhe rritja e lartë e çmimit të naftës, por rrezikon edhe falimentimin e sektorit.
Shoqate e Transportit Qytetas, pjesë e të cilës janë të gjithë operatorët që ushtrojnë veprimtari në transportin në Tiranë, pohojnë se para vendimmarrjes nuk janë thirrur në tryezë diskutimi. “Vendimmarrje të tilla, duhet të përfshihen dhe grupet e interesit, për të trajtuar gjerësisht mundësitë, kushtet dhe kompensimin që do t’u realizohet operatorëve, duke rakorduar vendimmarrjen dhe duke studiuar edhe situatën aktuale dhe gjendjen financiare të operatorëve të transportit qytetas”, theksohet në letër.
Letra
“Në bazë të Urdhrit nr. 40635, datë 25.10.2019, “Mbi mbarëvajtjen e shpërndarjes së biletave të pajtimit mujor (aboneve) të studentit të transportit publik qytetas në Bashkinë e Tiranës”, jemi informuar dhe njohur mbi nismën e Bashkisë Tiranë, në mbështetje të studentëve të pajisur me kartë studenti, për kompensimin e biletës se pajtimit mujor të përgjithshëm për studentët në të gjitha linjat e transportit qytetas të Bashkisë Tiranë.
Falënderojmë Bashkinë e Tiranës mbi këtë nismë të ndërmarrë, si një nismë e cila suporton studentët dhe i mbështet ata financiarisht bazuar edhe në gjendjen e vështirë ekonomike të vendit.
Ne si operatorë jemi dakord me qëllimin e nismës, që jo vetëm e mbështesim, por njëkohësisht edhe e suportojmë. Problematika jonë konsiston në procesin e kompensimit dhe vlerën që do t’u realizohet si kompensim secilit operator.
Kjo vlerë duhet të jetë proporcionale dhe në përputhje edhe me normat juridike, marrë parasysh edhe gjendjen e vështirë që transporti publik qytetas ka pësuar, si pasojë e pandemisë.
Synimi i këtij kompensimi duhet të jetë edhe mosdëmtimi i veprimtarisë të operatorëve të transportit qytetas dhe mbështetja e tyre për të mos pasur humbje financiare, deri ne operimin me humbje dhe pa asnjë përfitim për të mirëmbajtur dhe ofruar maksimalisht shërbimin.
Bazuar në vendimin, nr.66 datë 30.12.2015 për “Indeksimin e tarifave të transportit qytetas në Bashkinë e Tiranës”, në piken 1.1.3. të saj përcaktohet: “Për biletë të pajtimi mujor, të përgjithshëm për të gjitha linjat, 1,600 lekë (duke përfshirë dhe TVSH)”
Pra sipas këtij vendimi rezulton se bileta e pajtimit mujor për të gjitha linjat e transportit qytetas ka vlerën prej 1,600 (një mijë e gjashtëqind) lekë. Ajo që kërkohet aktualisht nga nisma e Bashkisë Tiranë është shpërndara e këtyre biletave të pajtimit mujor për studentët falas dhe kompensimi i tyre tek operatorët në vlerën 600 lekë/abone.
Kjo vlerë nuk është në përputhje me vetë vendimin e mësipërm, nuk është proporcionale dhe as e bazuar në ligj. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, kërkon kompensimin në vlerën 1,600 lekëve vlerë e cila përkon me biletën e pajtimit mujor.
Kjo nismë nuk duhet të rëndojë dhe vështirësojë gjendjen e operatorëve dhe të çojë në pamundësinë e kryerjes së shërbimit prej tyre, apo edhe në humbje të cilat mund të çojnë operatorët në falimentim. Bashkia e Tiranës në nisma të tilla, duhet të marrë në konsideratë të gjitha grupet e interesit, duke marrë vendime proporcionale dhe të drejta dhe duke i përfshirë këto grupe në diskutime paraprake, sidomos kur interesat e tyre preken në mënyrë direkte”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.