Ngjyrosja me negativitet e çdo gjëje pararendëse dhe dramatizimi i situatës ekonomike siç po bën maxhoranca e sotme e së majtës, nuk është vetëm çështje e etikës dhe moralit politik. Kjo sjellje, krijon, jo pak kosto, që mund të lindin prej stepjes, apo më e keqja, prej refuzimit të biznesit për të investuar, si një kundërpërgjigje kjo ndaj kësaj situate së keqe të pretenduar nga qeveria e re. E thënë nga goja e kryeministrit, se arka e shtetit është bosh dhe se ekonomia është në krizë të thellë, e bën situatën dramatike, por çuarja e gjendjes në kufijtë ekstreme për arsye që i kapërcejnë ato ekonomike, është tragjike dhe e dëmshme me pasoja që do të duan kohë të shëroheshin, nëse do të merrej si e mirëqenë se të gjitha konkluzionet të tentojnë t’i afrohen të vërtetës, të cilën as socialistët sot nuk e dinë, por presin ende të verifikojnë.
Përvoja botërore ka treguar se rotacionet politike, e veçanërisht në kohë krizash ekonomike kanë ndodhur edhe si një reagim i publikut për të zgjedhur një alternativë të mundshme si kundërpërgjigje . Por qeverisjet e mira dhe me traditë kanë arritur të ruajnë një kod përgjegjshmërie ndaj publikut. Jo për t’i fshehur atij të vërtetën por për të administruar me qetësi dhe pjekuri pasojat duke qenë mjaft të maturuar me mesazhet që kanë përcjell. Edhe në Shqipëri zgjedhjet e fundit dëshmuan nevojën, jo vetëm të një rotacioni politik si “pjesë biologjike” e demokracisë por edhe të një qasjeje tjetër të re për problemet, ndaj njerëzit kanë nevojë të dinë më shumë se çfarë do të ndodhë pas sesa çfarë ndodhi. Mesazhet e gabuara kanë gjithnjë kosto. Në radhë të parë do të krijonin një situatë edhe më të nderë për biznesin vendas. Prej kohësh shumë prej tyre kanë ulur intensitetin e investimeve të reja, disa edhe i kanë stopuar. Tek të gjithë bizneset vihet re një rënie e përgjithshme e shitjeve, ka mungesë të likuiditetit etj., shkaqe që janë bërë me dije me kohë edhe nga demokratët, paraardhës të socialistëve sot në pushtet. Të gjitha këto rezultate kanë krijuar një situatë të paqartë, por që me dozën e tepruar të socialistëve do ta bënin më të largët dritën në fund të tunelit. Megjithëse qeverisja e sotme ka premtuar për një rimëkëmbje të shpejtë, sa më e madhe të jetë gropa, aq më shumë kohë dhe punë do të duhet të mbushet. Hidhini një sy treguesve të besimit të biznesit, që mat në mënyrë periodike Banka e Shqipërisë. Ai ka rënë nën mesataren historike dhe faktorët që kanë ndikuar më së shumti lidhen me mjedisin e jashtëm dhe fare pak me fuqitë e brendshme të biznesit. Deklaratat e ngarkuara me negativitet do ta lëkundnin këtë besim i cili reflektohet menjëherë në treg duke filluar që nga destabiliteti i kursit të këmbimit, i cili ka nisur të luhatet, e më pas efekte të tjera negative zinxhirë, që janë mbajtur me kujdes nën regjim për të mos krijuar situata të papëlqyera.
Së dyti, kosto e deklaratave të tilla do të bëhej më e lartë nga refuzimi që kapitali i huaj mund t’i bënte ekonomisë shqiptare. Për arsye që lidhen ngushtësisht dhe fort me krizën ndërkombëtare, rrjedha e kapitalit të huaj dhe të madh në Shqipëri është pakësuar. Kjo ka ndodhur jo vetëm me bankat, por edhe me biznese të tjera. Në kushtet kur Shqipëria ka nevojë emergjente për një reformë edhe më të thelluar strukturore përmes privatizimeve të mëdha, investimeve në teknologji që rrisin konkurrueshmërinë, apo ku lëmi strategjik i ekonomisë është ende i pa lëvruar mirë me investime si p.sh. në energji, refuzimi i kapitalit të huaj për shkak të gjendjes që përshkruan sot qeveria do të ishte me pasoja të rënda, të cilat Shqipëria i ka përjetuar mirë edhe herë të tjera.
Gjithashtu përshkrimi negativ i tablosë ekonomike të Shqipërisë nga njëra ana dhe nga tjetër nevoja e ngutshme për kapital do të krijonte një shtrenjtësi të pamerituar të parasë. Shqipëria është tashmë në tregjet ndërkombëtare përmes eurobondeve dhe ngjarje të tilla konvertohen direkt në rritje të interesave të kredive. Është gjithashtu e vërtetë se disa burime të kapitalit që vijnë prej FMN, Bankës Botërore, apo donatorëve të tjerë janë riaktivizuar më mirë pas ardhjes së socialistëve në pushtet, por përftimi i tyre sado që është ndihmë, ka një kosto, jo vetëm se duhen kthyer, por edhe sepse ato kushtëzojnë përdorimin e tyre. Nëse do të ecej me logjikën e diagnozës së qeverisë, ato para në vend që të shkonin për rritjen ekonomike do të shkonin pikë së pari në rikthimin në pikën zero, për pasojë do të gjendeshim në një cikël të mbyllur ku prej kohësh bëhen e zhbëhen gjërat.
Çdo studim ndërkombëtar, ku është përfshirë edhe Shqipëria, evidenton se një biznes, i gatshëm për të investuar, ka kriter të parë qetësinë dhe mikpritjen e mjedisit. Të tjerat, si burokracitë, liria e tregjeve, apo taksat renditen më pas. Këtë edhe kryeministri Rama e di mirë kur e përforcoi në takimin e fundit që pati me përfaqësuesit më tipikë të biznesit, por përshkrimi i një Shqipërie në krizë të thellë çon ujë në tjetër vijë. Sepse nuk mund të këtë dy Shqipëri, që ndryshojnë menjëherë, njëra para qershorit dhe tjera pas, sikundër nuk ka dy të vërteta që sillen në ekstreme.
Maxhoranca e sotme arriti të krijojë një ndjejë të lartë pritshmërie dhe entuziazmi tek publiku gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre, kur doli fitues me një votë masive. Por dozat e negativitetit, ku flitet keq për çdo aspekt krijojnë një efekt demotivues, i cili do të kthehej në bumerang për vetë qeverinë sado objektiva të lartë të ketë.
Rotacionet politike edhe në Shqipëri duhet të jenë si garat e stafetës në atletikë, ku njëri atlet pason tek tjetri deri në finish. Fitues përcaktohet nga shumatorja e kohëve të secilit atlet. Mund të rikuperosh ose të përftosh nga koha e paraardhësit por nuk mund ta zhbësh atë. Ashtu edhe me qeveritë. Nuk ka kurrë një fitues të vetëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.