Me projektligjin e ri për taksimin e pasurive të paluajtshme rriten detyrimet e taksës edhe për pronarët e tokës bujqësore dhe tokës pyjore. Do të përjashtohen nga taksa, tokat bujqësore që mbillen me kultura drufrutore dhe vreshtari për pesë vitet e para nga çasti i mbjelljes.
Niveli aktual i taksës për tokën bujqësore është 5,600 lekë për ha në vit. Si për një pronar toke me sipërfaqe 1 ha në Bashkinë e Tiranës apo në Lushnjë, detyrimi vjetor për taksën është 5,600 lekë.
Drafti i ri parashikon që për të gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore – blegtorale, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,1% deri në 0,3%.
Formula e re parashikon llogaritjen e taksës sipas shkallëve të propozuara mbi vlerën e tokës për metër katror, sipas çmimeve të tregut. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e taksueshme.
Baza e taksës për tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësinë ose posedimin e taksapaguesit.
Sipërfaqja e tokës në pronësi përcaktohet sipas dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë. Në rast të mungesës së dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë, poseduesi i tokës bujqësore bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së tokës bujqësore, pranë Bashkisë ku ndodhet toka.
Detyrimet për tokën bujqësore sipas shembujve të shpërndarë nga Ministrisë e Financave në dokumentin “Reforma e Taksës së Pasurisë” për bashki të ndryshme do të rriten nga 25 deri në 78% nga sa paguhet aktualisht.
Për taksapaguesin që disponon 1 ha tokë bujqësore, në Bashkinë e Tiranës, duke supozuar aplikimin e shkallës më të ulët të taksës për atë kategori 0,1% detyrimi vjetor do të jetë 10,000 lekë.
Çmimi i tokës është marrë 1,000 lekë për metër katror x 10,000 metra katror (apo 1 ha) vlera e taksueshme është 10,000,000 lekë. Detyrimi i taksës është 0,1% x 10,000,000.
Për bashkinë Lushnjë ku çmimi i tokës sipas shembullit të sjellë nga Ministria e Financave është 700 lekë për metër katror. Detyrimi vjetor i taksës për 10 ha tokë është 7,000 lekë. Krahasuar me pagesën aktuale, detyrimi rritet 25%.
Projektligji parashikon të njëjtën formulë llogaritje edhe për tokën pyjore.
Për të dyja kategoritë e tokës bujqësore, drafti parashikon që 50% të detyrimit të ri, pronari i truallit të shtëpisë ta paguajë vitin e parë të zbatimit të ligjit dhe 50% të detyrimit të mbetur, vitin e dytë./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.