Operatorët turistikë të Sarandës janë orientuar këtë vit te rezervimet online, një tendencë e nisur që në vitin 2023 nga strukturat akomoduese.
Shumica e hoteleve po zgjedhin të shkojnë më pak drejt grupeve të turistëve të organizuar dhe më shumë te platformat e tyre online.
Arben Çipa, nga Shoqata e Hotelierëve dhe njëkohësisht administrator i “SIPA Tours”, shprehet se kjo praktikë po funksionon shumë mirë dhe ka të bëjë edhe me tipologjinë e hoteleve të vogla ose mesatare.
Deri më tani, rezervimet për sezonin variojnë mes 50-70% nga njësia në njësi dhe deri në verë, këto kapacitete me shumë gjasa do të jenë ezauruar plotësisht.
Sipas z. Çipa, kjo formë, u jep mundësi strukturave të rrisin përfitimet që kanë, pasi shesin me çmimet që duan.
Si e parashikoni ecurinë e turizmit në vitin 2024 po të kemi parasysh që janari ka nisur me rritje rreth 30% në raport me janarin e vitit të shkuar?
Ky vit pritet të jetë sërish i mirë për sektorin e turizmit, duke ardhur në rritje në raport me vitin e shkuar. Besoj se rritja do të luhatet te 5-10%. Fakt interesant përbën turisti që po na viziton aktualisht, por këtë duhet ta ndajmë me zona dhe sezone.
Falë alternativave të fluturimeve me kosto të ulët, që janë shpeshtuar nga viti në vit, është rritur fluksi i atyre që kanë prekur Tiranën dhe janë turistë të moshave të ndryshme, ku dominojnë qëndrimet treditore. Në raport me vitin e kaluar, për këtë dimër mendoj se kemi rritje me 30-40%.
Duhet të theksojmë se kjo është një kategori e ndryshme turistësh. Janë vizitorë të Tiranës të moshës së të mesme dhe moshës së tretë. Kryesisht mosha e tretë vjen nëpërmjet agjencive; mosha e mesme janë çifte të pavarura kurse moshat e reja vijnë të vetorganizuar ose me agjenci turistike në grupe të mëdha.
Janë turistë europianë që në këtë periudhë kanë disa ditë pushimesh dhe që falë linjave me kosto të ulët kanë gjallëruar jetën ekonomike dhe turistike të Tiranës. Numri i turistëve të organizuar në këtë periudhë mund të kenë rritje të lehtë, por që është e padukshme.
Si e shihni turizmin e organizuar në sezonin e verës, cilat janë grupet me interes apo që qëndrojnë në krye sa i takon Shqipërisë?
Turizmi i organizuar ka vijuar të rritet nëse flasim për kontratat me garanci. Grupi më i madh mbetet tregu polak, me distancë të dukshme nga të tjerët.
Tregu spanjoll po jep sinjale se do të jetë i dyti në shifra, gjithmonë për grupet e organizuara, ndërkohë që grupi i skandinavëve ka një prani të ulët.
Numri i turistëve spanjollë dhe çekë kanë rritje të dukshme në raport me veten por në numër shtretërish mbeten ende modestë. Të gjithë qëndrojnë në zonën e Golemit dhe Durrësit, më pak në pjesën tjetër në Jug.
Në Sarandë duket se këtë vit do të vijojë në mënyrë të plotë ajo që nisi vitin e shkuar, ku strukturat hoteliere kanë rritur fokusin për rezervimet online, duke mos shfaqur interes për grupe të organizuara me kontrata garancie.
Duhet të themi se këtu ndikon edhe kapaciteti dhe tipologjia e strukturave që karakterizohen si të vogla e mesatare dhe ndaj rezervimet online janë një formë e pëlqyeshme për të rritur shfrytëzimin e kapacitetit.
Tani jemi në fund të shkurtit (intervista është zhvilluar në javën e fundit të shkurtit) dhe nga bisedat e vazhdueshme me këto struktura, rezervimet luhaten mes 50-70% të kapacitetit për sezonin veror dhe mundësia për ta çuar këtë kapacitet të shfrytëzuar në 100% me çmimet që ata duan është e mirë.
Ata që po e frekuentojnë Sarandën janë moshë e re, mes 20-50 vjeç, që është 90% e prurjes turistike dhe janë perëndimorë.
Duke pasur parasysh rritjen e interesit për Shqipërinë, a mendoni se këtë vit sezoni veror do të çelet më herët, pra të kemi një numër të dukshëm turistësh?
Me këtë tendencë, ne planifikojmë që të shohim numra në fillim të muajit prill, nuk e përjashtoj as marsin, por gjithmonë kjo varet nga moti. Ata që planifikojnë të vizitojë Shqipërinë e kanë të lehtë të përshtatin rezervimin nga muaji në muaj.
Në kushtet kur sektori i turizmit duket se po përjeton ditët e tij më të mira, cilat janë disa nga aspektet ku duhet të reflektohet për të rritur përfitimin, por edhe për të krijuar qëndrueshmëri?
Janë dy aspekte që mendoj se kanë nevojë për reflektim në sektor. Së pari duhet të fillojë të funksionojë strategjia e atyre që quhen hotelierë apo sipërmarrës sa u takon grupeve me kontrata të garantuara, të minutës së fundit, apo me kërkesë.
Mendoj se hotelet duhet të orientojnë partnerët e tyre drejt atij që njihet si sezon i ulët, pra kur s’ka shumë fluks, në mënyrë që sezoni turistik të shpërndahet në një hark kohor sa më të gjerë. Kjo bëhet nëpërmjet ofertave ekonomike që e bëjnë tërheqës këtë lloj bashkëpunimi, por sjell të ardhura të shtrira në një kohë më të gjatë.
Së dyti shoh mungesë të stafit në numër dhe cilësi. Një prurje 10% më e lartë sa edhe e presim këtë vit mendoj se do të ushtrojë presion të theksuar mbi cilësinë e shërbimit që kurrsesi nuk e uroj, por s’mund të mos e mendoj.
Nëse rritja do të jetë edhe më e lartë, pra 20%, nuk e di sesi do ta përballojmë, pasi elasticitetin maksimal të kapacitetit që kishim, e testuam në 2023 dhe ndoshta do të bëhet e papërballueshme.
Në Sarandë dhe në Golem, vjet ishim në maksimum, dhe aq mendoj se është maksimumi që mund të përballojmë me kushtet ku jemi.
Diferenca që shton presionin këtë vit është pritshmëria për më shumë turistë dhe kapacitetet akomoduese të shtuara në njërën anë dhe fuqia punëtore më e pakët në dispozicion në anën tjetër. Fluksi i madh do të krijojë turistë të pakënaqur, që ndoshta do ta kenë të vështirë të prekin edhe hapësira plazhi.
Ky problem u ngrit në masë edhe vjet. Në këtë kontekst dua t’ju kujtoj institucioneve vendore që t’ju imponojnë strukturave të reja të plotësojnë investimet e tyre edhe me pishina, për të lehtësuar disi këtë ngërç.
Vazhdimisht vihet theksi për investime në infrastrukturë, në funksion të turizmit. Kjo vlen edhe për bashkitë të cilat kanë detyrimet e tyre për lehtësimin qarkullimit në territorin e tyre. A vini re në Sarandë investime që nxiten nga turizmi, apo nuk ka një reflektim të tillë?
Në Sarandë po punohet në disa pjesë të qytetit, janë projekte që po ecin shpejt, pasi duhet të mbyllen para sezonit. Janë disa projekte që mbështeten nga Banka Botërore, por edhe vetë Bashkia duket se ka një ndërgjegjësim më të dukshëm për të investuar dhe për të mbyllur në kohë projekte të qytetit.
Këtu kam parasysh ndryshimin që po bëhet në rrugën e parë paralel me Shëtitoren, që po pëson një transformim total.
Është planifikuar shtrimi me kalldrëm me mozaik për jetëgjatësi, por edhe për anën estetike dhe mendoj se kjo do të jetë diçka shumë e bukur, që do të shtojë vlerën e rrugës dhe njësive ekonomike apo të banimit në atë zonë.
Ky kalldrëm vazhdon tërthorazi nga rruga e parë tek e dyta e deri tek Agjencia në Sarandë. Mendoj se qyteti po merr një ngjyrë më europiane dhe më turistike. Po punohet me intensitet dhe urojmë që punimet të mbyllen para fillimit të sezonit, ashtu siç flitet, pasi në të kundërt do të mbeten në mes.
Qeveria kishte një plan për një aeroport në skajin më Jugor të vendit dhe konkretisht në Sarandë. Së fundmi ky plan ndryshoi duke vendosur që tashmë aeroporti të jetë në Gjirokastër…
Së pari uroj që të kemi një aeroport në Jug. Edhe nëse ai është në Gjirokastër, mendoj që ne si operatorë të turizmit na lehtëson sepse do të kemi një distancë të afërt dhe të përballueshme.
Koha fizike nga Gjirokastra në Sarandë është brenda kushteve që kërkon një turist nga momenti që zbret në aeroport dhe shkon në hotel.
Disa ndërhyrje të fundit ligjore të qeverisë synojnë formalizimin e apartamenteve dhe vilave që shfrytëzohen për qira ditore. Ju, si e shihni këtë nismë?
Mendoj se kjo është një nismë pozitive. Nëse je një subjekt që operon si strukturë akomoduese me një apartament apo disa të tillë duhet të deklarohesh. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me aspektin fiskal.
Formalizimi është gjithmonë diçka pozitive për ekonominë.
Momenti ku ndodhemi në aspektin turistik e bën të nevojshme që si ato apartamente që kanë angazhim të madh, edhe ato që kanë angazhim të ulët, së pari të identifikohen si subjekte në funksion të turizmit dhe pak rëndësi ka për sa kohë dhe së dyti, kjo i ngarkon me detyrime dhe përgjegjësi jo vetëm për taksat, por edhe për shërbimin.
Përfshirja në taksim e këtyre njësive sjell më shumë të ardhura që mund të plotësojnë nevojën për investime që kanë zonat ku operojnë këto njësi të reja. Mbi të gjitha vendoset një konkurrencë e ndershme dhe reale.
Duke pasur parasysh rritjen e turizmit si ka qenë interesi i biznesit për të investuar në akomodim në Sarandë?
Kërkesa për të ndërtuar kapacitet akomodues është e madhe, por kjo ka mbetur pezull pasi aktualisht nuk po jepen leje ndërtimi. Në dijeninë time, kjo është e lidhur me projektin që ka Hipoteka për sistemin e saj dhe kjo ka sjellë ngadalësim në dhënien e lejeve të reja.
Industria detare e lidhur me turizmin është zhvilluar ndjeshëm viteve të fundit, ku në disa raste është ngritur si shqetësim ankorimi apo ruajtja e distancave të sigurisë të paktën në Sarandë. A është zgjidhur ky ngërç që u has sezonin e shkuar.
Çështja e anijeve turistike në Shëtitoren e Sarandës nuk ka ndryshuar për hir të së vërtetës.
Mendoj se për Sarandën apo nevojën që ka qyteti kemi tejkaluar kapacitetin, ndërkohë që ka informalitet.
Mendoj se ka nevojë që autoritetet kompetente të bashkëpunojnë me grupin e interesit, në mënyrë që në maj, kur jepen lejet e shërbimit të mbahen parasysh elementet e nevojshme që garantojnë mbarëvajtje të sezonit dhe që lidhen me kapacitetet, distancat e sigurisë dhe ofrimin e shërbimit në standarde të mira.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Pas shfuqizimit të pjesshëm që Gjykata Kushtetuese vendosi për ligjin e studentët e mjekësisë, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshimet në ligj, për uljen e afatit të qëndrimit të sapo diplomuarve në Shqipëri nga 5 deri në 3 vjet. Projektligji “Për një shtesë dhe disa…
Raporti i kredive me probleme pësoi një tjetër rënie të lehtë në muajin mars. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në 4.64%, nga 4.69% që kishte qenë për shkurtin. Raporti i kredive me probleme vazhdon të bjerë me bazë vjetore. Në…
Ankesat nga punonjësit që lidhen me mosmarrëveshjet apo kushtet e punës pranë bizneseve kanë shënuar rritje vitin e shkuar. Të paktën kështu raportojnë shifrat e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore që për 2023 vlerëson se janë bërë 544 inspektime të lidhura me ankesa…
Rritja e yield-it mesatar të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare u ngadalësua ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar në emetim i instrumenteve të huamarrjes së brendshme në fund të muajit mars ishte 4.51%,…
Eni Albania ka rishikuar afatet e punimeve përgatitore për pusin kërkimor Dumrea Deep 1, duke njoftuar se ato do të zënë vend në dhjetor 2024. Më herët, në një dokument publik, kompania pranonte se këto punime do të zinin vend në fund të vitit që…
Krahas debateve për moszbatim korrekt të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, disa biznese të profesioneve të lira kanë nisur aplikimin e tarifave të shtrenjtuara për shërbimet e ofruara. Avokatët paralajmëruan më herët se përfshirja e tyre në taksimin progresiv, do t’i godasë për të…
“Open Spending Albania”, një databazë me të dhëna unike që siguron transparencë për pagesat e buxhetit ka pushuar aktivitetin për mungesë fondesh dhe donatorësh. Bashkë me të rrezikojnë të mbyllen edhe “Open Corporares Albania” dhe “Open Procurement Albania”, tha Aranita Brahaj, Drejtoresha e “Open Data…
Në Shqipëri, 1 Maji, që teorikisht përkujton protestat e punëtorëve në shekullin XIX, për të kërkuar të drejtën e punës 8-orëshe, e ka humbur me kohë simbolikën e…
Kuzhina tradicionale shqiptare ka fituar terren, falë një kërkese në rritje të turistëve për të shijuar receta origjinale. Përvoja e shijimit të kuzhinës lokale është një mënyrë e mirë për turistët të njihen me kulturën dhe traditat e vendit. Nëpërmjet ushqimit, ata mund të kuptojnë…
Pas shumë vitesh, që Kina ka qenë partneri kryesor tregtar i Gjermanisë, SHBA duket sikur po zënë vendin e parë, ndërsa viti përparon. Eksportet dhe importet…
Përgjatë bregut të Athinës, një kompleks i madh shtëpish, hotelesh, marinash dhe më shumë, po merr formë. Në vijën bregdetare jugore të kryeqytetit të Greqisë, një…
Banka e Anglisë (Bank of England, BoE), njoftoi normat e pandryshuara, gjerësisht të pritshme, pasi tha se politika monetare kufizuese po zbut inflacionin, por paralajmëroi se…
Ndërkohë, shitjet brenda vendit u tkurrën Eksportet e makinave në Kinë arritën një rekord të lartë në prill, tregojnë të dhënat të premten, ndërsa shitjet…
Në kontekstin e zgjerimit të fundit të Inteligjencës Artificiale, iu referuam të dhënave të Quid (nëpërmjet Stanford’s 2024 AI Index Report) për të nxjerrë në pah…
Sipas një studimi të fundit të European Sponsorship Association (ESA) në bashkëpunim me Nielsen Sports, tregu europian i sponsorizimeve u rrit në 30.9 miliardë euro, duke…