Vizitorët, të cilët humbën ekspozitën e Vermeer në Rijksmuseum, në fillim të këtij viti, mund të shohin shumë perla mes gjysmë duzinë të pikturave të tij ende të ekspozuara në Galerinë e Nderit (Gallery of Honor) deri më 10 tetor.
Por, për ata që janë të interesuar të mësojnë mbi diamantet, zgjedhja më e mirë është vetëm tre minuta larg më këmbë – Diamond Museum Amsterdam.
Muzeu u hap në vitin 2007 dhe drejtohet nga një fondacion i krijuar nga shoqëria e lustrimit të gurëve të çmuar Royal Coster Diamonds. Në muzeun dykatësh shfaqen gurë të vërtetë dhe të riprodhuar.
Një video hyrëse përshkruan se si krijohen dhe si nxirren diamantet dhe si Amsterdami u rrit deri sa u bë një qendër botërore për lustrimin e diamanteve në shekullin XVII – edhe pse është lënë pas, sipas muzeut, veçanërisht nga Antwerp, në Belgjikë, ku sot shiten rreth 80% e gjithë diamanteve të përpunuar dhe 50% të diamanteve të prerë.
Ekspozita përfshin kronologjinë e gurëve të çmuar që lidhen me diamantet: historinë e rrugëve të transportit nga India, një furnizues i hershëm i gurëve të çmuar në Europë; detaje rreth procesit të prerjes dhe lustrimit të një guri të papërpunuar dhe fakte interesante.
Një seksion mbi diamantet me ngjyrë shpjegon se diamantet e bardhë të pastër janë të rrallë dhe se ngjyra në diamante vjen nga papastërtitë.
Për shembull, një diamant blu përmban bor; një diamant i verdhë, azot.
Ndërsa disa prej diamanteve të ekspozuara janë të vërteta, pjesa më e madhe e “gurëve të çmuar” dhe “kurorave mbretërore” janë shënuar qartë si riprodhime, duke përfshirë atë të një prej diamanteve të famshëm Koh-i-Noor prej 105,6 karatësh, i nxjerrë nga India kur ishte nën dominimin britanik.
(Në vitin 1852, Coster u ngarkua nga Mbretëresha Victoria të pastronte gurin e çmuar, një proces që thuhet se zgjati 38 ditë. Sot është pjesë e kurorës së Mbretëreshës Elisabeta, Nënës Mbretëreshë).
Guri i çmuar i vërtetë është pjesë e bizhuterive të kurorës britanike në Kullën e Londrës, megjithëse India e kërkon atë përsëri: Për shkak të polemikës së rikthimit, mbretëresha Camilla u detyrua të përdorë një kurorë tjetër gjatë kurorëzimit të Mbretit Charles III në maj.
Në muzeun holandez është projektuar një sallë për t’iu bërë të ndiheni sikur të ishit brenda një diamanti, ku muret janë të mbuluara me imazhe, duke përfshirë atë të Marilyn Monroe në filmin e vitit 1953 “Gentlemen Prefer Blondes”, ndërsa ndihet në sfond kënga “Diamonds Are Forever”, në filmin e James Bond të vitit 1971.
Një sallë tjetër i kushtohet lojës “Diamond Heist”, ku lojtarët mund të bëhen hajdutë gurësh të çmuar. Në lojë, ata duhet të përpiqen të shmangin më shumë se një duzinë lazerësh të kuq, për të arritur dhe “për të vjedhur” një diamant (të rremë) sa madhësia e një dardhe.
Nëse një rreze lazer godet një lojtar, ndizen dritat dhe bie alarmi. Ata që arrijnë me sukses gurin do të dëgjojnë duartrokitje.
Muzeu është i hapur çdo ditë. Bileta për të rriturit kushton 12.50 euro dhe përfshin hyrjen në një ndërtesë të dytë, disa metra më tej, ku mund të shihni punonjësit e Royal Coster duke lustruar dhe duke vendosur diamante për komisione private ose për dyqanin e suvenirëve të muzeut.