Post-karantina, biznesi nuk kap dot ritmin, përdorimi i energjisë ra me 5.1%, rritet prodhimi

24/11/2020 1:00 PM 0 komente

Pavarësisht se në tremujorin e tretë të vitit ekonomia ju kthye normalitetit biznesi duket se nuk ka kapur dot ritmin e periudhës së para pandemisë sa i takon aktivitetit.

Një tregues i kësaj është tkurrja e përdorimit të energjisë që ka ardhur pikërisht nga konsumatorët jo familjarë. Të dhënat e Bilancit të Energjisë nga Instituti i Statistikave për tremujorin e tretë të këtij viti treguan se përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, , u ul me 1,9 % duke arritur vlerën 1.481 GWh nga 1.510 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2019.

“Ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rënie të konsumit të energjisë elektrike me 5,1 %, përkundrejt rritjes me 2,5 % të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë” vlerëson INSTAT.

Prodhimi, importi dhe eksporti

Të dhënat e INSTAT reflektuar gjithashtu përveç efekteve të pandemisë edhe situatën problematike hidrike që ka kaluar vendi ynë përgjatë këtij viti,  një situatë e trashëguar edhe nga viti paraardhës por gjithsesi me nj rritje 8 për qind.  Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, energjia elektrike në dispozicion u ul me 2,5 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019.

Në raport theksohet se prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 1.280 GWh nga 1.186 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2019, duke shënuar një rritje të prodhimit me 8 %.

“Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76,4 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22,8 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e tretë të vitit 2020, arriti vlerën 666 GWh nga 772 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 13,8 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 139 GWh nga 105 GWh duke shënuar një rritje me 32,7 %” thuhet në Bilancin e Energjisë.

Por si ishte raporti i prodhimit nga hidrocentralet publike dhe ato private? INSTAT vlerëson se hidrocentralet publike, në tremujorin e tretë të vitit 2020, prodhuan 978 GWh nga 941 GWh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2019, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 3,9 %.

“Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 292 GWh nga 237 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 23,1 %. Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e tretë të vitit 2020, ka pësuar një rritje me 21,1 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019” thuhet në njoftim.

Humbjet në rrjet

Humbjet, një nga problematikat më kyçe të sektorit duket se në tremujorin e tretë të vitit kanë shënuar përmirësim.

“Humbjet në rrjet arritën vlerën 325 GWh nga 342 GWh duke shënuar kështu një rënie me 5,1 %. Humbjet në transmetim kanë rënë me 5,4 % ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 5 %. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 3 %, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 8,4 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of