Sa më e lartë paga, aq më të këqija do të jenë rezultatet. Revista prestigjioze “Forbes” ka publikuar një studim të realizuar nga “David Eccles School of Business” e Universitetit të Utahit, që vë në dukje një lidhje interesante dhe proporcionale mes pagesës që merr një administrator i deleguar dhe performancës financiare të sipërmarrjes kundrejt konkurrentëve. Studimi ka marrë në konsideratë veprimtarinë e 1,500 sipërmarrjeve me kapitalizmin më të madh për periudhën 1994 – 2013. Rezultatet përgënjeshtrojnë faktin e artikuluar nga konsulentët financiarë, këshilltarët administrativë, se administratorët e deleguar marrin vendime më të mira kur janë më shumë të “përfshirë në lojë”.
Në fakt, një fetë e mirë e shpërblimeve që marrin Ceo-t janë në formën e aksioneve ose të stoqeve, si në rastin e Larry Ellison që, sipas “Business Insider”, është Ceo-ja amerikan më i paguar në botë dhe që vitin e kaluar çoi në “shtëpi” 77 milionë dollarë aksione. Një tjetër përfundim që ka dalë nga studimi tregon se efektet negative të vendimeve menaxheriale janë ndier më shumë te 150 ndërmarrjet që kanë pasur Ceo-t më të paguar në botë. Edhe pse studiuesit pranojnë se ka përjashtime nga ky rregull, rezultatet tregojnë se menaxherët më të mirëpaguar kanë pasur performancë negative.
Në termat e kthimit nga aksionet, ata kanë performuar 10% më pak në krahasim me konkurrentët. Duke u ngjitur në renditjen e kompensimeve, tendenca është theksuar edhe më shumë: kompanitë me 5% Ceo-t më të paguar, mesatarisht kanë pasur një performancë 15% më të ulët në krahasim me konkurrentët. Arsyeja?
Për studiuesit kjo ka të bëjë me rritjen e besimit te vetvetja. Në krahasim me të tjerët, Ceo-t e superpaguar tentojnë të jenë më pak kritikë ndaj vendimeve të marra.
“Në praktikë, injorojnë informacionet që kundërshtojnë opinionet e tyre, sepse mendojnë gjithmonë se kanë të drejtë”, komenton një nga studiuesit. Pra, tentojnë të investojnë në projekte që nuk kanë një kthim pozitiv për investitorët.
Duke krahasuar performancat e 150 Ceo-ve vërehet se kthimet e investimeve janë tre herë më të larta nga ata që janë më pak të paguar.
Dhe nuk mbaron këtu: studiuesit kanë zbuluar se sa më shumë që menaxherët të jenë në drejtim, aq më e keqe do të jetë performanca e tyre në krahasim me konkurrentët.
Ekspertët shpjegojnë se në këtë rast hyn në “lojë” fakti se administratorët e deleguar kanë të drejtë të emërojnë “aleatë” në këshillin administrativ për të mbrojtur pozicionin e drejtuesit.
Studimi tregon se Ceo-t më të paguar dhe që qëndrojnë gjatë në drejtim kanë performanca më të ulëta deri në 22% në krahasim me konkurrentët.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Ceo-t më të paguar tentojnë të “dëmtojnë edhe veten” dhe kjo në rastet e përfitimeve të aksioneve opsionale (një formë përfitimi që kompania ia jep punonjësit për të blerë aksione me çmim fiks). Kështu, rreth 33% e Ceo-ve më pak të paguar i kanë mbajtur aksionet deri në momentin kur ato kanë marrë përfitime, ndërsa 88% e Ceo-ve më të paguar i kanë mbajtur aksionet me qëllim për t’i shitur.
Ka nga ata ekspertë që mendojnë se duhet të parashikohet një klauzolë në kontratë, sipas së cilës, në rast se performanca financiare është e ulët, atëherë shpërblimi duhet të shkurtohet. Në realitet gjithmonë ka mbizotëruar perceptimi se Ceo-t gjithmonë janë paguar shumë, por ligji “Dodd-Frank” që parashikon një diferencim mes përfitimeve nga paga dhe atyre nga aksionet, nuk ka gjetur ende zbatim.