Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rritur performancën e rimbursimit të TVSH për bizneset në katërmujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në janar-prill 2017 u shpërndanë për bizneset 3.8 miliardë lekë, nga 2.6 miliardë lekë që u dhanë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje vjetore 45.7%.
Të ardhurat nga TVSH ishin 45.7 miliardë lekë për të njëjtën periudhë me një rritje 6.2% në raport me faktin e 2016, gjithsesi TVSH kundrejt planit u rrit vetëm 0.6%.
Nga viti në vit, kërkesat për rimbursim të TVSH-së nga bizneset kanë ardhur në rritje, por nga ana tjetër, Tatimet nuk kanë mundur të përmbushin detyrimet për rimbursimin duke krijuar kështu detyrime të prapambetura në këtë zë. Skema e rimbursimit të TVSH numëroi në fund të vitit 2016 mbi 3.3 miliardë lekë detyrime të akumuluara.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për vitin 2016, janë paraqitur 769 kërkesa për rimbursim të TVSH-së që i korresponduan një shume prej 19 miliardë lekësh. Nga kjo vlerë, u miratuan për rimbursim 13.7 miliardë lekë. Janë rimbursuar deri në fund të dhjetorit 2016 mbi 10.4 miliardë dhe janë mbartur si detyrime për periudhën në vijim 3.3 miliardë lekë.
Tatimet kanë sqaruar se rimbursimi i TVSH-së vitin e kaluar u bë nëpërmjet një procedure të mirëpërcaktuar, të fokusuar në analizën e riskut për rimbursim, sipas së cilës jo çdo kërkesë për rimbursim i nënshtrohet procedurave të kontrollit tatimor në vend.
Në varësi të rezultatit të analizës paraprake nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së, bëhet refuzimi ose pranimi i kërkesës për rimbursim.
Në totalin e shumës së kërkuar për rimbursim gjatë vitit 2016, 53.35% i zuri kategoria e eksportuesve dhe fasonistëve, 27.65% kategoria e investimit, 2.01% trupa diplomatike, organizata ndërkombëtare dhe projektet IPA, 16.99% aktivitete të tjera.
Të dhëna për rimbursimin e TVSH katërmujori i parë
Janar – Prill 2016 | Janar – Prill 2017 | Diferenca % |
43,127 | 45,787 | 6.2 |
14,197 | 15,578 | 9.7 |
28,930 | 30,209 | 4.4 |
2,656 | 3,869 | 45.7 |
2,656.0 | 3,869.0 | 45.7 |
0.0 | 0.0 | |
40,471 | 41,918 | 3.6 |
11,541 | 11,709 | 1.5 |
28,930 | 30,209 | 4.4 |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.