Rritja e kërkesës për eksporte, numri i lartë i turistëve, ndryshimet klimatike dhe rënia e popullsisë rurale po i çojnë çmimet e prodhimeve bujqësore në një fazë të re rritje, që me gjasë nuk do të ketë kthim pas. Çmimet më të larta mund të nxisin prodhimin, por po i bëjnë të papërballueshme kostot e jetesës. Niveli i përgjithshëm i çmimeve u rrit me 4.2% në korrik nga kulmi 8.3% në tetor të vitit 2022, teksa çmimet e ushqimeve me gati trefish më shumë se inflacioni. Faktorët që po nxisin rritjen pa kthim dhe ngërçi i bujqësisë
Blerina Hoxha
Zgjerimi i kanaleve të eksportit, rritja e numrit të turistëve dhe nga ana tjetër, kapacitetet e kufizuara për të zgjeruar prodhimin, të kombinuara me dëmet që po krijojnë ndryshimet klimatike kanë krijuar kushtet për normalitet të ri të çmimeve në produktet bujqësore dhe blegtorale.
Operatorët që nga prodhimi, tregtia dhe eksporti pohojnë se çmimet e perimeve, zarzavateve, frutave, produkteve blegtorale të bulmetit, mishit etj., nuk do të njohin kthim pas, përkundrazi të dhënat tregojnë për një rritje të mëtejshme.
Vitin e kaluar, indeksi i çmimit të prodhimeve bujqësore në ferma u rrit me 11%, niveli më i lartë që nga viti 2016, kur nisi matja e treguesit.
Shtrenjtimi ishte mbi 20-37% për drithërat, qumështin dhe vezët, e cila u pasua edhe në shitjet me pakicë me ritme të larta për produktet e bulmetit dhe zarzavateve gjatë 7-mujorit të këtij viti.
Çmimet e patates dhe qepës u rritën në kulmin e sezonit të prodhimit të tyre (qershor – korrik) me rreh 25% dhe për periudhën e mbetur tregu synon të furnizohet nga importi. Prodhimet e bulmetit u rritën me rreth 30% dhe tani po konkurrohen nga importet që shpesh janë me çmim më të lirë.
Ekspertët analizojnë se rritja e çmimeve po vjen nga një mori faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, që të kombinuar së bashku po e bëjnë këtë dukuri të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.
Ilir Pilku, ekspert i çështjeve bujqësore, thotë se çmimet e larta po nxiten së pari nga mungesa e prodhimit si pasojë e dëmtimeve nga kushtet atmosferike. P.sh. këtë vit, në korrik-gusht, kishim mungesë të domates së fushës, rrushit, si pasojë e breshrit dhe temperaturave të larta.
Së dyti, faktorët nga tregjet e jashtme po ushtrojnë presion në rritje, sipas z. Pilku. Spanja parashikon rënie me 20% të prodhimit të agrumeve nga thatësira, po ashtu Italia e Turqia. Në përgjithësi në gjithë BE-në, prodhimi është në rënie me 10-20% nga faktorët klimatikë.
Nga ana tjetër, masat për mbrojtjen e mjedisit bazuar në axhendën e Parisit “Green Agriculture” kanë bërë që shumë shtete të vendosin masa ndaj ndikimit në mjedis p.sh. në serrat në Holandë (një nga furnizuesit kryesorë në BE) ka rënie të kultivimit, pra të prodhimit.
Rënia e prodhimit në BE ka rritur kërkesën për prodhime bujqësore jashtë BE-së. Për pasojë, shumë prodhime, si domatja, bostani, patatja etj., të aksesojnë tregje të vendeve të zhvilluara si Italia e Gjermania.
Numri i lartë i turistëve i përqendruar në muajt qershor-korrik-gusht, që përkon me kulmin e prodhimit të sezonit bujqësor, po mban kërkesën e lartë dhe për rrjedhojë edhe çmime të larta për disa prodhime vendi që shiteshin me çmime të lira në këtë periudhë.
P.sh., një kilogram domate prodhim vendi këtë vit nuk u shit poshtë nivelit 100 lekë, gati dyfishi i çmimit në krahasim me të njëjtat periudha deri më 2021.
Rritja e çmimeve të prodhimeve bujqësore po siguron të ardhura më të larta për prodhuesit bujqësorë, të cilët kanë shtuar interesin për të zgjeruar prodhimin.
Nga ana tjetër, konsumatorët, po përballen me kosto të larta të jetesës, në një kohë që pagat e tyre nuk po ndryshojnë me të njëjtat ritme si çmimet.
Situata paraqitet më e rëndë në grupin e pensionistëve ku rreth 48% e tyre marrin pagesa të pjesshme pensioni, shumë larg minimumit jetik.
Nevion Telha, specialist i frutikulturës në rajonin e Korçës, thotë se çmimet e larta e kanë nxitur prodhimin, teksa njohuritë e fermerëve po përmirësojnë cilësinë e prodhimit.
Shumë prodhues të mollës dhe patates në zonën e Korçës janë integruar mirë në tregjet e eksportit, duke hequr varësinë nga kërkesa vendase me çmime të ulëta.
Çmimet e prodhimeve bujqësore në rekorde
Që pas luftës në Ukrainë në pranverë të vitit 2022, çmimet e artikujve ushqimorë, sidomos prodhimeve bujqësore u rritën me shpejtësi në të gjithë botën, pasi dy vendet në konflikt ishin furnizues të rëndësishëm globalë, me drithëra dhe produkte të tjera bujqësore.
Rritja u reflektua edhe në Shqipëri. Që nga prilli i vitit 2022, çmimet e ushqimeve nisën të zgjerohen me ritme dyshifrore me 15% në prill-dhjetor 2022.
Tendenca vijoi edhe këtë vit. INSTAT raporton se në periudhën janar-gusht 2023, çmimet e ushqimeve në vendin tonë u rritën me 11%, ndërsa në BE me 10.8% në muajin korrik.
Thatësirat në disa vende dhe përmbytjet në disa të tjera të Europës, si rrjedhojë ndryshime klimatike nga fenomeni “El Nino”, kanë dëmtuar prodhimin në disa kultura bujqësore që po shiten me çmime me të larta. Në tregun vendas, çmimet e prodhimeve bujqësore kanë shënuar rritje në të gjithë zinxhirin që nga prodhimi deri te shitja me pakicë.
Sipas matjeve të INSTAT, në vitin 2022, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore, një tregues që mat çmimet në ferma (pa taksat) shënoi rritje me 11,1%.
Kjo ishte rritja më e lartë që kur INSTAT nisi të masë çmimet e prodhimit në bujqësi në vitin 2016. Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale u zgjerua me 22,1% vitin e kaluar, niveli më i lartë që kur nisën matjet 7 vite më parë.
Vitin e kaluar, çmimet e prodhimit u rritën me 37% për drithërat, 30% për qumështin e lopës, 36% për vezët dhe mbi 25% për prodhimet e tjera blegtorale. Çmimet e mishit dhe patates u rritën me 16% në fermë.
Eksperti Pilku thotë se shtrenjtimi i çmimeve të prodhimit është sinjalizuesi i çmimeve më të larta në tregjet me pakicë të prodhimeve bujqësore.
Çmimet e produkteve bujqësore dhe blegtorale njohën rritje jo të zakontë gjatë pandemisë COVID-19, kur masat kufizuese kanalizuan shpenzimet konsumatore në blerjen e ushqimeve.
Çmimet mbajtën të njëjtin nivel edhe pas pandemisë dhe u rritën më tej pas luftës në Ukrainë, si pasojë e stresit që u krijua në tregjet ushqimore. Veç të tjerash, tregu në Shqipëri vuan nga mungesa e elasticitetit, ku rritjet e çmimeve reflektohen menjëherë si nga faktorë që burojnë nga tregu i brendshëm, edhe nga ata të tregjeve ndërkombëtare.
Prodhimet blegtorale, një grup i rëndësishme i shportës së ushqimeve u rritën me shpejtësi. Gjatë 7-mujorit 2023, çmimi i qumështit u rrit mesatarisht me 19% me bazë vjetore. Rritja po vjen si rrjedhojë e problemeve të krijuara në sektorin e blegtorisë nga rënia e numrit të krerëve.
Çmimet në produktet blegtorale nuk do të kenë më kthim pas. Megjithatë, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, i cili operon në industrinë përpunuese të qumështit, tha se çmimet janë maturuar për shkak të konkurrencës nga importi.
Në raftet e supermarketeve, qumështi i importuar është barazuar me prodhimin vendas, nënproduktet e bulmetit gjithashtu. Një rritje e mëtejshme e çmimeve në prodhimet vendase të bulmetit do t’i bënte ato jokonkurruese në treg, teksa fabrikat e mëdha janë në vështirësi për furnizim më lëndë të parë.
Në një studim të posaçëm për inflacionin në Ballkanin Perëndimor këtë vit, Fondi Monetar Ndërkombëtar vuri në dukje se, efektet e inflacionit në Shqipëri dhe në Ballkan janë më të ashpra se në Bashkimin Europian, pasi rritja po udhëhiqet nga çmimet e ushqimeve, ndryshe nga Europa që është ndikuar nga energjia.
Fondi vëzhgoi se në Ballkan vihet re një përçim më i lartë i çmimeve të ushqimeve nga tregjet ndërkombëtare në tregjet e brendshme për shkak të peshës së lartë të importeve.
Kategoria kryesore e ushqimeve të shportës, si drithërat, vajrat vegjetale pësuan goditje të menjëhershme nga ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, duke u rritur mesatarisht me 9.4% në Ballkan, ndërsa në BE, u rritën me vetëm 3.2% gjatë 2022.
Por gjithashtu, çmimet nga tregjet ndërkombëtare përçohen në nivele më të larta se ndryshimet reale, sipas krahasimeve të Fondit.
Në vend, problemet strukturore të bujqësisë bëhen shkak për çrregullime të çmimeve që vijnë nga tregjet e brendshëm.
Alban Çakalli, fermer i cili prodhon produkte me vlerë të lartë në disa lloje frutash të rralla dhe bulmet nga raca të veçanta kafshësh, thotë se tregjet e pakicës, sidomos në kryeqytet duhen të riorganizohen për të sjellë pranë konsumatorit prodhuesit e vegjël që prodhojnë në ngastra të vogla dhe nuk mund të shkojnë në eksport.
Ai tha se, pati një nismë të Bashkisë së Tiranës për tregjet e lëvizshme të fshatarëve, po ajo ka dështuar, pasi në tezgat e tyre shiten prodhime nga shumica e tregtarëve të zakonshëm dhe jo prodhimet e fshatarëve.
Rritet kërkesa për eksport, por edhe çmimet
Në zonat ku bujqësia zhvillohet në mënyrë intensive, si në Lushnjë, Fier dhe Berat, prodhimi po shkon gjithnjë e më shumë në eksport. Vitet e fundit, investimet në zinxhirin e eksportit të perimeve të freskëta janë rritur.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë është rritur numri i operatorëve dhe kapacitetet magazinuese në tregun e brendshëm, teksa në dy vitet e fundit është shtuar kërkesa për prodhimet nga tregjet e Europës.
Eksportet e prodhimeve të fushës, perimeve dhe zarzavateve në 7-mujorin 2023 u rritën në sasi me 6.8%. Operatorët e tregut pohuan se rritja nuk erdhi nga gjenerimi i prodhimit, por rritja e kërkesës për eksport nga jashtë.
Çmimet e shitjes me shumicë për domaten, kastravecin, bostanin, qepën dhe pataten janë dyfishi i vitit të kaluar. Kjo erdhi nga rritja e kërkesës nga jashtë dhe nga brenda prej numrit më të lartë të turistëve në një kohë që prodhimi nuk ka rritje të dukshme.
Sipas të dhënave të INSTAT, në 6-mujorin e parë të vitit, eksportet bujqësore në vlerë ishin 21% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, por rritja në sasi, ishte vetëm 4.7%.
Kjo ecuri tregon se rritja u udhëhoq më shumë nga çmimet se sa prodhimi. Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare për produktet ushqimore e bëri më tërheqëse kërkesën për prodhimet vendase, për shkak edhe të çmimeve më të lira në raport me vendet e tjera.
Të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto tregojnë se sektori i bujqësisë nuk shënoi rritje në tremujorin e parë të vitit 2023.
Për pasojë, tregu vendas po përballet me mangësi dhe çmime të larta. Samiu, tregtar i shitjes me pakicë në Tiranë, pohoi se këtë vit po has vështirësi në gjetjen e furnizimeve me fruta dhe perime.
“Po harxhoj një pjesë të madhe të kohës për të gjetur furnizim, ndryshe nga vitet e tjera, që në muajt e verës furnitorët shpërndanin vetë në pikat e pakicës.
Në të shumtën e rasteve po marr furnizime nga importi”, – tha tregtari. Në njësinë e tij të shitjes, karotat, patatet dhe një pjesë domateve janë të importuara dhe çmimi i tyre është 30-50% më i shtrenjtë se ai i vitit të kaluar.
Problematika më e madhe këtë vit ishte në gjetjen e furnizimeve me patate dhe qepë për tregjet e pakicës, thotë Samiu. Më shumë se sa prodhimi, mungesat në treg po shkaktohen nga eksporti. “Njohuritë e fermerëve për prodhimet janë rritur dhe tani respektohen standardet.
Pjesëmarrja në panaire ka zgjeruar gjithashtu kanalet e eksportit. Tani një pjesë e madhe e prodhimeve të patates, qepës dhe mollës në Korçë eksportohen”, – tha specialisti i bujqësisë, Nevion Telha.
Në vendin tonë, çmimet këtë vit u rritën me shpejtësi për zarzavatet. Ato u shitën në korrik mesatarisht 21% më shtrenjtë se viti i kaluar në të njëjtin muaj, edhe pse sezoni i prodhimit vendas për to ishte në kulm.
Mariglen Ziu, fermer i cili kultivon në serra, tha se këtë vit prodhimi ishte në rritje, por kërkesa nga eksportuesit është rritur gjithashtu, duke bërë që sasitë e mbjella të ikin në eksport dhe tregu të ketë kufizime në prodhim dhe ato që gjenden, shiten me çmime të larta.
Zgjerimi i turizmit rrit kërkesën dhe çmimet për artikujt bujqësorë
Pikat e pakicës në tregjet e Tiranës pohojnë se, të huajt po shndërrohen në një grup të madh konsumatorësh. Sektori i turizmit po përjeton në 2023, vitin më të mirë historik deri tani.
Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT bënë të ditur se në janar-gusht në vend hynë rreth 7.2 milionë shtetas të huaj, me rritje 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm në gusht, në vend hynë pak rreth 2 milionë të huaj, ose 18.3% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në muajt e verës, konsumatorët u rritën me 10% nga turizmi, duke ushtruar presion në rritjen e çmimeve, në një kohë që prodhimi vendas në pjesën dërrmuese, shkon në eksport.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 3,9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.
Njësitë e vogla tregtare në zonën e qendrës së Tiranës pohuan se të huajt dhanë një kontribut të madh në shitjet këtë vit.
Në vendin tonë vjen një kategori e madhe turistësh me buxhet të ulët që konsumojnë në supermarkete. Por gjithsesi, edhe ata që konsumojnë në restorante dhe hotele ndikojnë në rritjen e konsumit të prodhimeve vendase.
Shqipëria, gjithnjë e më shumë, po merr profilin e një vendi shërbimesh turistike, por shumë shpejt vendi mund të bëhet jokonkurrues nëse nuk nxit bujqësinë vendase për rritjen e prodhimit. Turistët u ankuan më herët këtë vit për “Monitor” ndaj çmimeve të bulmetit që sipas tyre ishin më të larta se në Europë.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2022, Shqipëria u rendit në mesin e 11 vendeve me çmimet më të larta të qumështit në Europë. Turqia, e cila në Rajonin e Mesdheut është konkurruese për ofertën ushqimore të turizmit, zbatoi një strategji të mirëfilltë në dy dekadat e fundit, që lidhi në mënyrë të organizuar prodhimin bujqësor me turizmin.
Ndryshimet klimatike, një shtysë tjetër për çmimet
Kushtet klimatike vit pas viti po shndërrohen në një rrezik madhor për prodhimet në bujqësi, si në tregjet ndërkombëtare, edhe ato vendase. Deficitet në prodhim nga ndryshimet e motit, përmbytjet, breshëri dhe thatësirat ndikojnë në rritjen e çmimeve.
Ndër të gjithë rajonin, shqiptarët shprehën shqetësimin më të madh për ndikimet e klimës në ekonomi në Barometrin e Ballkanit 2022. Ky vit ishte me reshje dhe mot të ftohtë deri në fund të qershorit, i cili dëmtoi rëndë frutikulturën.
Në rajonin e Korçës, shirat herë pas here u shndërruan në breshër, që dëmtoi rëndë të mbjellat.
“Këtë vit, frutat dhe sidomos molla, do të prodhojë më pak, si pasojë e motit jo të përshtatshëm dhe vrugut”, – tha Nevion Telha, ekspert i frutikulturës në zonë. Në pjesën më të madhe të vendit, frutat janë dëmtuar këtë vit, sidomos në zonën e Veriut, për shkak të ngricave në kohën e lulëzimit.
Ndryshimet ekstreme të klimës i kanë shndërruar investimet në bujqësi në “bixhoz”, pasi fenomenet natyrore në pak sekonda shkatërrojnë punën e gjithë vitit. Mungesa e prodhimit për shumicën e frutave mbajti çmime të larta këtë vit.
Agim Rrapaj, nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, shprehet se toka dhe uji, dy nga pasuritë bazë që mund të ketë një vend, po vuajnë si nga efektet e ndryshimeve klimatike, edhe politikat e gabuara.
Sipas tij, efektet janë të dukshme, pasi sot ka më pak kultivarë, ka kosto të rritura për prodhimin dhe ulja e rendimentit apo prodhueshmërisë është e dukshme.
Z. Rrapaj thotë se ndryshimet klimatike ndikojnë tek ulja e prodhimit për njësi të sipërfaqes. Në Korçë ka nisur një përmbytje në zonën e Maliqit, kemi një fenomen që quhet ‘moçalizim’, ku tokat produktive kthehen në moçal për shkak të mungesës së kullimit.
Fenomene të tilla, si valët e të nxehtit, periudhat e të ftohtit, shirat e dendur, stuhitë, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, thatësirat, zjarret dhe stuhitë e forta (erë, breshër) të konsideruara ekstreme tani po ndodhin shpesh, vuri në dukje këtë vit Bashkimi Europian.
Numri i ditëve me valë të të nxehtit, sipas BE, do të ketë rritje të paktën pesëfish deri në fund të shekullit në vendet me klimë më të freskët, dhe deri në tridhjetë herë më shumë në vendet me klimë më të ngrohtë.
Ashpërsia e thatësirës në Europën Jugore mund të trefishohet deri në fund të shekullit.
Humbjet specifike për sektorin e bujqësisë përbëjnë më shumë se 60% të humbjeve të lidhura me thatësirën, ose rreth 5 miliardë euro në vit. Kjo parashikohet të rritet në të ardhmen. Ngjarjet ekstreme kanë pasoja edhe në funksionet ekologjike dhe në ekonominë e bujqësisë.
Emigrimi, presion mbi prodhimin dhe çmimet
Emigrimi i popullsisë rurale drejt zonave të urbane apo jashtë vendit po ndikon në uljen e prodhimit nga ngastrat e për rrjedhojë, qytetet e vogla që më parë furnizoheshin nga fshatrat rreth tyre tani kanë burim të vetëm Tiranën dhe Lushnjën.
Sipas informacioneve që u siguruan nga “Monitor”, tregjet e fshatarëve në bashkinë e Burrelit, Rrëshenit, Kukësit, Tropojës, Fushë-Arrësit-Pukës nuk ekzistojnë më, pasi nuk ka më prodhim. Janë shuar tregjet e kafshëve dhe prodhimeve nga fshati.
Të rinjtë nga zonat e Veriut janë larguar në masë. Banorët e mbetur janë të rrallë dhe shumë të plakur për të punuar tokën. Veriu nuk mund ta zhvillojë bujqësinë intensive për shkak të tokës së pakët në dispozicion, por shumë nga parcelat e vogla furnizonin tregun e qyteteve dhe siguronin vetëkonsum në fshat.
Tani edhe banorët e zonave rurale janë shndërruar në konsumatorë tregu, si për produktet bujqësore, edhe ato blegtorale, duke ndikuar në këtë mënyrë në uljen e prodhimit dhe në rritje të kërkesës e për rrjedhojë, edhe të çmimeve.
Sipas një studimi të Organizatës së Emigracionit IOM, gjatë vitit 2017-2021, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin bujqësor është ulur në katër vitet e fundit. Në të kundërt, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin jobujqësor ka arritur në më shumë se 70%.
Përqindja e femrave të punësuara në sektorin bujqësor është ulur gjatë katër viteve të fundit, edhe pse ulja ka qenë me ritëm më të ulët krahasuar me meshkujt.
Nga ana tjetër, përqindja e femrave të punësuara në sektorin jobujqësor u rrit, nga 57% në vitin 2017, në 60% në vitin 2021. Përvoja ka treguar se njerëzit nga zonat rurale priren të migrojnë së brendshmi, në vend që të përfshihen në migracionin e jashtëm ndërkombëtar.
Për këtë arsye, ka të ngjarë që mekanizimi i veprimtarive bujqësore të mos kapë ritmin e personave që largohen drejt zonave urbane.
Ekspertët e IOM rekomandojnë që politikëbërësit shqiptarë të gjejnë instrumente, të cilat lejojnë hyrjen e emigrantëve për motive punësimi, të gatshëm të bëjnë punë në bujqësi.
Për këtë, Shqipëria konkurron thuajse me të gjitha vendet në Europë, që kërkojnë forcë pune në bujqësi.
Nëse nuk ka alternativa të qëndrueshme të politikave migratore, kjo mund të çojë në rritjen e çmimeve të mallrave të shportës dhe artikujve të tjerë bujqësorë, për një vend që ende varet shumë nga prodhimi vendas.
Prej disa vitesh, studimet sektoriale vazhdojnë të raportojnë mungesa në fuqinë punëtore në bujqësi, si dhe në ndërtim dhe në prodhim, i cili ka intensitet punësimi.
Çmimet më të larta dëmtojnë konsumatorët, por nxisin prodhimin
Çmime më të larta të produkteve bujqësore po nxisin mbjelljet në disa kultura, sidomos ato që lidhen me eksportin. Këtë verë, fermerët e serrave në bashkinë Dimal në Qarkun e Beratit po mbjellin tokën tre herë brenda vitit me domate dhe kastravec.
Një kilogram domate është shitur në pikat e grumbullimit pothuajse gjatë gjithë vitit 2023 me 100 lekë, nga rreth 40 – 60 lekë vitin e kaluar. Rritje të ngjashme shënuan edhe çmimet e kastravecit.
Çmimi i patates dhe qepës me shumicë arriti në 60-80 lekë nga 30-40 lekë në vitet e kaluara. Çmimet më të larta po rrisin interesin e fermerëve për të mbjellë, thotë fermeri Mariglen Ziu në zonën Samaticës në Dimal, i cili kultivon prej vitesh perime në serrë.
Ai thotë se kërkesa për eksport dhe përmirësimi i kultivarëve po rrisin rendimentin, por edhe cilësinë.
Ruzhdi Koni, një nga eksportuesit kryesorë të perimeve të vendit, tha se, shumica e eksportueseve japin këshilla dhe shpërndajnë fara për fermerët në varësi të kërkesës në tregjet e eksportit.
Sfida e eksportuesve tani është të gjejnë tregje me vlerë të lartë, pasi rënia e Euros në kursin e këmbimit, rritja e kostove të krahut të punës dhe transportit e ka rënduar së tepërmi kompanitë e eksportit.
Nga ana tjetër, konsumatorët shqiptarë po përballen me vështirësi për të përmbushur nevojat ushqimore prej rritjes së çmimeve në artikujt e shportës. Pesha e shpenzimeve për ushqime në totalin e buxhetit mujor të një familje shqiptare ishte 41.6% në vitin 2021, një nga nivelet më të larta në Europë.
Në familjet e varfra ato që janë në 20% e poshtëm të të ardhurave pesha e shpenzimeve për ushqime shkon edhe në 60%. Teksa çmimet po rriten, pensionet dhe ndihma ekonomike po rriten me ritme shumë më të ulëta se inflacioni.
Të dhënat zyrtare nga ISSH tregojnë se në vitin 2022, pensioni mesatar në qytet me gjithë kompensimet ishte 18,6215 lekë, me rritje 0.7% në vlerë në krahasim me vitin 2021.
Inflacioni mesatar ishte 6.7% vitin e kaluar, duke bërë që pensionet reale të ulen me 6% në qytet gjatë vitit 2022.
Vërshon importi i domateve nga rajoni në kulmin e sezonit
Shqipëria është eksportuesi kryesor i zarzavateve në rajon, sidomos domates, por këtë verë ndodhi e kundërta. Në kulmin e sezonit të prodhimit, importi i domateve nga rajoni u rrit me shpejtësi në muajt qershor dhe korrik.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në muajin qershor u importuan mbi 2600 tonë zarzavate, me rritje 150% në krahasim me qershorin 2022.
Në muajin korrik, rritja vijoi edhe me 31.5%. Tregtarët e pakicës në kryeqytet pohojnë se, mungesat në treg për domate, speca e kastravecë po plotësohen me importe nga Kosova, Italia dhe Greqia.
Rritja e eksporteve të prodhimit vendas dhe kërkesa e lartë nga sezoni turistik rikthyen importet e zarzavateve në një periudhë që nuk kishte ndodhur më parë. Shqipëria i importon këto kultura zakonisht në periudhën e dimrit, por këtë vit ndodhi në kulmin e prodhimit.
Importi i ushqimeve në sasi u rrit me 15% në të gjithë periudhën 7-mujore, ku bulmetrat kryesojnë. Gjatë 7-mujorit 2023, importet e bulmetit u rritën me 23% gjatë 7-mujorit, duke bërë që mbizotërimi i tyre në treg të rritet vit pas viti.
Vitin e kaluar, importet e bulmetit në sasi ishin sa 25% e qumështit të grumbulluar në vend nga 13% në vitin 2017.
Pesha e produkteve të bulmetit të importuar do të jetë edhe më e lartë këtë vit, për shkak se sasia e importeve është rritur më tej. Prej vitesh, dega kryesore e bujqësisë, blegtoria ka hyrë në një cikël krize, ku rënia e bagëtive të qumështit po thellohet nga viti në vit.
Në vitin 2021, krerët shënuan rënie vjetore rreth 7%, ndërsa në vitin 2022, rreth 13%. Ky vit pritet të jetë edhe më i vështirë.
Tendencat globale
Organizata Botërore e Ushqimit FAO publikon çdo muaj një indeks që mat ndryshimin e çmimeve në mallrat kryesorë bujqësorë, si drithërat, bulmeti, vaji, etj.
Të dhënat e fundit, që i takojnë muajit korrik 2023, tregojnë se i indeksi i çmimeve të drithërave në rang global në korrik ishte 14.5% nën vlerën e një viti më parë.
Çmimet ndërkombëtare të misrit vazhduan prirjen e tyre të rënies për shkak të rritjes së furnizimeve sezonale nga korrjet e mbara në Argjentinë dhe Brazil dhe prodhimit potencialisht më të lartë se sa ishte parashikuar fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në të kundërt, çmimet ndërkombëtare të grurit u rritën me 1.6%, duke shënuar rritjen e tyre të parë në nëntë muaj, kryesisht i nxitur nga pasiguria mbi eksportet e Ukrainës. Thatësirat e vazhdueshme në Kanada dhe SHBA shtuan gjithashtu presionin mbi çmimet.
Indeksi i çmimeve të orizit u rrit me 2.8% në korrik për të arritur nivelin më të lartë që nga shtatori 2011, i nxitur kryesisht nga rritjet e çmimeve në segmentin e tregut indian.
Ndalimi i eksporteve të Indisë nga 20 korriku nxiti pritjet për shitje më të mëdha në origjina të tjera, duke përforcuar presionin e rritjes të ushtruar tashmë mbi çmimet nga furnizimet më të shtrënguara sezonale dhe blerjet aziatike.
Indeksi i çmimeve të vajit shënoi gjithashtu rritjen e parë në korrik 2023 pas shtatë muajsh. Rritja e theksuar në korrik është nxitur nga kuotimet më të larta botërore për vajrat e lulediellit, të palmës, sojës etj.
Çmimet ndërkombëtare të vajit të lulediellit u rimëkëmbën me më shumë se 15% nga muaji në muaj, kryesisht të mbështetur nga pasiguritë e rreth furnizimeve të eksportueshme nga rajoni i Detit të Zi.
Çmimet botërore të vajit të palmës gjithashtu u rritën ndjeshëm, duke reflektuar perspektivat e rritjes së ulët të prodhimit në vendet kryesore prodhuese.
Indeksi i çmimeve të qumështit pluhur të FAO-s në korrik 2023 ishte 20% nën vlerën e tij në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rënia në korrik u shoqërua nga kuotimet më të ulëta për qumështit pluhur dhe gjalpin e skremuar, mbështetur nga aktivitetet e ulura të tregut në Europë gjatë pushimeve verore dhe nga interesi ulët për importe në muajt në vijim, për shkak të pasigurisë së tregut mbi drejtimet e ardhshme të çmimeve.
Në të kundërt, çmimet e qumështit të freskët u rikuperuan lehtë. Pas pesë muajsh rënie të mprehtë, çmimet botërore të djathit rinisën rritjen në korrik 2023.
Indeksi i çmimeve të mishit ishte 5.1% më i ulët se në korrikun 2022. Çmimet ndërkombëtare të mishit të gjedhit ranë, duke reflektuar disponueshmërinë më të lartë të eksporteve në Oqeani, që përkon me kërkesën e ulët për importe në tregjet aziatike mes inventarëve më të lartë dhe shitjeve të brendshme të ngadalta.
Çmimet e mishit të shpendëve gjithashtu ranë pak për shkak të rritjes së furnizimeve nga eksportuesit kryesorë
Indeksi i Çmimeve të Sheqerit të FAO-s rezultoi 33.4 pikë (29.6%) mbi nivelin e korrikut 2023. Pritet presion shtesë në rënie nga kërkesa e ngadaltë për importe nga Indonezia dhe Kina, importuesit më të mëdhenj të sheqerit në botë.
Megjithatë, shqetësimet e vazhdueshme mbi ndikimin e mundshëm të fenomenit “El Niño” në kulturat e kallamsheqerit 2023/24, veçanërisht në Tajlandë, së bashku me çmimet më të larta ndërkombëtare të naftës bruto, frenuan rënien e çmimeve botërore të sheqerit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.