Rreth 37% e familjeve shqiptare kanë një linjë interneti në shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) penetrimi i internetit në familjet shqiptare ka vazhduar të rritet edhe gjatë vitit të kaluar.
Numri i pajtimtarëve të internetit arriti në 294 mijë, në rritje me 36% krahasuar me vitin 2012. Këtu përfshihen lidhjet me brez të gjerë përmes linjave fikse dhe ato me modem USB, përmes rrjeteve celulare. Konkurrenca në rritje mes operatorëve të ofrimit të shërbimit ka sjellë zgjerim të infrastrukturës së rrjeteve fikse, duke krijuar akses në linjat e internetit për më shumë familje shqiptare.
Në zonat ku rrjetet fikse mungojnë, zgjerimi i shërbimeve 3G e ka plotësuar këtë boshllëk në një masë të konsiderueshme. Numri i pajtimtarëve që e marrin internetin në kompjuter përmes rrjetev e 3G është dyfishuar brenda një viti dhe ka arritur në 111 mijë.
Në tregun e lidhjeve fikse, “Albtelecom” kryeson me rreth 40% të numrit total të abonentëve, por vazhdon rritja e operatorëve alternativë, si “Abcom”, që zotëron afro 24% të tregut, e ndjekur nga “Abissnet” dhe “Tring”. Në shërbimet me USB Modem përmes rrjeteve të lëvizshme, “Vodafone Albania” dominon me afro 60% të numrit total të pajtimtarëve.
Një rritje mjaft të shpejtë ka regjistruar edhe përdorimi i internetit përmes aparateve celularë. Sipas AKEP, 1.2 milionë shqiptarë marrin internet 3G në celularët e tyre, me një rritje vjetore prej 88%.
Shtimi i operatorit të tretë 3G ka forcuar konkurrencën dhe ka sjellë rritje të përdorimit të shërbimit. Gjithsesi, edhe në internetin 3G përmes celularëve, “Vodafone Albania” zotëron një dominim të ndjeshëm, me rreth 51% të tregut, ndërsa “AMC” dhe “Eagle Mobile” kanë pjesë tregu afërisht të barabarta.
/Scan TV
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.