Bankat tregtare në vend dhanë sinjale të qarta sot se do të vijojnë të mbajnë të ngurta politikat e kreditimit, teksa po i orientojnë paratë e lira drejt alternativave pa risk të financimit. Në ankandin e fundit të obligacioneve 7-vjeçare, ato ofruan trefishin e shumës që kërkoi qeveria për financimin e një obligacioni shtatëvjeçar.
Për pasojë interesi i obligacionit ra me 0.74 pikë përqindje në krahasim me ankandin paraardhës që është bërë dhjetor të vitit të kaluar. Në ankandin e sotëm interesi zbriti në 5.24%, nga 5.98 në ankandin e mëparshëm të zhvilluar në dhjetor.
Siç shihet nga të dhënat e ankandit, qeveria kërkoi një financim prej 2.5 miliardë lekësh, ndërsa bankat ofruan 6.4 miliardë lekë.
Në kushtet kur kredia po vuan nga moskthim i lartë dhe sektori i korporatave është i mbikredituar, bankat janë gjendur me mundësi të kufizuara për të investuar likuiditetet e tyre. Prandaj, blerja e borxhit të qeverisë po shihet si burimi më i mirë i investimit, për shkak të kostove të ulëta dhe riskut zero.
Të dhënat e djeshme të Bankës së Shqipërisë treguan se stoku i huasë për ekonominë u ul, në fund të dhjetorit, ishte 546.7 miliardë lekë, nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Negativisht këtu ka ndikuar dhe fshirja e huave, një proces që intensifikohet gjithnjë në muajt e fundit të vitit. Rënia më e madhe e stokut ishte në dhjetor me 5.6 miliardë lekë. Janari ka vijuar me tkurrje, teksa stoku ka zbritur në 545 miliardë lekë.
Teksa ekonomia e vendit prej vitesh po vuan pasojat e moskreditimit, duket se qeveria ka qenë përfituese në këto zhvillime. Afatet e maturimit të borxhit të brendshëm janë rritur ndjeshëm dhe interesat kanë rënë. Duke ndjekur këtë trend, Ministria e Financave ka rritur ndjeshëm emetimet e borxhit të brendshëm në instrumente afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.