Finalizohet blerja e kompanisë së qirasë financiare LandesLease nga Union Bank. Një proces i cili është lajmëruar dhe zyrtarisht nëpërmjet “Njoftimit paraprak të përqendrimit”, datë 21.11.2014, nga Autoriteti i Konkurrencës.
Kjo është lëvizja e parë në fushën e shkrirje-blerjeve, që formalizohet në tregun financiar shqiptar. Kjo lëvizje mendohet se nuk do të jetë e vetmja për periudhën në vijim. Transaksione të tjera priten të kryhen në tregun bankar/financiar, të cilat do të cojnë më tej konsolidimin e këtij tregu.
Union Bank ka filluar ushtrimin e aktivitetit të saj që në vitin 2006, duke u zhvilluar dhe ecur me ritme të shpejta vjetore.
Në vitin 2013, Banka raportoi në bilancin e saj të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, me rritje prej 15% në bazë vjetore. Në këtë vit, Banka rriti ndjeshëm fitimet duke i çuar në 60.4 milionë lekë, nga 11 milionë lekë një vit më parë.
Në fund të këtij 9 mujori (2014), Union Bank arriti një total aktivesh prej 33.5 miliardë lekë, duke u pozicionuar si banka e 10 më e madhe në vend për nga totali i aktiveve.
Landeslease, është kompani leasing (qira financiare) e cila operon në tregun shqiptar që prej vitit 2005. Ajo u krijua si fillim me iniciativën e disa invesitorëve vendas e më pas, në vitin 2008, në të u përfshinë dhe ata të huaj, të cilët me investimin e tyre mundësuan rritjen e mëtejshme të saj (burimi: faqja zyrtare e kompanisë.)
Aksionerët e deritanishëm të LandesLease ishin “Emerging Europe Leasing Finance (EELF) B.V” (me 72% të aksioneve) dhe disa investitorë shqiptare (burimi: QKR.)
Landeslease, aktualisht zotëron rreth 15% të tregut shqiptar të leasing, duke iu referuar vlerës së aktiveve, të nxjerra nga bilancet dhe përpunuara nga Monitor si dhe informacionit nga Banka e Shqipërisë për totalin e tregut.
Sipas faqes zyrtare të shoqërisë, ajo financon çdo vit mbi 350 automjete dhe një numër të madh klientesh të ndryshëm që kërkojnë financim pajisjesh.
Për vitin 2013, LandesLease realizoi: të ardhura nga interesi dhe komisionet rreth 200 milionë lekë; fitim 40 milionë lekë dhe Vlera e totalit të Aktiveve ishte 1.3 miliardë lekë (marrë prej të dhënave nga Bilanci i dorëzuar në QKR.)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.