Shqipëria ka aktualisht nivelin më të lartë të kredive me probleme (hua jo performuese- NPL) në të gjithë Europën Qendrore e Lindore.
Të dhënat bëhen të ditura në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Europën Qendrore Lindore dhe Juglindore.
Me një nivel të huave të pakthyera në afat që janë afërsisht sa 25% e totalit të kredive, Shqipëria kryeson, e ndjekur nga Rumania dhe Serbia, që e kanë këtë tregues në rreth 20-21% (shiko grafikun).
Kërcimi për Shqipërinë ka qenë mjaft i lartë, nga rreth 6% që ishte niveli i NPL-ve përpara krizës së 2008-s. Vendi e ka aktualisht këtë tregues rreth 10 pikë përqindjeje më të lartë se mesatarja e rajonit.
Sipas raportit të FMN-së, niveli i NPL-ve është rritur me shpejtësi në shumë vende, që kur filloi kriza dhe tani ai është mesatarisht 14% për rajonin. Rritja e NPL-ve erdhi pas një zgjerimi shumë të fortë të kredidhënies në periudhën 2003–08, që u ndërpre nëë mënyrë të papritur me krizën financiare globale 2008/09.
Sipas disa gjetejeve të një grupi pune të Nismës së Vjenës për huatë e pakthyera në afat, një rritje me 10 pikë përqindje e NPL-ve redukton rritjen e huave me 4%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.