Si po zbatohen 20 reformat që do të nxisnin ekonominë

16/07/2019 3:41 PM 0 komente

Komisioni Europian ka publikuar rishikimin e tij për Programin e pestë të Reformave Ekonomike (ERP) që mbulon periudhën 2019-2021, i hartuar nga qeveria shqiptare. Komisioni ka vlerësuar 20 masat kryesore të reformës strukturore të përfshira në këtë program.

Raporti vlerëson një progres të moderuar në liberalizimin e tregut të energjisë dhe kërkon të bëhet më shumë për diversifikimin e burimeve të energjisë. Problem mbetet toka e copëzuar që pengon zhvillimin e bujqësisë dhe nuk ka ndonjë plan për ta zgjidhur atë.

Komisioni ka rezerva dhe për menaxhimin e burimeve ujore, vonesat në marrjen e masave për zvogëlimin e barrës administrative për biznesin. Vlerësimi shpreh kritika për vonesat në reformat e sistemit arsimor në Shqipëri, sidomos për arsimin profesional, që nuk është i lidhur me tregun e punës.

 

Masa 1: Liberalizimi i mëtejshëm i tregut të energjisë

Masa për liberalizimin e mëtejshëm të tregut të energjisë është vazhdim i Programit të mëparshëm të Reformave Ekonomike (ERP) dhe është në përputhje me Paketën e Tretë të Energjisë së BE-së dhe me strategjitë e Shqipërisë. Gjithsesi, kjo masë nuk është e përfshirë në kornizën e përgjithshme të veprimeve shoqëruese, si forcimi i organit rregullator, menaxhimi i kërkesës, efikasiteti i energjisë ose reformat e çmimeve. Reforma e çmimeve dhe tarifave do të kërkojë përpjekje të mëtejshme, ndërsa normat e mbledhjes së faturave të energjisë janë përmirësuar ndjeshëm.

Menaxhimi i kërkesës për energji, përfshirë aktivitetet për të nxitur investimet në eficiencën e energjisë, do të kontribuonte në përmirësimin e konkurrencës së ekonomisë dhe sigurisë së energjisë. Edhe pse nuk është përcaktuar asnjë afat për përfundimin e aktiviteteve të liberalizimit të tregut, disa prej tyre kanë shënuar vonesa që nga viti i kaluar. Nuk është dhënë asnjë shpjegim për vonesat e zbatimit në vitin 2018, në veçanti për mospërfundimin e shkëmbimit të energjisë elektrike. Ka shumë rreziqe potenciale për zbatimin e masave të reformës, ndërsa masat lehtësuese mbeten të përgjithshme.

 

Masa 2: Diversifikimi i burimeve energjetike

Masa për diversifikimin e burimeve energjetike, edhe pse përfshihet në programin e mëparshëm, është rishikuar dhe plotësuar në përputhje me analizën ekonomike për të përfshirë promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, përveç hidrocentraleve. Ndryshimi është mirëpritur sa i takon potencialit të rëndësishëm që vendi paraqet në prodhimin e energjisë fotovoltaike dhe të erës. Megjithatë, këto zhvillime janë të kufizuar dhe nuk ka debate lidhur me ndikimin mjedisor të politikës energjetike në tërësi.

Lidhja e planifikuar e vendit me rrjetin ndërkombëtar të gazit për të krijuar kushtet e duhura për gazifikimin në përputhje me zhvillimin e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik, do të kontribuojë në diversifikimin e energjisë. Zbatimi i aktiviteteve të planifikuara po ecën në përputhje me afatet e përcaktuara. Kostoja e zbatimit të kësaj mase nuk është llogaritur siç duhet. Nëse zbatohet në mënyrë efikase, masa pritet të forcojë konkurrencën afatgjatë, duke diversifikuar furnizimin, duke krijuar kushtet e duhura për sigurinë e furnizimit dhe duke ulur kostot e energjisë. Mungesa e rreziqeve të mundshme justifikohet nga financimi i siguruar, por nuk merr në konsideratë rreziqet financiare, të tilla si: rreziqet mjedisore dhe mungesën e koordinimit.

 

Masa 3: Rehabilitimi dhe rikonstruksioni i segmentit hekurudhor, Durrës- Aeroporti Ndërkombëtar, Tiranë

Masat për zhvillimin e transportit janë vazhdim i Programit të mëparshëm dhe nuk janë përshtatur me nevojat rregullatore dhe strukturore që lidhen me Axhendën e Ndërlidhjes, e cila do të kishte ndikim më të drejtpërdrejtë në konkurrencë. Zbatimi i masës që synon rehabilitimin dhe zgjerimin e hekurudhës Durrës-Aeroport-Tiranë do të lejojë zhvillimin e transportit intermodal, por parashikimi duket shumë optimist duke pasur parasysh infrastrukturën e pazhvilluar hekurudhore.

Projekti i ndërtimit është në rrugën e duhur dhe realizimi i tij praktik pritet të fillojë në 2019. Pritshmëritë janë që kjo masë do të ndikojë në dyfishimin e shpejtësisë së udhëtimit për pasagjerët dhe për mallrat ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, duke ndikuar edhe në shmangien e bllokimeve të ndryshme në trafik të rënduar. Janë evidentuar edhe rreziqet e mundshme në zbatimin e saj dhe janë propozuar edhe masa lehtësuese. Megjithatë, nuk është dhënë asnjë informacion konkret mbi planin e blerjes së tokës, i cili është një element i domosdoshëm në përfundimin e projektit dhe as nuk janë planifikuar masa lehtësuese për të mbuluar rreziqet e shpronësimit.

 

Masa 4: Konsolidimi dhe defragmentimi i tokës bujqësore

Konsolidimi dhe defragmentimi i planifikuar i tokës bujqësore, pjesë e programit të mëparshëm, nuk tregon asnjë progres të mëtejshëm si pasojë e mungesës së bazës ligjore, institucionale dhe administrative. Aktivitetet e reformës parashikojnë dixhitalizim të pjesshëm të regjistrit të tokës bujqësore. Megjithatë, aktivitetet e planifikuara për vitin 2018 u zbatuan pjesërisht. Nuk janë planifikuar aktivitete të tjerë për të përcaktuar kushtet e nevojshme për konsolidimin e tokës, si sqarimi i të drejtave pronësore dhe zhvillimi i një kadastre të plotë të tokës, planifikimi territorial, mbrojtja e mjedisit etj.

Ndikimi i vlerësuar mbi konkurrencën është mjaft ambicioz dhe mund të vërehet në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Nuk janë diskutuar as çështjet gjinore që lidhen me pronësinë e tokës bujqësore (lëshimi i certifikatave kryesisht për anëtarët meshkuj të familjes). Treguesit kryesorë të performancës nuk janë zgjedhur siç duhet, as për të pasqyruar aktivitetet e zbatuara dhe as për rezultatet e mundshme afatshkurtra të konsolidimit të tokës. Një prej rreziqeve më të mundshme është kundërshtimi i pronarëve të tokës dhe komuniteteve rurale. Edhe rreziqet e tjera, si vonesat për shkak të mungesës së kuadrit ligjor apo mosmarrëveshjet për të drejtat pronësore duhet të merren gjithashtu parasysh.

 

Masa 5: Reforma e sektorit të ujit të pastër dhe ujërave të zeza

Burimet ujore janë vendimtare për zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë dhe në veçanti për sektorët e prodhimit të energjisë, turizmit dhe bujqësisë. Si e tillë, masa për reformën e ujit është më se e duhur. Ajo është në përputhje me veprimet për të luftuar informalitetin dhe synon të sigurojë qeverisje të mirë dhe investime efektive. Megjithatë, menaxhimi i integruar i burimeve ujore, duke marrë parasysh nevojat e ekonomisë në tërësi, nuk është trajtuar në mënyrën e duhur. Aktivitetet e planifikuara për vitin 2019 janë ambicioze më shumë sesa duhet, ndërkohë që ka pak dhe shumë pak informacion mbi përmirësimet e parashikuara, të cilat janë gjithashtu të paqarta dhe të pamjaftueshme.

Janë raportuar vonesa në zbatim dhe disa nga aktivitetet që nuk janë zbatuar në vitin 2018, nuk janë përfshirë në planet e vitet në vijim. Masa duket tejet ambicioze, duke pasur parasysh investimet që duhen bërë në këtë drejtim dhe kapacitetet administrative të nevojshme për zbatimin e këtij investimi. Kostoja e kësaj reforme është ende në zhvillim e sipër, gjë që tregon për mungesën e pjekurisë së këtij projekti. Treguesit kryesorë të performancës janë shumë ambiciozë, ndërsa afati përfundimtar për realizimin e tyre nuk është përcaktuar ende. Rreziqet potenciale dhe masat lehtësuese përkatëse janë të përcaktuara gjerësisht, por nuk specifikojnë rreziqet potenciale në zonat rurale, ku shërbimet e ujësjellësit menaxhohen nga autoritetet lokale.

 

Masa 6: Reforma e tatimit të pronës dhe krijimi i kadastrës fiskale

Kjo masë përfshihet në Programin e Reformave Ekonomike (ERP) 2018-2020. Zbatimi i tatimit mbi pronën është një instrument që forcon mobilizimin e përgjithshëm të të ardhurave vendore dhe menaxhimin e financave publike, por nuk është specifikuar lidhja e tij me përmirësimet në mjedisin e biznesit. Tatimi mbi pronën pritet të zbatohet në 61 bashkitë e vendit deri në vitin 2021. Aktivitetet e planifikuara në Programin e Reformave Ekonomike (ERP) 2018-2020, në lidhje me miratimin e legjislacionit përkatës në vitin 2018 pothuajse kanë përfunduar, ndërsa plotësimi i stafit të njësisë së kadastrës fiskale pritet të përfundojë në 2019.

Pilotimi i kadastrës fiskale në katër bashki të planifikuara për vitin 2019 nuk është më në Programin aktual të Reformave Ekonomike dhe heqja e tij është bërë pa asnjë shpjegim specifik. Rreziqet potenciale të zbatimit janë identifikuar në mënyrë korrekte. Treguesit për monitorimin e aktiviteteve nuk janë të përcaktuar mirë dhe ka vetëm objektiva të përgjithshme në fund të zbatimit të masës në vitin 2021.

 

Masa 7: Zvogëlimi i barrës rregullatore për biznesin

Masa për zvogëlimin e barrës rregullatore për bizneset është vazhdim i ERP-së së mëparshme, por duhet të zbatohet në një kontekst më të gjerë të trajtimit të sfidave të tjera të identifikuara në këtë sektor. Afati për zbatimin e masës është shtyrë deri në vitin 2021, që tregon edhe disa vonesa në zbatim e saj.

Ndikimi që pritej në konkurrencë dhe rezultatet sociale, theksojnë mangësitë kryesore në mjedisin e biznesit. Rreziqet potenciale janë vlerësuar në mënyrë korrekte, ndërsa masat lehtësuese kanë nevojë për rishikime të mëtejshme. Treguesit për masat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me veprimet e përcaktuara, si dhe nuk janë përcaktuar as objektiva numerike. Kostot e zbatimit për 2019 mbeten të njëjta me ato të vitit 2018, ndërkohë që nuk ka tregues të qartë për shpenzimet buxhetore për vitet 2020-2021.

 

Masa 8: Reduktimi i burokracive dhe rritja e efikasitetit të institucioneve që u ofrojnë shërbime qytetarëve dhe sipërmarrësve

Kjo është një masë e re, e cila përfshin disa nga pengesat me të cilat përballet biznesi në lidhje me burokracitë brenda institucioneve shtetërore dhe mbi të gjitha, me korrupsionin. Ajo synon të rrisë nivelin e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve aktuale. Ndikimi i pritshëm mbi konkurrencën është i përcaktuar qartë. Masa është në të njëjtën linjë me ato të strategjive të tjera kombëtare, si Strategjia e Reformës së Administratës Publike 2015-2020, dhe plani i veprimit 2018-2020.

Duke marrë në konsideratë të dhënat, përparësitë politike të kësaj çështjeje, mbështetja e donatorëve dhe veprimet e parashikuara në planin e veprimit, kjo masë duket më se realiste. Zbatimi do të financohet përmes buxhetit të shtetit dhe kostot dhe buxhetimi janë raportuar ashtu siç duhet. Sidoqoftë, treguesit janë formuluar në mënyrë të përgjithshme dhe nuk ofrohet asnjë e dhënë e saktë për të matur suksesin. Rreziqet e mundshme janë marrë në konsideratë.

 

 

Masa 9: Zbatimi efikas i planit kombëtar për të ulur nivelin e NPL-ve në sektorin bankar

Kjo masë është vazhdim i Programit të mëparshëm dhe paraqet një prej pengesave kryesore në drejtim të konkurrencës së bizneseve: aksesin në financë. Ky program nuk është ndalur në burimet alternative të financimit dhe as në çështjet më të gjera që kanë të bëjnë me rritjen e kredisë. Pjesa më e madhe e aktiviteteve të planifikuara në vitin 2018 janë zbatuar, me përjashtim të krijimit të regjistrit të kredive dhe akteve nënligjore të falimentit. Masa përcakton qartë ndikimin e pritshëm mbi konkurrencën dhe merr parasysh rezultatet sociale. Rreziqet e mundshme janë vlerësuar në mënyrë korrekte. Ndërkohë që niveli i NPL-ve po zvogëlohet, Shqipëria mund të marrë në konsideratë zgjerimin e kësaj mase në Programin e Reformave Ekonomike (ERP) të vitit të ardhshëm për të përfshirë aksesin në financa për sektorin privat. Treguesit kryesorë të performancës duhet të përpunohen edhe më mirë.

 

Masa 10: Sigurimi i një regjimi ligjor dhe transparent për investimet në vend

Kjo masë është vazhdim i Programit të mëparshëm, e cila është njëkohësisht edhe në koherencë me angazhimet e Shqipërisë sipas planit shumëvjeçar të Zonës Ekonomike Rajonale. Ndikimi i saj në klimën e investimeve dhe rrjedhimisht në konkurrencë, është i mirëpërcaktuar. Ajo synon të sigurojë një regjim ligjor dhe transparent për investimet në vend, por nuk është e qartë se si ky regjim investimesh do të ketë ndonjë rol në rritjen e transparencës së procedurave të prokurimit publik.

Sa i takon rreziqeve të mundshme, ato që lidhen me përfshirjen e aksionerëve të ndryshëm, politikëbërësve dhe palëve të interesuara kanë ndikim të rëndësishëm, që ka shkaktuar edhe zgjatjen e afatit për zbatimin e saj deri në 2021. Prandaj, masat për lehtësimin e këtyre rreziqeve duhet të përpunohen më mirë. Plani shumëvjeçar i veprimit të Zonës Ekonomike Rajonale parashikon një afat më të hershëm për hartimin e platformave më efikase në nivel kombëtar. Kostoja dhe buxheti i saj nuk janë përcaktuar ende, gjë që rrezikon zbatimin e saj.

 

Masa 11: Përmirësimi i kapacitetit institucional të sistemit të kërkimit dhe inovacionit

Masa e cila synon të përmirësojë kapacitetin institucional të sistemit të hulumtimit dhe inovacionit mund të adresojë disa kufizime në këtë fushë. Aktivitetet e planifikuara për vitin 2018 janë zbatuar vetëm pjesërisht. Aktivitetet e periudhës 2019-2021 janë të shpjeguara tepër gjerësisht dhe nuk kanë objektiva të qarta. Planet për kostot janë zhvilluar më tej dhe buxheti i planifikuar është më i përshtatur sesa ishte në ERP-në e kaluar e cila ishte tepër ambicioze. Megjithatë, nuk është e qartë nga do të vijë mbështetja financiare. Janë identifikuar disa rreziqe të mundshme dhe është krijuar një model strategjik për sektorin. Ka pasur përparim në rritjen e angazhimit të sektorit privat, i cili duhet të zbatojë më tepër Modelin Triple-Helix.

 

Masa 12: Adoptimi i modelit ligjor dhe rregullator për zhvillimin e infrastrukturës së shpërndarjes së internetit.

Masat në vijim për zbatimin e modelit ligjor dhe rregullator për të zhvilluar infrastrukturën e internetit me bazë të gjerë janë në linjë me Axhendën Dixhitale të Shqipërisë 2020, dhe adresojnë problemet kryesore në konkurrueshmëri dhe rritje. Aktivitetet e propozuara kanë përparuar në raport me programin e kaluar dhe tashmë përfshijnë zhvillimin e infrastrukturës së internetit me bazë të gjerë në zonat pilot, gjë që është një zhvillim në drejtimin e duhur. Nuk është planifikuar ende financimi, çka e bën më pak premtues zbatimin e plotë. Aktivitetet e planifikuara për 2018 janë zbatuar deri më tani, duke u fokusuar në hartimin e bazës legale.

 

Masa 13: Lehtësimi i tregtisë nacionale

Masa e marra për lehtësimin e tregtisë janë në linjë me prioritetet kombëtare dhe nismat e rajonit, siç janë axhenda e ndërlidhjeve dhe Protokolli shtesë i marrëveshjes së tregtisë së lirë rajonale, CEFTA. Zbatimi i kësaj mase është një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të tregtisë rajonale, e cila është gjithashtu pjesë e planit të veprimit shumëvjeçar të Zonës Ekonomike Rajonale. Aktivitetet e planifikuara për 2018 janë zbatuar pjesërisht dhe një pjesë e tyre janë shtyrë për vitin 2019.

Kjo masë përfshin projektin rajonal SEED+ të financuar nga Bashkimi Europian dhe promovimin e programit të operatorit ekonomik të autorizuar në Shqipëri, si dhe krijimin e Dritares së Vetme për eksportet. Është planifikuar dhe rritja e kapaciteteve të Komitetit Kombëtar për Koordinimin dhe Lehtësimin e Politikave të Tregtisë, por nuk ka detaje konkrete të përmendura se si do të arrihet kjo. Ndikimi mbi konkurrencën dhe rreziqet sociale janë diskutuar vetëm në sipërfaqe. Nuk është prezantuar financimi për implementimin e projektit të Dritares së Vetmen Nacionale. Për të siguruar ndikim më të madh mbi konkurrueshmërinë, kjo masë duhet të mbështetet nga përpjekjet për të zgjeruar bazën industriale të shtetit në mënyrë që të rritet diversiteti i produkteve të tregtueshme.

 

Masa 14: Finalizimi i reformës kurikulare parauniversitare, trajnimi dhe punësimi i mësuesve

Kjo masë po zbatohet prej shumë vitesh. Ajo fokusohet kryesisht tek implementimi i kurrikulave të reja të përshtatura me aftësitë për klasat e para deri tek e nënta, në mënyrë që të përmbyllet procesi i reformës së kurrikulave dhe teksteve për edukimin para universitar. Ka plane që të adaptohet trajnimi fillestar i mësuesve në universitete publike për t’u përshtatur me reformën kurrikulare.

Mësuesit aktualë janë trajnuar tashmë, por kurrikula e re kërkon aftësi, të cilat nuk i mësuan në universitet. Nuk janë planifikuar trajnime shtesë, mentorimi i duhur dhe mbështetja e vazhdueshme. Mungesa e këtij suporti për mësuesit mund të reduktojë efektivitetin e reformës. Aktiviteti kryesor është i planifikuar për 2020 kur do të bëhet vlerësimi i kësaj mase. Kjo do të ndiqet nga reforma të tjera, nëse do të jetë e përshtatshme.

 

Masa 15: Arsim gjithëpërfshirës

Kjo masë i referohet uljes së numrit të studentëve që frekuentojnë klasa me cilësi të ulët dhe me mosha të ndryshme në zona rurale dhe një rritje të numrit të mësuesve me edukim të veçantë në shkollat publike. Kjo masë nuk e bën të qartë se si do të mundësohet transferimi i 3000 nxënësve në zona rurale për çdo vit shkollor në një shkollë më të mirë, duke pasur parasysh gjithashtu cilësinë e keqe të rrugëve dhe gjendjen e transportit publik dhe mungesën e një buxheti të alokuar për këto përmirësime. Planet që të rritet numri i mësuesve me edukim special me 100 të rinj çdo vit është premtues dhe kostoja në 2019 për këtë ishte 6.8 milionë euro. Nuk është adresuar as nevoja që të ketë më shumë inspektim për mbarëvajtjen, cilësinë dhe gjithëpërshirjen në shkolla dhe se si do të arrihen zonat më të largëta dhe rurale.

 

Masa 16: Zgjerimi i aftësive dixhitale nëpër shkolla

Për tre vitet që vijnë, 120,000 studentë dhe 8,000 mësues janë planifikuar që t’iu mësohen aftësi kodimi dhe dixhitale. Kjo është një masë e orientuar nga donatorët dhe nuk është e qartë se si është e lidhur me kurrikulën e re shkollore. Është gjithashtu e paqartë nëse kjo kurrikulë e re duhet rishikuar dhe si do të sigurohen pajisjet e duhura për mësim. Fizibiliteti i zbatimit të kësaj mase mbetet i paqartë, për sa kohë që kompetencat bazë dhe cilësia e edukimit janë të dobëta. Është e paqartë dhe se deri në çfarë mase kjo masë është e përshtatshme dhe sa është pronësia e qeverisë në të. Është shqetësues mungesa e infrastrukturave to posaçme në shkolla që të lejojnë zhvillimin e qëndrueshëm të aftësive dixhitale, që lidhen me këtë projekt.

 

Masa 17: Modernizimi i financimit të sistemit të edukimit parashkollor

Kjo masë fokusohet në reformimin e financimit të edukimit parashkollor, përgjegjësia për të cilën ka kaluar në nivel lokal. Rolet dhe koordinimi në këtë aspekt duhen shqyrtuar më tej. Pavarësisht se emërtimi i kësaj mase sugjeron një qasje më të gjerë, fokusi i saj duket të jetë i limituar vetëm në shtimin e financave të reja në sistem për të rritur numrin e mësuesve me 10% (440), duke filluar nga viti 2019 në mënyrë që të reduktohet raporti nxënës/mësues.

Kjo do të mundësonte përmirësimin e cilësisë së mësimit sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku ka shumë nxënës krahasuar me mësuesit. Duhet përmendur se nuk është vënë theksi te nevoja për rritjen e numrit të studentëve që ndjekin shkollë në familjet më vulnerabël. Nuk ka stimul që të rritet investimi në kopshte të mira, sidomos në zonat më rurale, ku ato shpesh mungojnë. Është mbase tepër ambicioze që të monitorohet për një vit përmirësimi në cilësi i gjithë edukimit parashkollor, si pasojë e ndryshimeve të planeve ditore.

 

Masa 18: Përmirësimi i cilësisë dhe mbulimit të arsimit profesional, duke siguruar lidhje me tregun e punës

Kjo masë prej shumë vitesh nuk është zbatuar në tërësi. Aktivitetet e rëndësishme të planifikuara për 2018 nuk u finalizuan. Legjislacioni dytësor për zbatimin e ligjit të arsimit profesional nga shkurti i 2017 nuk është miratuar dhe nuk është krijuar Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi. Buxheti i përgjithshëm nuk është i detajuar dhe kostot totale për modernizimin e sistemit të arsimit profesional duket të jenë nënvlerësuar. Një studim në Shqipëri ka vënë në dukje se sistemi i arsimit profesional është i paharmonizuar totalisht me kërkesat e tregut dhe aspiratat e studentëve. Mungon qartësia për sa u përket mundësive që kanë grupet e njerëzve më vulnerabël dhe në zona rurale që të kenë akses në arsimin profesional.

 

Masa 19: Modernizimi i shërbimeve për punësimin publik, rritja e punësimit të femrave, të rinjve dhe njerëzve vulnerabël

Kjo është një masë që vazhdon prej vitesh. Aktivitetet që sugjerohen janë shumë ambicioze. por në linjë me modernizimin e vazhdueshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (rritje në cilësinë e shërbimeve dhe disponueshmërisë së tyre në zona rurale, më shumë trajnime stafi, përmirësim në cilësi të kurseve profesionale afatshkurtra dhe rritjes në rëndësinë e tyre për nevojat e tregut të punës).

Ka pasur vonesa në aktivitete e planifikuara për 2018-n: Ligji i Nxitjes së Punësimit nuk është miratuar në kohë (u krye në mars 2019); Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive nuk është krijuar dhe modernizimi i disa zyrave të punësimit nuk është finalizuar. Programet që promovojnë punësim duhet të jenë më të përshtatura për nevojat që kanë popullsitë më vulnerabël. Si shumica e masave të ndërmarra në nivel rajonal, mungesa e bashkëpunimit midis palëve të ndryshme përfshirë partnerët socialë e bënë këtë masë të vështirë për t’u zbatuar.

 

Masa 20: Përforcimi i mbrojtjes social dhe masat e përfshirjes sociale

Kjo është një masë që vazhdon prej vitesh, por mungon lidhja me planifikimet në programet e mëparshme. Në 2018 u arrit progres sa i përket përshtatjes së legjislacionit, u hodhën hapa paraprakë për pilotimin e modelit të ri bio-psiko-social për vlerësimin e aftësive të kufizuara dhe e vendosën në mbarë vendin skema të reformuara për ndihmën ekonomike. Lidhur me këtë të fundit nuk është e qartë nëse janë arritur të shënjestrohen vërtet njerëzit me nevoja.

Njësite e Qeverisjes Vendore priten që të vlerësojnë nevojën për shërbimet e kujdesit social dhe të sigurojnë shpërndarjen e tyre, por në shumë njësi mungojnë kapacitetet dhe burimet e duhura. Kjo konsiderohet si rrezik dhe nuk ka alternativa se si mund të zgjidhet ky handikap. Edhe pse kjo masë targeton probleme të vërteta strukturore, ashtu sikur në vitet e kaluara, fokusi është tepër i përgjithshëm, çka nuk mundëson zbatimin e tij efektiv dhe përfundimin e projektit. Mungesa e të dhënave mbi varfërinë dhe përjashtimin social të disa grupeve e bën të vështirë hartimin e ligjeve të bazuara në fakte.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of