Shqiptarët duket se po kthejnë kokën nga arsimi profesional, si një mundësi më shumë për punësimin. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë bëjnë të ditur se me fillimin e vitit të ri shkollor janë rreth 6,000 nxënës që kanë preferuar të profilizohen ose rreth 40% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Po sipas burimeve të ministrisë gjatë tremujorit të dytë të 2014-ës rreth 63% e atyre që ndoqën një shkollë profesionale arritën të gjejnë më lehtë punë në krahasim me ata që preferuan arsimimin e përgjithshëm. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë vizitës së tij në shkollën e mesme profesionale Teknike-Ekonomike, i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministri, Niko Peleshi tha se :” Kjo do të thotë mundësitë e punësimit për ata që mbarojnë një shkollë profesionale me ata që mbarojnë shkollën e lartë, janë thuajse të njëjta. Ndërkohë, për ata që mbarojnë gjimnazin e përgjithshëm mundësitë zbresin në 40 për qind. Pra, ai që ka mbaruar një shkollë profesionale është më i punësueshëm se ai me gjimnaz të përgjithshëm”.
Nga ana tjetër, ai vuri në dukje se në sistemin e arsimit profesional po ndryshojnë disa gjëra, duke nisur nga krijimi i bordeve të shkollës, të cilat në përbërje të tyre do të kenë jo vetëm mësuesit dhe prindërit, por edhe përfaqësues të biznesit. “Në ato shkolla ku është i pranishëm biznesi dhe ku nxënësit i bëjnë praktikat pranë biznesit, gjasat për punësim rriten në mënyrë eksponenciale”, tha z. Veliaj, duke falenderuar Presidentin e “Biznes Albania”, z. Luan Bregasi, për ndihmën që do të japë për praktikat e nxënësve të shkollës Teknike-Ekonomike.
Sipas modelit dual gjerman, i cili po zbatohet në shkollat tona profesionale, nxënësit do ta kalojnë 1/3 e mësimit të tyre duke bërë praktikën në bizneset e fushës ku studiojnë.
.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.