Grupi i themeluar nga Elon Musk për realizimin e makinave elektrike, lë pas Toyota. Kapitalizimi në bursë kapërcen 207 miliardë dollarë.
10 vjet pas renditjes në Bursë, Tesla bëhet shtëpia automobilistike që vlen më shumë në botë. Me një kapitalizim tregu prej 207,2 miliardë dollarësh, për shkak të rritjes së aksioneve me 3,5%, kompania e themeluar nga Elon Musk kapërcen 201.9 miliardë të Toyota – shkruan Bloomberg.
E themeluar në vitin 2003, në Palo Alto në Kaliforni, me të ardhura 24,9 miliardë dollarë në vitin 2019, Tesla, emri i së cilës është frymëzuar nga shpikësi, inxhinieri elektrik e mekanik Nikola Tesla, është bërë shtëpia automobilistike që vlen më shumë në botë. Megjithatë, rrugëtimi i kompanisë nuk ka qenë gjithnjë i lehtë, edhe për shkak të figurës së vështirë të krijuesit të saj.
Rekordi i ri i Tesla mbështetet në një rritje në bursë që nisi pikërisht në ditët e para të vitit 2020. Në atë kohë, aksionet e grupit kapën tavanin e 500 dollarëve dhe në tremujorin e katërt të vitit 2019, u rritën më shumë se dyfishi krahasuar me tremujorin e mëparshëm, kur aksionet në Wall Street u tregtuan me 247 dollarë. Në vetëm disa muaj, pasuria e Musk u rrit nga rreth 22 miliardë dollarë në 29 miliardë dollarë. Që në atë kohë, Tesla kishte lënë pas General Motors dhe Ford, dhe po i afrohej kapitalizimit të Volkswagen.
Kompania amerikane, tani, vlen më shumë edhe se konkurrentët e tjerë së bashku: Fiat Chrysler (20 miliardë dollarë), Ford (24 miliardë), Ferrari (32 miliardë), General Motors (36 miliardë), BMW (41 miliardë), Honda (46 miliardë) e Volkswagen (74 miliardë). Ky moment historik është tregues i entuziazmit të madh të investitorëve për Tesla.
Nëse krahasojmë Tesla dhe Toyota, është e rëndësishme të theksojmë se, edhe pse e para ka një kapitalizim tregu më të lartë se e dyta, Tesla është ende mbrapa krahasuar me shtëpinë automobilistike japoneze në shumë parametra kryesore. Toyota prodhon ende një vëllim shumë më të madh automjetesh krahasuar me Tesla. Për shembull, në tremujorin e parë 2020, Tesla deklaroi se prodhoi rreth 103.000 automjete, ndërsa për të njëjtën periudhë, Toyota prodhoi 2,4 milionë të tilla. Toyota ka edhe një vlerë korporate më të lartë (290 miliardë dollarë), e cila merr në konsideratë borxhin, krahasuar me Tesla (252 miliardë dollarë), sipas të dhënave të FactSet.
Shtëpia automobilistike ka dërguar në vitin 2019 rreth 367.500 makina në të gjithë botën, rreth 50% më shumë krahasuar me një vit më parë.