City Park, një nga qendrat më të mëdha tregtare në vend,është nxjerrë në shitje në ankand nga përmbaruesit për 24.5 milionë euro.Vlera minimale e caktuar për shitje është tre herë më e ulët se vlerësimi i pasurisë në bilancin e kompanisë dhe pothuajse e barabartë me shumën që qendrau detyrohet bankave tregtare. Bilanci zhgënjyes i kompanisë dhe modeli që nuk funksionoi
Nga Ornela Liperi
Nxjerrja në shitje nga përmbaruesit e City Park shënoi rënien e parë të madhe të një prej investimeve më të rëndësishme në fushën e qendrave tregtare, që arriti të mbijetonte në treg vetëm për njëperiudhë 6-vjeçare.
Shoqëria e përmbarimit, Executores Litium, ka publikuar shitjen e dy objekteve me një sipërfaqe totale 43,121 metra katrorë dhe e truallit dhe arës me sipërfaqetotale prej rreth 90 mijë metra katrorë. Ankandi do të zhvillohet më 4 mars. Çmimi fillestar për shitjen e kësaj qendre tregtare nis me 24.48 milionë euro.
City Park u hap në fund të vitit 2009 dhe sipas deklarimeve të drejtuesve të saj në atë kohë, investimi total pritej të arrinte në 130 milionë euro. Një pjesë e këtij investimi u mbulua nëpërmjet kredive tëdhëna nga bankat.
Përveçse hapja e City Park përkoi me krizën ekonomike në vend, që u shoqërua me tkurrje të ndjeshme të konsumit në periudhën 2010 e në vazhdim, kjo qendër shënjestroi klientelën relativisht të pasur, duke hapur fillimisht dyqane relativisht të shtrenjta, një strategji kjo që nuk ka rezultuar e suksesshme në Shqipëri. City Park e ndryshoi tregun e synuar, duke shënjestruar dhe tregun e mesëm dhe të ulët, por ndërkohë konkurrenca është shtuar, me hapjen e qendrës tjetër tregtare TEG, në fund të vitit 2011.
Me konkurrencën që u shtua, City Park nuk arriti të rrisë të ardhurat nga qiratë, ndërsa humbjet ishin të larta, çka bëri që bilanci i saj të përkeqësohej vitet e fundit dhe qendra filloi të kishte probleme me kreditorët (kryesisht bankat).
Sipas të dhënave nga QKR, gjatë vitit 2014, në derën e qendrës nuk kanë pushuar përmbaruesit, (E.P.S.A, Bailliff Services Albania, Justitia, Kodra Bailiff Service etj.) që gati çdo muaj kanë kryer regjistrime të ndryshme pranë kompanisë.
Sipas faqes zyrtare të internetit, City Park ka një sipërfaqe totale 237 mijë metra katrorë dhe më shumë se 180 dyqane dhe vende argëtimi. Të dhënat e Colliers International bëjnë të ditur se sipërfaqja që jepet me qira e City Park është rreth 40 mijë metra katrorë, e dyta më e madhe në vend pas TEG, që kryeson me 42 mijë metra katrorë.
Rënia që filloi në 2011-n
Pas një fillimi relativisht të mbarë, City Parkshënoi ecuri mjaft negative në vitin 2011, duke ndier pasojat e krizës së konsumit në vend. Sipas të dhënave nga tatimet, xhiro e kompanisë në vitin 2011 arriti në rreth 624 milionë lekë, në përgjysmimin nga qarkullimi vjetor prej 1.3 miliardë lekëshqë realizoi në vitin 2010. Edhe humbjet e kompanisë janë shtuar ndjeshëm, nga 28 milionë lekë në 2010-n në 283 milionë lekë në 2011-n.
Në vitin 2012, qarkullimi vjetor vijoi rënien, por me ritme më të ulëta, duke arritur në 605 milionë lekë. Qendra arriti të regjistronte fitime, kryesisht si rrjedhojë e të ardhurave të larta financiare.
Për vitin 2013, kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 450 milionë lekësh, me një rënie me rreth 25% me bazë vjetore. Kompania rezultoi me një humbje prej 165 milionë lekësh, nga fitimi prej 278 milionë lekësh i vitit të mëparshëm. Humbjet erdhën tërësisht si rrjedhojë e tkurrjes së të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet arritën të mbaheshin nën kontroll. (shiko tabelën:Pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, City Park)
Të ardhurat nga qiratë përbënin 52% të totalit, në 2013-n. Nga qiratë u siguruan 18% më pak të ardhura se një vit më parë, për shkak të uljes së tarifës së tyre. Zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura është ai i tarifave të shërbimit me 26% të totalit.
Detyrimi ndaj bankave rreth 26 milionë euro
Sipas detajimeve në bilanc, huamarrjet nga bankat janë rreth 3.6 miliardë lekë, apo gati 26 milionë euro, qëështë pothuajse e barabartë me shumën minimale të ankandit të shpallur nga përmbarimi. “Kreditë afatgjata të marra nga banka janë nëproces ristrukturimi, pasi kanë skaduar kontratat fillestare”, – thuhet në bilanc. Banka më e ekspozuar është Tirana Bank, kredia e dhënë prej së cilës zë 66% të totalit të huas dhënë City Park. E dyta është Raiffeisen, me 22% të totalit.
Prej disa kohësh, City Park ishte marrë në menaxhim nga kreditorët e saj, që gjithsesi nuk ia dolën të vinin në rrugë të mbarë një nga investimet më të mëdha në vend nësegmentin e qendrave tregtare.
City Park i filluan telashet me kreditorët që në mes të vitit 2011, kur Banka Credins urdhëroi vendosjen e sekuestros konservative me objekt moskthim kredie. Pasi qendra ka arritur të lirojë pak kohë më vonë sekuestron, përmbaruesit janë kthyer sërish gjatë gjithë vitit 2013 dhe 2014.
Qendra ka një detyrim si hua afatgjatë dhe ndaj ortakëve të shoqërisë, prej rreth 249 milionë lekësh, pjesa kryesore e të cilave ndaj Avni Ponarit, si dhe një hua prej 812 milionë lekësh ndaj Dekës dhe Olim, sipas bilancit të vitit 2013 të kompanisë.
Çmimi minimal i shitjes tre herë më i ulët se vlera e tokës e ndërtesës në bilanc
Në total, në bilanc, toka dhe ndërtesa e City Park vlerësohen me rreth 70 milionë euro, gati tri herë më e lartë se shuma minimale që do të dalë për shitje në ankand (shiko tabelën Bilanci i City Park 2013).
Vlera e tokës dhe e ndërtesës u rrit ndjeshëm rreth tre vjet më parë. Në vitin 2012, me vendim të asamblesësë Ortakëve, është miratuar raporti i vlerësimit të aseteve, bërë nga Ing. Silvana Abazi. Në bazë të këtij vendimi, vlera e tokës u dyfishua, nga rreth 254 milionë lekë, në rreth444 milionë lekë. Por, rivlerësimin më të ndjeshëm e shënoi ndërtesa, vlera e së cilës në bilancin e vitit 2012 u rrit në 9.95 miliardë lekë, nga 3.87 miliardë lekë në 2011. Sipas shënimeve në bilancin e vitit 2012, diferencat, rritja në vlerë e tokës dhe ndërtesës është kaluar direkt në Kapitalin e Shoqërisë në zërin Teprica nga Rivlerësimi.
Aksioneret
Sipas ekstraktit të QKR-së, aksioneri kryesor i City Park është Artan Mene me 62% të aksioneve. Idyti është Avni Ponari, me 21% të totalit, të ndjekur nga Bedri Rryta, Eduart Ibrahimi dhe Aleksandër Pilo me nga 5% secili dhe Arian Mene me 2%.
Qendrat tregtare, investimet nuk ndalen
Përvoja e “hidhur” e kolegëve të tyre nuk i step investitorët e rinj
Me dy komplekse të reja tregtare që pritet të bëhen funksionale brenda dy viteve të ardhshme, Tirana Ring Center dhe Toptani Complex Center, sipërfaqja që jepet me qira në qendrat në Shqipëri pritet të rritet me rreth 20%, duke arritur mbi 230 mijë metra katrorë, sipas të dhënave nga Colliers International.
Kjo do ta çojë treguesin e përqendrimit të qendrave në rreth 80 m2 për 1000 banorë, nga 67 m2 për 1000 banorë, që është sot. Ndonëse ky indikator është i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit (mesatarja e Europës Qendrore është 209 m2 për 1000 banorë, sipas Europa Property), përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës e Durrësit, ku jetojnë më se një e treta e popullsisë së vendit rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit. Vetëm për zonën e Tiranës e Durrësit, treguesi shkon në rreth 200 m2 për 1000 banorë, sa në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e lartë.
Në kushtet e bilanceve ende jopozitive të qendrave ekzistuese, që nuk po arrijnë të rrisin të ardhurat, fillimit të falimentit të tyre dhe rënies së besimit të duket se ardhja në treg e qendrave të reja nuk do të jetë e lehtë.
Sipas bilanceve të dorëzuara në vitin 2013, TEG, qendra më e madhe në vend, në vitin e dytë të plotë të aktivitetit, ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 824 milionë lekësh (gati 6 milionë euro), me një tkurrje prej rreth 7% në raport me vitin e mëparshëm. Qendra vijon të jetë ende me humbje, por ato janë reduktuar në 71 milionë lekë (para taksave) në 2013, nga 125 milionë lekë në vitin e mëparshëm. Situata është përmirësuar në 2014-n, pasi në këtë qendër, hyri grupi Inditex me markat e veta Zara, Bershka, Massimo Dutti, Pull&Bear. TEG segmenton klientët e mesëm dhe ata që kërkojnë çmime të lira.
Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur Qendra Tregtare Univers (QTU) u hap në periferi të kryeqytetit.
Në fund të 2014-s, në total, qendrat tregtare në Shqipëri kishin një total sipërfaqeje bruto për t’u dhënë me qira prej 194,000 m2, 82% e të cilave është në Tiranë.
Vetëm në Tiranë aktualisht ka 12 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi të kryeqytetit.
Në afatin e shkurtër priten të vijnë së shpejti në treg në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm komplekse të tjera shumëfunksionale, që do të rrisin hapësirën e tregtare në Tiranë, konkretisht Tirana Ring Center dhe Toptani Piazza.
Toptani Piazza, qendra multifunksionale në rrugën “Abdi Toptani” është e vendosur në qendër të Tiranës, me një strukturë prej 60.000 m2, nga të cilat rreth 13.000 metra katrorë janë dyqane dhe rreth 17.000 metra zyra, sipas burimeve zyrtare. Është një investim i kompanisë Gener 2, ndër të tjera ndërtuesi dhe menaxhuesi i Abba Center.
Tirana Ring Center është e vendosur vetëm 500 metra nga qendra e qytetit (Sheshi Skënderbej), para sheshit Rond në Zog të Zi dhe pritet të bëhet funksionale së shpejti. Është një projekt i madh, i realizuar në tre vjetët e fundit dhe zë një sipërfaqe më shumë se 55.000 m², sipas burimeve zyrtare të kompanisë. Tirana Ring Center përfshin një qendër tregtare, rreth 24,000 m² ambiente për zyra, një hotel, bare, restorante dhe apartamente banimi.
Investimi është i shoqërisë MSA Konstruksion sh.p.k., me seli qendrore në Kurbin dhe një xhiro prej 387 milionë lekësh në vitin 2013, sipas bilancit të dorëzuar në QKR.
Ndërkaq po ndërtohet edhe një qendër biznesi në periferi të Tiranës, Tirana Business Park, me një sipërfaqe rreth 210 000 m2.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.