Vetëm dy muaj pas parashikimit të fundit për ekonominë bullgare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, publikoi një vlerësim të ri edhe më pesimist.
Sipas saj, në vitin 2022, rritja e ekonomisë bullgare do të ulet në 2.5% të PBB-së, ndërsa në nëntor të vitit 2021, pritshmëritë ishin pothuajse dy herë më optimiste (+ 4.4%) dhe madje edhe në mars, pas sulmit rus në Ukrainë, banka parashikonte një rritje prej 2.8%.
Kjo është pothuajse një rënie e dyfishtë në krahasim me rezultatin e vitit të kaluar (+ 4,2%) dhe 0,6% më e ulët se parashikimi i marsit.
Gazi rus tashmë është ndërprerë për Bullgarinë, por nëse Moska vendos që të ndalë furnizimet edhe për gjithë Europën, prodhimi për frymë në 40 vendet ku operon BERZH, do të ulet me 2.3% këtë vit dhe 2% vitin e ardhshëm.
Kjo do të thotë se do të duhen edhe disa tremujorë për të kapur ritmin e zhvillimit ekonomik para pandemisë.
Rusia nuk e ka ndalur luftën në Ukrainë dhe për këtë arsye, në vetëm 8 javë, banka ka ndryshuar në mënyrë drastike pritshmëritë për ndikimin në ekonominë e Ukrainës – nga një tkurrje prej 20%, në një tkurrje prej 30% në bazë vjetore.
Si do të zhvillohej, sipas BERZH-it, skenari sipas të cilit, Rusia ndalon furnizimet me gaz për të gjithë Europën, përpara afatit.
Agresori do të paguajë gjithashtu një çmim të lartë – një recesion prej 10% tani dhe ndalim të rritjes ekonomike vitin e ardhshëm.
“Nëntë vite rritje ekonomike do të eliminohen”, tha për “Reuters”, kryeekonomistja e BERZH-it, Beata Javorcik. Dhe ky është vetëm fillimi, sepse efekti i sanksioneve do të ndihet në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. “Rusia është e shkëputur nga burimet globale të njohurive dhe ky është çmimi më i lartë që do të paguajë”, tha ajo.
“Rikthimi i çmimeve të larta”, – titullohet parashikimi i bankës dhe ilustron qartë problemin kryesor – rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Inflacioni do të jetë një problem veçanërisht serioz për ekonomitë e Maqedonisë së Veriut, Egjiptit, Marokut dhe Jordanisë, ku ushqimi zë më shumë se 25% të indeksit të çmimeve.
Në të gjithë rajonin, nga Azia Qendrore në Marok, inflacioni mesatar në muajin mars, arriti në 11.9%, niveli më i lartë që nga fundi i vitit 2008.
Për Bullgarinë, thuhet se përveç varësisë nga importet ruse (pothuajse 10% e PBB-së në vitin 2020), efekti i luftës do të ndihet në çmime dhe konsumatorët bullgarë do të preken më shumë se partnerët tanë në BE, për shkak se të ardhurat janë më të ulëta.
“Duke pasur parasysh nivelin e ulët të borxhit publik, qeveria ka një hapësirë fiskale për të miratuar disa masa afatshkurtra për të luftuar inflacionin.
Kabineti premton të rrisë investimet publike, megjithëse mund të ketë kapacitete të kufizuara për t’i absorbuar ato në një plan afatshkurtër”, thuhet në raport. “Pas vonesës me Planin e Rimëkëmbjes, rritja e financimit të BE-së, do të ketë ndikim në ekonomi nga viti 2023 e në vazhdim”.
Shtohen pikëpamjet negative ekonomike në Bullgari
Pesimizmi i konsumatorëve bullgarë u rrit në prill, tregojnë statistikat. Besimi është ulur me 4.9 pikë që nga fillimi i vitit, sipas një studimi të Institutit Kombëtar të Statistikave.
Bullgarët theksojnë se në 12 muajt e fundit, ka pasur rritje të çmimeve të konsumit, të cilat rrisin pritshmëritë inflacioniste për 12 muajt e ardhshëm. Situata ekonomike në vend është vlerësuar si e pafavorshme për kursime.
Njerëzit gjithashtu kanë prirjen që të shtyjnë për më vonë blerjen e mallrave të qëndrueshme, si një shtëpi. Shumica e të anketuarve nuk presin një rritje të mprehtë të papunësisë.
Paparashikueshmëria në sferën e energjisë ka efekt të dëmshëm në ekonominë bullgare. “Për momentin, askush nuk e di se sa është çmimi i gazit natyror”, tha për BNR Dobri Mitrev, kryetari i Shoqatës Bullgare Industriale, duke shtuar se situata e biznesit bullgar ishte “e dëshpëruar”.
“Askush në industri nuk e di sa është çmimi i energjisë elektrike për muajin maj, askush nuk e di sa do të jetë çmimi i gazit natyror. Çmimi i materialeve rritet çdo ditë, madje çdo orë. Kjo pasiguri dhe mungesa e angazhimeve të qarta nga shteti, prek punonjësit, mallrat dhe shërbimet, ndërsa populli bullgar bëhet gjithnjë e më i varfër”.