Si antonime të njëra-tjetrës, e reja dhe e vjetra do të qëndrojnë bashkë. Bëhet fjalë për dy koncepte si teknologjia dhe një godinë ish-komuniste, projekti për rivitalizimin e së cilës tejkaloi shifrat e pritura të ndërtimit. Sa do të përfitojnë të rinjtë shqiptarë nga kjo hapësirë dhe a është formula e duhur në kohët e zhvillimit të shpejtë të Inteligjencës Artificiale?
Nga Deada Hyka
Gjatë dekadave të fundit, teknologjia ka tejkaluar varfërinë, racat dhe ekonomitë e ndryshme për t’u bërë një forcë lëvizëse në jetën e njerëzve në botë. Më shumë se 2 miliardë njerëz kudo në botë kanë akses në internet dhe 5 miliardë kanë telefona celularë.
Fëmijët po rriten në një botë ku media sociale, teknologjia celulare dhe komunitetet online janë thelbësore për mënyrën se si ata komunikojnë, mësojnë dhe zhvillohen.
Vitet e fundit, shpejtësia, elasticiteti dhe përballueshmëria e teknologjisë dixhitale me zhvillim të shpejtë ka ndihmuar që ngadalë të mbyllet ndarja dixhitale midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë dhe u ka mundësuar miliona të rinjve në vendet në zhvillim t’i bashkohen botës dixhitale.
Gjithnjë e më shumë, teknologjia po shihet si një mjet i fuqishëm zhvillimi, i përdorur në betejën globale për të goditur objektivat e fokusuar te fëmijët dhe të rinjtë në arsimin global, mjetet e jetesës dhe shëndetin.
Të rinjtë i përqafojnë shpejt teknologjitë e reja dhe sigurisht që potenciali që teknologjia dhe mediat dixhitale të jenë një forcë për inovacion, edukim dhe ndryshim sapo ka filluar të realizohet.
Por, ndërsa kohët e fundit po ngrihen pyetje rreth rrezikut që Inteligjenca Artificiale si ChatGPT do të sjellë për punonjës si zhvilluesit (programuesi), Shqipëria zgjeron kapacitetet e saj në një program studimi e trajnimi për të rinjtë në shkenca dixhitale dhe art dixhital. Ky projekt nisi që në 2020 nën emrin e TUMO.
Për planet e zgjerimit vjen në ndihmë projekti i rijetësimit të Piramidës së Tiranës, e cila pritet të jetë bujtës i të rinjve 12-18-vjeçarë që duan të mësojnë disiplina teknologjike. Sipas drejtueses së TUMO Tirana, kapaciteti që pritet të arrijë në Piramidën e Tiranës do tejkalojë shifrat e 4000 studentëve në javë.
TUMO Tirana është një qendër pas shkolle për fëmijë të grupmoshës 12-18 vjeç, të cilët do të kenë mundësinë të zbulojnë pasionin e tyre në 8 disiplina të ndryshme si Animation, Graphic Design, Game Development, Film Making, Music, Programming, Robotics, 3D Modelling.
Ndërsa përgatitet projekti i transformimit më të rëndësishëm në kryeqytet, Piramida e Tiranës, e cila do të jetë dhe shtëpia e përhershme e TUMO Tirana, përkohësisht TUMO Tirana do të operojë në Qendrën Arena.
Në TUMO Tirana, fëmijët do të zhvillojnë planin e tyre mësimor të personalizuar, nëpërmjet një platforme virtuale të quajtur TUMO Path, e cila është krijuar për t’ju përshtatur kurrikulës së shumëllojshme.
Kurrikula mundëson krijimin e planeve të personalizuara të të mësuarit në mënyrë të pavarur, nën mbikëqyrjen e ekspertëve dhe mentorëve.
Plani mësimor ofron zhvillimin e workshop-eve dhe laboratorëve ku nxënësit thellojnë dijet dhe aftësitë në një temë zgjedhur prej tyre, punojnë në grup dhe krijojnë portofolat e tyre në formën e projekteve në modelim 3D, programim kompjuterik, robotikë, muzikë, etj.
Qendra TUMO për Teknologjitë Arsimore filloi në Armeni, me mbi 14,000 studentë që ndjekin rregullisht qendrat në të gjithë vendin. Që atëherë, TUMO është zgjeruar në shkallë globale, në Paris, Moskë, Bejrut dhe Tiranë.
Projekti
Në 29 gusht të vitit 2022, Bashkia e Tiranës shpalli procedurën tenderuese me objekt “shtesë kontrate për Rijetësimin e Piramidës, Tiranë”, me vlerë rreth 230 milionë lekë të reja pa TVSH. Tenderi për rikonstruksionin e Piramidës në qendër të Tiranës u fitua në tetor 2020 nga bashkimi i operatorëve “Fusha” dhe “Edil-Al”.
Fondi limit për tenderin kryesor ishte 16 miliardë lekë të vjetra. Por, në vijim të zbatimit të projektit, pati ndryshime në vlerë, duke iu shtuar së fundmi, në maj të 2023 edhe 2 milionë euro të tjera.
Për këtë tender u paraqitën 8 oferta, nga të cilat 7 u skualifikuan.
Bashkia e Tiranës kishte vendosur një fond limit 1.7 miliardë lekë për projektin “Rijetësimi i Piramidës”, ndërsa oferta e kompanive fituese ishte 1.2 miliardë lekë.
Për transformimin e Piramidës u përdorën të ardhurat nga Bashkia e Tiranës, fond i vënë në dispozicion nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, si dhe të ardhurat e Fondit shqiptaro-amerikan për Zhvillim, vënë në dispozicion në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës për projektin “Rijetësimi i Piramidës”.
Në vitin 2018 u prezantua plani për ta transformuar atë, ndërkohë projekti final u prezantua në maj të po të njëjtit vit, kur u vendos që Piramida të kthehet në qendrën më të madhe për të rinjtë, kryesisht e fokusuar në arsimin dixhital, në kulturën e energjisë së informacionit dhe në funksion të artit, kulturës dhe kurseve profesionale apo të hapësirave të tjera rinore.
Sipas të dhënave të bëra publike, Piramida do të funksionojë për trajnime, do të ketë bibliotekë, salla ku njerëzit mund të mblidhen, salla ku mund të ekspozojnë punimet e tyre dhe qendrën TUMO, një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit.
Programet që do të ofrohen nga TUMO janë: animacion, zhvillim i lojërave, kinematografi, web design, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelim 3D, programim, robotikë, grafikë lëvizje, fotografi, media e re.
Detaje
Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës synon transformimin e saj në një qendër shumëfunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese.
Plani synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa është e arritshme nga të gjitha anët. Risia e rivitalizimit qëndron në faktin se TUMO është një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit.
Të rinjve do t’u jepen mjetet dhe njohuritë që kanë nevojë për të arritur potencialin e tyre. TUMO i ndihmon këta fëmijë të fuqizojnë krijimtarinë dhe i përgatit me aftësitë e shekullit XXI dhe punët e së ardhmes Në ambientet e Piramidës pritet të rritet kapaciteti pranues deri në 4000 nxënës në javë.
Programet që do të ofrohen nga TUMO janë:
– Animation
– Zhvillimi i Lojërave
– Kinematografia
– Web Design
– Muzikë
– Shkrim
– Vizatim
– Dizajn Grafik
– Modelimi 3D
– Programim
– Robotikë
– Grafika e lëvizjes
– Fotografi
– Media e re
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.