Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), kompani nën Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do zhvillojë procedurat e shitjes së tepricave të energjisë jashtë platformës online pasi mungon kuadri, që rregullon këtë pjesë. Në një parashtrim të kërkesës bërë pranë Entit Rregullator të Energjisë, FTL që funksionon si kompani më vete e licencuar nga ERE në vitin 2018, ka kërkuar këtë autorizim për të zhvilluar procedurat jashtë një platforme të dedikuar. Në këtë parashtrim janë dhënë të paktën katër argumente se pse kjo formë është e mundur dhe e nevojshme.
Këto arsye janë:
- a) emergjenca e procesit, pasi mund të ndodhemi përpara një situate me reshje dhe historiku ka treguar se Prodhuesit me përparësi të Energjisë Elektrike gjatë muajve shkurt – prill arrijnë prodhimin e tyre maksimal, ç’ka mund të gjenerojë nevojën për zhvillimin e procedurave të tregtimit të tepricave të energjisë elektrike nga kjo kategori;
- b) kohën e shkurtër për përgatitjen e një rregulloreje të tregtimit të energjisë elektrike dhe kalimit të fazave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për miratimin e një akti normative;
- c) Mungesa e një platforme shitje të Energjisë nga ana e FTL sh.a. dhe kohës së nevojshme për krijimin e saj ;
- d) KESH sh.a. me vendimin Nr. 5233/1, datë 12.06.2019, të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit sh.a. ka miratuar Rregullat e përgjithshme të organizimit të aktivitetit tregtar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a. që përmbush detyrimin për zhvillimin e këtyre procedurave duke ruajtur parimet e barazisë dhe transparencës nëpërmjet procedurave elektronike (komunikimi via email).
Duke parë këtë situatë ERE ka vendosur që të miratojë zhvillimin e procedurave të shitjes së tepricave të energjisë jashtë një platforme deri në krijimin e kuadrit të nevojshëm që sanksionon kalimin online të saj. Ndërkohë që FTL i është lënë afat 30 ditë që të propozojë pranë ERE-s rregullat që më pas do të pasojnë me miratimin.
“Për një periudhe tranzitore deri në miratimin e rregullave të tregtimit të Energjisë elektrike, Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) sh.a. për qëllim të procedurës së shitjes së tepricave të prodhuar nga prodhuesit me përparësi të Energjisë elektrike të përdorë “Rregullat e përgjithshme të organizimit të aktivitetit tregtar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a” të miratuar me Vendimin Nr. 5233/1, datë 12.06.2019, të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit. Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) sh.a. të propozojë për miratim në ERE brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi Rregullat për tregtimin e energjisë elektrike të mbështetur në parimet e barazisë dhe të transparencës” thuhet në vendimin e ERE.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.