Një marrëveshje mes Greqisë dhe Europës shmangu një fatkeqësi dhe nxiti një tjetër…
Eurozona arriti të shmangë një dalje të menjëhershme të Greqisë nga euro. Por, një marrëveshje e denjë do ta kishte vënë Greqinë në rrugën e qëndrueshme dhe do ta kishte nxjerrë jashtë loje perspektivën e Grexit. Në fakt, Europa ka gatuar të njëjtën recetë të vjetër të masave të rrepta dhe supozimeve të pazbatueshme, komenton The Economist. FMN mendohet që të financojë pjesë të marrëveshjes. Por edhe ai mendon se marrëveshja nuk ka sens.
Është e vërtetë që disa ide janë të dobishme. Në këmbim të hapjes së bisedimeve për një paketë që vlerësohet nga 82-86 miliardë euro, kreditorët kanë kërkuar që në krye të axhendës të jenë reformat strukturore më të rrepta se në dy paketat e mëparshme. Kjo është e mirëpritur: hapja e industrive të mbyllura është një rrugë më e sigurt drejt rritjes sesa masat e rrepta. Por, edhe në rast se ato kryhen, reformat strukturore duan një kohë të gjatë që të japin efekt. Ndërkohë, ekonomia greke është e mbytur për shkak të bankave që qëndruan të mbyllura për tre javë dhe kontrolleve të kapitalit.
Kreditorët kanë miratuar një financim kalimtar që do t’i mundësojë Greqisë të paguajë këstin ndaj Bankës Qendrore Europiane (ECB) në 20 korrik. Por paratë nuk do të derdhen derisa reformat të kalojnë në parlament (e para kaloi në 15 korrik) dhe të gjitha detajet e paketës shpëtuese të jenë sqaruar. Do të ketë gjithashtu para të disponueshme për të rikapitalizuar bankat, por deri në çfarë mase ato kanë mungesa do të bëhet e ditur vetëm pas verës. ECB ndërkohë mund të mbajë bankat në lojë përmes financimit të emergjencës, por kontrollet e kapitalit do të mbeten.
Edhe tani, ka një gropë të madhe financiare që duhet mbushur. Një shpresë është privatizimi: marrëveshja i kërkon Greqisë që të transferojë asetet në një fond të pavarur që do të gjenerojë 50 miliardë euro duke i shitur ato. Nëse do të kenë fat. Gjatë pesë viteve të fundit, qeveria e Greqisë ia ka dalë të sigurojë një total prej vetëm 3 miliardë euro nga shitja e aseteve.
Në një tjetër triumf të dëshirës së mirë, marrëveshja gjithashtu vlerëson se Greqia do të jetë në gjendje së shpejti që të marrë hua në tregjet private. Por, duke pasur parasysh që borxhi është projektuar të arrijë shpejt në 200% të PBB-së, asnjë privat nuk do të dojë t’i japë hua Greqisë në këto kushte. Opsioni i vetëm—ai që ka bashkuar si në një mrekulli kryeministrin grek Alexis Tsipras dhe FMN-në—është lehtësimi i borxhit. Megjithatë eurozona e ka përjashtuar këtë opsion, apo dhe zgjatjen e afatit të maturimit.
Kjo lë në lojë variantin e vjetër të masave të rrepta. Ndër masat e para të miratuara nga parlamenti grek në 15 korrik ishte ai që impononte “shkurtime pothuajse -automatike të shpenzimeve” në rast të mosarritjeve të objektivave të buxhetit të Greqisë. Në qoftë se këto shkurtime do të zbatohen ndonjëherë, ata vetëm do të dëmtonin ekonominë më tej. Edhe politika e brendshme do jetë një sfidë. Tsipras do e ketë të vështirë të përmbajë deputetët e tij të revoltuar.
Nëse Greqia rrëshqet nga rruga, në ditët e ardhshme apo në tremujorët në vijim, Grexit do të shfaqet menjëherë. Javën e kaluar Z. Tsipras e pa se çdo të thotë kjo, kur ministri gjaknxehtë i financave të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble, haptazi shpalosi planet për një Grexit të përkohshëm. Kjo ide u anashkalua nga marrëveshja përfundimtare, por tepër vonë. Angazhimi i fortë i Gjermanisë për pakthyeshmërinë e monedhës së vetme është lëkundur dhe kjo nuk mund të kthehet mbrapsht. Greqia duhet të qëndrojë në linjë, ose të dalë jashtë.
Shumë e kanë quajtur marrëveshjen një grusht shteti; Vetë zoti Tsipras flet sikur të kishte pasur një thikë në fytin e tij. Kjo në fakt injoron fajësinë e tij në mosbesimin që krijoi në mesin e 18 anëtarëve të tjerë të eurozonës: vendimi i tij për të prishur negociatat dhe për të mbajtur një referendum në fillim të këtij muaji konsumoi çdo kapital politik që mund t’i kishte mbetur në Bruksel.
Samiti ka thelluar tensionet midis sovranitetit dhe stabilitetit që rëndojnë mbi euron. Por është e qartë se të shpëtosh Greqinë do të jetë mjaft e rëndë, të sigurosh euron do të jetë edhe më e vështirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.