Athina dhe Lisbona, qytetet më ekonomike në Europë për të kaluar një fundjavë
Athina dhe Lisbona ofrojnë raportin më të mirë cilësi – çmim për një fundjavë pushimesh në vjeshtë në Europë, sipas një raporti të përvitshëm të Post Office Travel Money.
Për herë të parë në 15 vjet, qytetet e Europës Perëndimore mundin ato të Europës Lindore në analizën e 20 destinacioneve kryesore turistike.
Një fundjavë pushimi në Athinë kushton mesatarisht 240 euro, 15% më pak krahasuar me vitin e kaluar dhe gjysma krahasuar me Parisin, ku çmimet janë rritur me 25%.
Pavarësisht rritjes së çmimeve, kryeqyteti francez mbetet zgjedhja e parë për 25% të udhëtarëve.
Edhe pse çmimet mesatare të hoteleve janë rritur në mënyrë të ndjeshme në Lisbonë (nga 43 euro një natë në shtator 2021, në 67 euro këtë vit), Lisbona renditet e dyta për nga vlera.
Renditja vijon me Krakovin, Rigën, Budapestin e Pragën, ndjekur nga Madridi, Berlini, Dubrovniku dhe Roma. Kjo është hera e parë që Madridi, Berlini dhe Roma shfaqen në top 10.
Cilat janë qytetet europiane më të kushtueshme për t’u vizituar?
Sipas studimit, Amsterdami dhe Venecia janë qytetet më të kushtueshme që mund të vizitoni. Rritja e kostove të akomodimit, për shkak të mungesës së shtretërve, ka ndikuar në shtrenjtimin e çmimeve në këto qytete.
Kostot e akomodimit janë rritur me 20% në 15 nga 20 qytetet e analizuara, por në Amsterdam, Barcelonë dhe Paris ato shënuan rritje të mprehtë, me përkatësisht 104%, 67% dhe 62%.
Megjithatë kostoja e të ngrënit në restorante ka rënë në gjysmën e qyteteve të analizuara. Një vakt për dy persona në Athinë është mesatarisht më ekonomiku (45 euro), krahasuar me 162 euro në Stokholm, më i shtrenjti.
Përvojat kulturore në Dubrovnik janë më të kushtueshmet, ku vizitat në muze, galeri dhe site kulturore kushtojnë 66 euro.
Studimi merr në konsideratë koston e përgjithshme të një udhëtimi, duke përfshirë pijet, një vakt me tre pjata për dy persona, me një verë në shishe, akomodimin në një hotel me tre yje për dy netët e fundjavës, vizitat turistike dhe transportin urban.
Renditja e plotë
- Athinë
- Lisbonë
- Krakov
- Rigë
- Budapest
- Pragë
- Madrid
- Berlin
- Dubrovnik
- Romë
- Barcelonë
- Bruges
- Firence
- Vjenë
- Stokholm
- Paris
- Dublin
- Kopenhagën
- Venecia
- Amsterdam
/ Euronews