Pushtimi rus i Ukrainës do të rëndojë në normën e rritjes ekonomike në Greqi, do të ketë një ndikim të madh në inflacion, do të tkurr të ardhurat e disponueshme dhe do t’i bëjë pak të zymta perspektivat turistike të vendit për vitin 2022, sipas një raporti të ri nga Moody’s Analytics.
Konflikti ushtarak ka ndikuar në vlerësimin e Moody’s, duke ulur me 0.8 pikë përqindjeje projeksionet e rritjes në 4.5% për vitin 2022, sipas skenarit bazë, ndërsa inflacioni këtë vit do të arrijë nivelin më të lartë historik prej 7.7% përpara se të zbutet në 3% vitin e ardhshëm.
Veçanërisht, skenari negativ parashikon rritje të PBB-së prej vetëm 1.9% në 2022 dhe 1.5% në 2023.
Moody’s projekton se megjithëse turizmi grek i tejkaloi pritjet në vitin 2021, ai do të përballet me sfida të mëdha këtë vit për shkak të presioneve globale inflacioniste dhe luftës në Ukrainë.
Sipas raportit rreth një e katërta e ngadalësimit të PBB-së që ka ardhur si pasojë e luftës është edhe për shkak të mungesës së turistëve rusë në Greqi, që përkthehet në një humbje prej 400 milionë eurosh të ardhura për të gjithë vitin./ Ekathimerini