Rajoni konkurrues apo bashkëpunues? Marrëdhëniet ekonomike të deritanishme të paktën mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës kanë treguar se nuk është arritur të shfrytëzohet i gjithë potenciali. Biznesi kërkon rrëzimin e barrierave burokratike, që rëndom pengojnë bashkëpunimin mes dy anëve të kufirit, edhe në kushtet kur ekzistojnë marrëveshje ndërshtetërore
Nga Elona Bedalli
Rajoni do të mund të kishte fituar më shumë nga kriza ekonomike nëse do të kishte arritur tëshfrytëzonte si duhet avantazhet,por edhe nëse do të kishte vepruar si një i “tërë”. Të paktën, në rastin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, mundësitë janë që ato të ishin tre herë më të larta. Pengesat mes dy tregjeve herëjanë reale e herë krijohen artificialisht, edhe pse mes dy vendeve ka marrëveshje të përbashkëta. Politikëbërja në të dy anët e kufirit është e bindur se Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova duhet të shihen si tregje që plotësojnë njëra–tjetrën në vend që të konkurrojnë ashpër. Kjo ide u mëshua gjatëForumit të Biznesit dhe Investimeve Maqedoni – Shqipëri, përfshirë edhe Kosovën, ku morën pjesë rreth 200 përfaqësues nga sipërmarrja private.
Edhe edicioni i dytë u organizua nga Zyra Ndërkombëtare Invest-Macedonia, Shqipëri dhe Kosovë. Drejtuesi i kësaj zyre, Fatos Mustafa, thotë se krijimi i mundësive për ndërlidhjen/rrjetëzimin e bizneseve të tri vendeve është rruga e duhur për të rritur shkëmbimet tregtare dhe investimet. “Në vitin 2013, për herë të parë në Tiranë organizuam forumin e përbashkët të biznesit dhe investimeve. Rezultoi një përvojë e mirë, pasi dhjetëra biznese nga të dy vendet shkëmbyen përvojat dhe arritën në marrëveshje konkrete. Rezultatet e arritura gjatë këtij forumi, por edhe në vazhdimësi, puna që ka bërë Zyra Ndërkombëtare Invest-Macedonia Shqipëri dhe Kosovënë Tiranë na shtuan bindjen se tashmë ky lloj evenimenti mund të kthehet në një traditë për bizneset jo vetëm të Maqedonisë e Shqipërisë, por edhe të Kosovës dhe rajonit më tej”, thotë z. Mustafa. Sipas tij,për bizneset e të tria vendeve ka ardhur koha që të krijohen ura të forta dhe të qëndrueshme bashkëpunimi. “Ne jemi gjithmonë për bashkëpunim në sektorin ekonomik. Në çdo takim që ne zhvillojmë, promovojmë pikërisht forcimin e marrëdhënieve. Jemi tregje të vogla, por kemi shumë potenciale, kemi njerëz të kualifikuar dhe me kosto të ulët, por edhe mundësi të mira për të bërë biznes. Jemi të gatshëm për t’u hapur drejt tregjeve të tjera dhe kjo është arsyeja se përse përpiqemi që të nxisim bizneset që të krijojnë ura bashkëpunimi.
Ajo që unë ju them është shfrytëzoni mundësitë, sepse të dy tregjet tona janë shumë të ngjashme dhe shumë të hapura. Kemi shumë mundësi dhe nëse nuk gjejmë rrugët dhe mënyrat për të bashkëpunuar, atëherë do të lejojmë që kompani të mëdha, nga vende të tjera të shfrytëzojnë këto hapësira. Bizneset duhet të tregohen të vëmendshme për të kapur atë që ju ofrohet”, – thotë z.Mustafa.
Së fundmi, Shqipëria ka diskutuar me Kosovën dhe ka hartuar një strategji bashkëpunimi, e cila do të sheshojë barrierat për të krijuar një treg të përbashkët ekonomik dhe po kështu ka disa marrëveshje me Maqedoninë, që sipas biznesit duhet të zbatohen.
Koha për një treg të “unifikuar”
E ndërsa biznesi matanë dy kufijve sheh si pengesa kryesoreburokracinë, çështjet e pronësisë, sistemin fiskal, sundimin e ligjit, infrastrukturën, politika flet me gjuhën e diplomacisë.
Për Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, tashmë ka ardhur koha që të mësojmë nga përvojat e njëri-tjetrit për të krijuar një klimë biznesi sa më miqësore, ku më tepër sesa konkurrencës me njëri-tjetrin nevojitet t’i jepet rëndësi asaj midis rajonit të Ballkanit me rajonet e tjera kudo në botë. Sipas tij,tregjet modeste dhe të fragmentuara nuk mund të bëhen një atraksion i vërtetë për investitorët e mëdhenj strategjikë. “Është e rëndësishme që të kuptojmë se duhet të çlirohemi nga madhështitë tona të dikurshme, nga megalomania jonë ballkanike, se Shqipëria, në rastin tonë, Maqedonia, Kosova apo Serbia në rastin tjetër, është vendi më interesant në botë për të investuar dhe nuk ka asnjë vend tjetër. Ndërkohë që investitorët i urrejnë burokracitë dhe kanë si qëllim kryesor sigurinë ligjore dhe garancitë për një fitim sa më të shpejtë dhe të qëndrueshëm”, tha z. Meta. Sipas kreut të Kuvendit, pas sfidës së rikthimit të besimit te financat publike, ku marrëveshja me FMN-në vlerësohet se ka luajtur rol vendimtar, Shqipëria do të ecë edhe më shpejt me reformat për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të investimeve si garancia më e sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm.
Ndërsa për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmeti, intensifikimi i bashkëpunimit, heqja e barrierave tregtare, ekonomike, politike, historike e kulturore janë të domosdoshme. “Diversiteti i hapësirës së përbashkët ballkanike ështënjë vlerë e shtuar, një avantazh nga i cili përfitojmë të gjithë.Asnjë vend nuk mund të ketë sukses më vete; zhvillimi i rajonit si një i tërë dhe çdo vendi si pjesë e integruar e tij, mund të garantohet vetëm përmes projekteve të dimensionit rajonal. Ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar në këtë drejtim: prioritetet tona strategjike konvertojnë në shumë fusha si transporti, energjia, infrastruktura, turizmi, agro-industria, industria tekstile etj. Tanimë ekziston edhe vullneti politik i të gjithëve ne për t’i avancuar këto projekte në investime konkrete dhe të afërta.Ekonomia shqiptare ka hyrë në një kapitull të ri të zhvillimit të saj”, tha ministri Ahmeti.
Sipas tij, ekonomia shqiptare tashmë ka shpëtuar nga “rrëshqitja” dhe sfida e radhësështë arritja e qëndrueshmërisë. “Modeli i ri i rritjes ekonomike, ështëpërgjigjja jonë e mirëmenduar në këtë drejtim. Reformat strukturore në sektorët prioritarë do të jenëplatforma më e mirë e zhvillimit në vitet e ardhshme dhe instrumenti i duhur që do të mundësojë arritjen e objektivit tonë për rritje të niveleve 5-6%. Kjo do të duhet të vijë nga zëvendësimi i importeve,duke promovuar eksportet e vendit dhe të rajonit”, tha ministri Ahmetaj. Ai lajmëroi se sëshpejti, Këshilli Kombëtar i Investimeve do të mundësojë adresimin e çështjeve të lidhura me investitorët e huaj dhe të vendit pranë qeverisë.
Për politikanët shqiptarë, përvoja e Maqedonisëme zonat industriale, mund të kthehet në një model që mund të “përqafohet”.E në faktshfrytëzimi i zonave të lira ekonomike mes shteteve të rajonit është nënivel shumë të ulët.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave shkon edhe më tej kur thotë se shfrytëzimi i avantazheve konkurruese mes vendeve janë një mundësi e mirë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe forcimin e bashkëpunimit.
“Bujqësia shqiptare ka avantazhe konkurruese. Ne importojmë nga Maqedonia, vajra vegjetarianë, maja dhe kjo është normale, ndërsa eksportojmë perime të freskëta, bimë mjekësore dhe sfida është që ne të orientohemi drejt këtyre zhvillimeve.Të dyja vendet eksportojnë dhe importojnë ujëra minerale. Duhet të ketë një rakordim më tëmirë që të kemi orientim më të mirë në drejtim të eksporteve apo importeve. Por, ajo që ka rëndësijanë marrëveshjet që kemi arritur mes dy vendeve për të nxitur bashkëpunimin. Nuk duhet të shtrohen pengesa siç ka ndodhur ndonjëherë. Ne kemi mundësi shumë të mëdha për të dyfishuar shkëmbimet tregtare. Nuk mund të mbetemi në shifrat që na rezultojnë dhe dy vendet të mos jenë antagonistë në shkëmbimet tregtare”, – tha ministri Panariti.
Shqipëria dhe Maqedonia bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të marrëveshjes CEFTA 2006 dhe që nga viti 2011, tregtia mes dy vendeve është liberalizuar dhe operohet pa tarifa doganore. Kombinimi i heqjes së tarifave doganore me eliminimin e barrierave jotarifore dhe administrative janë një mbështetje e mirë për biznesin, për të ulur kostot e transaksionit dhe për të përballuar presionet e tregut. Për të gjithë vendet e rajonit, në veçanti për zonën e Ballkanit Perëndimor, krijimi i një industrie konkurruese është sfida e procesit të integrimit.
Peshën më të madhe të investimeve maqedonase në Shqipëri e zënë ato në sektorin e ndërtimit, infrastrukturës, transportit, shërbimeve, tregtisë me pakicë dhe shumicë, si dhe ato të industrisë përpunuese ushqimore. Numri i ndërmarrjeve maqedonasenë Shqipëri llogaritet në rreth 140.
INTERVISTA
Biznesi të kapë kohën e duhur
Flet Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të MaqedonisëPerëndimore
Cili është vlerësimi juaj në lidhje me marrëdhëniet ekonomike mes Maqedonisë dhe Shqipërisë?
Edhe pse dy vendet tona kanë një klimëpozitive politike, nivelii shkëmbimit të mallrave nuk është i kënaqshëm.Deficiti tregtar i Maqedonisë me Shqipërinëështë në nivelin 70 milionë dollarë ose në raport 2 me 1. Një gjë e ngjashme ndodh edhe me Kosovën. Unë mendoj se në aspektin rajonal nuk shfrytëzohet ky potencial, qoftë në aspektin e konsumatorit dhe të prodhuesit. Sipas vlerësimeve të bëra nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore,potenciali ekonomik që shfrytëzohet nga rajoni deri më sot vlerësohetnë 10% dhe pjesa më e madhe mbetet e pambuluar dhe situata duhet të ndryshojëme anë të politikave pro biznesit. Ne nuk mund të kemi Europën si destinacion, pa u përgatitur brenda rajonit.
Qeveria e re shqiptare e ka ndryshuar sistemin e taksave dhe në disa prej tyre,Maqedonia ka avantazh, a mendoni se e step kjo biznesinmaqedonas?
Politikat e të dyja vendeve kanë nisur të jenë në rezonancë dhe kjo është pozitive. Kjo gjë duhet të ndodhë edhe me ekonominë. Në këtë drejtim nuk mund tëbëhet shumë nga ana e qeverive, por biznesi duhet që me anë të formave të organizimit t’i tregojë kahun legjislativit (infrastruktura ligjore) se nga duhet të shkojë. Përveç kësaj,qeveritë duhet të përmirësojnë edhe infrastrukturën rrugore dhe atë energjetike. Pa këto parametra, nuk mund të flitet për finalizim të synimit për të krijuar një treg të njehsuar rajonal.
Mes dy vendeve jo vetëm shkëmbimet tregtare, por edhe investimet janë të ulëta, si mund tërriten dhe cilët janë sektorët që kanë më shumëpotencial?
Është qeveria ajo që duhet t’i sigurojë disa parakushte biznesit. Në Maqedoni,aspekti i sigurisëështë i diskutueshëm, pasi ende nuk ështëanëtarësuar në NATO, në Shqipëri një problem i rëndësishëm është ai i hipotekimit dhe i pronësisë,pasi kjo është një bazë për ndërtimin e një biznesi. Më pas kemi të bëjmëme një ligj që pritet të miratohet në rajon, sepse asnjë vend nuk e ka dhe ai ka të bëjë me mbrojtjen e investitorit, përfshi këtu edhe Maqedoninë, e cila e proklamon, por nuk e ka. Nuk flasim këtu vetëm për investitorët e huaj, por edhe ata vendas,të cilët natyrisht kanë nevojë të ndihen të mbrojtur. Kjo është një masë që duhet të merret në mënyrë taksative dhe të detyrueshme.
Si e vlerësoni rolin e faktorit shqiptar në rajon nëlobimin për rritjen e bashkëpunimit ekonomik?
Kur fola për potenciale të pashfrytëzuara, ato janë burimet njerëzore që ka jo vetëm Shqipëria, por edhe etnitetet shqiptare në rajon. Këta janë “ambasadorët e papaguar” të këtij shteti, që ndoshta e duan më shumë se vetë shqiptarët. Ndaj duhet qëky potencial tëshfrytëzohet, jo vetëm gjatë ngjarjeve festive, por të mendojmë sesi të bashkuar të shkojmë drejt Europës.
A i ka favorizuar kriza ekonomike, veçanërisht në Greqi, dy vendet tona dhe si janë përdorur avantazhet?
Ne shpesh jemi sjellë në mënyrë indiferente, duke bërë sikur nuk ndodh asgjë rreth nesh. Nuk kemi qenë të gatshëm qëtë shfrytëzojmë avantazhet. Ne si përfaqësi biznesesh kemi konstatuar se koha e krizës është më favorshme për vendet e vogla dhe të guximshme. Duhet të tregohemi të guximshëm dhe pastaj të shohim rezultatet. Një shans i tillë ende ekziston dhe nuk është vonë për t’u shfrytëzuar, edhe pse kemi paralajmërim se po dilet nga kriza. Një tjetër element dhe në këtë rast i referohem Maqedonisë, është kriza e brendshme dhe ne si Odë Ekonomike i patëm propozuar qeverisë sonë disa masa që nuk u përqafuan menjëherë. Kjo kishte të bënte me detyrimin e qeverisë për të shlyer detyrimet dhe likuidimet. Një fenomen i tillë ndodh edhe në Shqipëri. Nëse nga njëra anë bëjmëçmos që të nxisim eksportet dhe të tërheqim investitorët, nga ana tjetër, i pengojmë duke mos i kthyer TVSH-në. Ky është një qëndrim që duhet të ndryshojë dhe të merren masa që biznesi të shlyhet në kohë. Nga ana e shtetit maqedonas, kjo u bë e mundur vitin e kaluar dhe po vazhdon të respektohet.
Infrastruktura detare dhe ajo tokësore janë shumë të rëndësishme në rritjen e komunikimit ekonomik mes dy vendeve, a po shfrytëzohet Porti i Durrësit nga biznesi maqedonas dhe si pritet të ndryshojë kjo qasje me ndërtimin e autostradës së Kërçovës?
Perspektiva e biznesit rajonal nuk ështëvetëmPorti i Durrësit, por edhe ai i Vlorës i cili mundëson kapacitete më të mëdha për prurjen e mallrave, por do të duhet të përmirësohen kapacitetet e përpunimit. Gjithashtu jemi duke punuar për përmirësimin e infrastrukturës. Distancat janë të vogla, por koha për të mbërritur deri te këto porte është e gjatë. Autostrada e Kërçovës duhet të ishte prej kohësh një pikë reference për qeverinë e Maqedonisë, sepse kështu do të arrihej që të thitheshin më shumëpara, jo vetëm nga Shqipëria, por nga edhe Bashkimi Europian.E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “autostradën” energjetike, kryesisht për gazin natyror që do t’i shërbente shumë rajonit edhe në reduktimin e kostove. Tregu europian ka kosto më të ulëta sesa ai ballkanik kur është në pyetje energjia, e cila përbën edhe një të tretën e kostove të produkteve.
Cila do të ishte, sipas jush, një këshillë e vlefshme për qeveritë dhe biznesin e të dy vendeve?
Qeveritë duhet të krijojnë një klimë të besueshme dhe të qëndrueshme jo vetëm propaganduese. Këtë e kemi bërë me anë të disa forumeve që janë organizuardhe tani është koha që të kalojmë në vepra. Të mos harrojmë që duhet t’i vihet më shumë theksi infrastrukturës që mungon në këtë rajon.
———-
Orientimi
Politikat e të dyja vendeve ka nisur të jetë në rezonancë dhe kjo është pozitive. Një gjë e tillë duhet të ndodhë edhe me ekonominë. Në këtë drejtim nuk mund të bëhet shumë nga ana e qeverive, por biznesi duhet që, me anë të formave të organizimit, t’i tregojë kahun legjislativit (infrastruktura ligjore) se nga duhet të shkojë.
Avantazhet e Maqedonisë
Në vitin 2013, Maqedonia llogariti mbi 209 milionë euro investime të huaja, ndërsa parashikon që për vitin 2014 ta çojë nivelin në mbi 300 milionë euro.
Maqedonia mbetet një destinacion tërheqës për bizneset, duke ofruar kushte të favorshme për investitorët, ku më të rëndësishmet janë: qasja e lirë në treg, tatimet e ulëta, pozita gjeostrategjike, infrastruktura dhe prania e fuqisë punëtore të kualifikuar. Vendi ka reduktuar kostot e biznesit dhe kemi krijuar një konkurrencë më të mirë. Këto kanë bërë që Maqedonia të jetë tërheqëse për investitorët e huaj. Janë ndërmarrë reforma ligjore për të lehtësuar hyrjen e investitorëve të huaj. Një investitor i huaj mund të regjistrojë kompaninë e tij në Maqedoni për më pak se katër orë. Aspektet e tjera të rëndësishme janë edhe ofrimi për blerjen e tokave, por edhe qiradhënie me afat deri në 99 vjet, të gjitha këto me çmime shumë të ulëta. Kompanive të huaja iu ofrohet ndihmë edhe në aspektin e ndërtimit, siç është një subvencion prej 500 mijë eurosh.
Tregtia e jashtme Kosovë – Maqedoni
Viti 2013
Importi 12.9 milionë euro
Eksporti 1.3 milionë euro
Maqedonia në tregtinë e jashtme të Kosovës zë 8.7% të eksporteve dhe 5.8% të importeve
Tregtia e jashtme Maqedoni – Kosovë
Viti 2012
Importi 28.5 milionë euro
Eksporti392 milionë euro
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.