Një strategji e re për t’i rikthyer njerëzit në punë gjatë COVID-19

22/05/2020 10:02 PM 0 komente

Është e domosdoshme të rimëkëmbim ekonominë me përgjegjshmëri, ndërsa punojmë për të rrafshuar kurbën e koronavirusit.

 

Përmbledhje ekzekutive

Është arritur pak a shumë një konsensus nga shumë politikanë dhe komentues që SHBA duhet të vazhdojë të mbyllë shkollat dhe bizneset jo-thelbësore, derisa testimet e koronavirusit dhe imuniteti të jenë të përhapura në masë. Por ekziston një mundësi që, për përmbushjen e këtyre objektivave të duhen muaj, madje edhe vite. Koha është e rëndësishme, duke pasur parasysh koston e rëndë njerëzore të një mbylljeje të zgjatur ekonomike, sipas një analize të FREOPP, një institut kërkimor në SHBA për politikat publike. https://freopp.org/a-new-strategy-for-bringing-people-back-to-work-during-covid-19-a912247f1ab5

Lajmi i mirë është se politikanët kanë një mundësi për të rihapur në mënyrë strategjike ekonominë, duke marrë parasysh një veçori unike të COVID-19: pasojat më të rënda që virusi ka tek të moshuarit dhe personat me sëmundje të tjera kronike. Nëse merren masat e duhura dhe vihen në punë mjete si gjurmimi i kontakteve, vetizolimi dhe telemjekësia, ne mund të vazhdojmë të mbrojmë më të prekurit, duke kthyer njëkohësisht në punë sa më shumë amerikanë të jetë e mundur.

Duhet analizuar edhe problemi i pjesës së popullsisë në rrezik më të lartë, si personat në azile pleqsh, ambientet e rehabilitimit dhe burgjet. Por ne jemi të bindur se mund të bëhet shumë më tepër për të rihapur ekonominë sot, duke përmirësuar jetën e qindra miliona amerikanëve me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

 

Hyrje

Numri i vdekjeve dhe i të sëmurëve nga COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi SARS-CoV-2, po vazhdon të rritet në Shtetet e Bashkuara, megjithëse më ngadalë se më parë. Shumë politikanë dhe qytetarë shpresojnë se jeta do t’i “rikthehet normalitetit” në maj ose qershor. Por nuk do të jetë kështu. Në të vërtetë, jeta nuk mund të kthehet kurrë njëlloj siç ishte para vitit 2020.

Dhe ky është skenari optimist që përmendet gjerësisht nga komentuesit e shëndetit publik, sipas të cilit SHBA “do të rrafshojë kurbën me sukses” duke mundësuar testime të mjaftueshme dhe duke krijuar me shpejtësi trajtime dhe vaksina për SARS-CoV-2. Një studim i fundit, i botuar nga ish-Komisioneri i FDA-së Scott Gottlieb dhe të tjerë në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve, përshkruan këtë skenar.

Ky skenar optimist nxit shqetësimin se publiku, media, komuniteti i biznesit dhe politikanët, janë kryesisht të papërgatitur për një skenar pesimist, sipas të cilit, testimet e sakta dhe të mjaftueshme janë të vështira për t’u arritur; antitrupat e individëve të infektuar nuk çojnë në imunitet; trajtimet antivirale kërkojnë më shumë kohë për t’u zhvilluar; dhe vaksinat mund të mos arrihen kurrë.

Sipas paradigmës së tanishme të politikës, shumë komentues dhe politikanë argumentojnë se një situatë e ngjashme me skenarin pesimist, do të kërkonte një mbyllje të zgjatur prej gjashtë muajsh ose më gjatë, ose një sërë urdhrash për izolim në shtëpi, të cilat do të imponoheshin dhe hiqeshin herë pas here, për vite me radhë.

Siç u shpreh analisti kërkimor i bioteknologjisë, Matthew Harrison, në një shkrim më 6 prill: “Shpresoj se… SHBA nuk ka arritur nivelet e krizës… dhe se ajo do të jetë e shkurtër, teksa bëhet e qartë se rihapja e ekonomisë amerikane do të jetë një rrugë e gjatë, me shumë ndalesa dhe pengesa. Kriza do të zgjidhet plotësisht vetëm kur vaksinat të jenë gjerësisht të disponueshme, gjë që mund të realizohet të paktën deri në pranverën e vitit 2021”.

Por ekonomia amerikane nuk mund të përballojë një bllokim të këtyre përmasave, dhe as mbylljen e përhershme të dhjetëra mijë bizneseve që do të shoqëronin një dukuri të tillë.

Veçori të caktuara të SARS-CoV-2 dhe sëmundjes COVID-19, na bëjnë të besojmë se ekziston të paktën një shans prej 30% që të ndodhë skenari pesimist në vend të atij optimist, ose më saktë, që skenari optimist të vonojë për një kohë shumë të gjatë.

Prandaj, është me rëndësi të krijojmë një strategji për të rihapur ekonominë, si për skenarët optimistë, ashtu edhe për ata pesimistë, po edhe për një spektër skenarësh të ndërmjetëm: domethënë, edhe në qoftë se nuk arrijmë të mundësojmë testime të mjaftueshme, trajtime efikase antivirale dhe një vaksinë. Në këtë artikull, ne diskutojmë mbi një plan për ta bërë këtë.

 

 

Testimet e mjaftueshme mund të jenë të vështira për t’u mundësuar në një periudhë të afërt

Ekzistojnë dy lloje kryesore testesh për SARS-CoV-2: teste të bazuara në antitrupa ose serologji që zbulojnë nëse një pacient ka zhvilluar antitrupa ndaj virusit; dhe teste të reaksionit zinxhir me polimerazë të transkriptazës së kundërt (RT-PCR), të cilat matin nivelet e ARN-së virale në sekrecionet e hundës së një pacienti. Të dyja format e testimit kanë kufizime teknike të konsiderueshme.

Nga ana statistikore, shumica e testeve të bazuara në antitrupa, aktualisht japin shumë raste negative false, ku personat e infektuar nuk arrijnë të dallohen, dhe si pasojë, nuk janë të dobishëm për mbikëqyrjen e popullsisë në masë.

Shumica e pacientëve nisin të zhvillojnë nivele të dallueshme antitrupash 7 deri në 11 ditë pas ekspozimit ndaj SARS-CoV-2. Prandaj, njerëzit që ende nuk kanë dalë pozitiv nga testet e serologjisë, mund të jenë të infektuar dhe të infektojnë të tjerët.

Për shembull, testi më i fundit IgG i antitrupave nga Laboratorët Abbott, është shumë i mirë në zbulimin e pranisë së antitrupave dy javë pasi një pacient ankohet për simptoma të COVID-19, por mund të japë një shkallë të lartë të rreme negative, ose ndjeshmëri të ulët, duke zbritur më pas në 50% tre ditë pas simptomave të COVID-19. Për më tepër, ekzistojnë disa prova që tregojnë se shumë njerëz të infektuar me SARS-CoV-2, nuk zhvillojnë kurrë nivele të zbulueshme të antitrupave të koronavirusit.

 

 

Testet e antitrupave të SARS-CoV-2 gjithashtu duhet të arrijnë një nivel specifik, ose normë të vërtetë negative, mbi 99.5%, për të qenë të dobishëm në një shkallë masive. Kjo do të thotë se për çdo 100,000 njerëz të painfektuar, testi do të identifikojë saktë vetëm 500 prej tyre.

Testi RT-PCR, që mat nivelin e ARN-së virale në sekrecionet e hundës së një pacienti, ka më shumë saktësi, veçanërisht në zbulimin e infeksioneve aktive. Por RT-PCR është më i vështirë për t’u mundësuar brenda një kohe të shkurtër, sepse është më i ndërlikuar për t’u administruar, dhe është shumë më i shtrenjtë sesa një test i zakonshëm gjaku.

Më 27 mars, Laboratorët Abbott njoftuan autorizimin e përdorimit urgjent të një testi SARS-CoV-2 me bazë PCR, që mund të prodhohet me një normë 50,000 në ditë. Kjo shifër është rritur tashmë – nga mesi i prillit, SHBA po testonte rreth 100,000 individë në ditë – por me një test që duhet të administrohet në mjediset klinike si zyra e një mjeku ose një klinikë urgjence e kujdesit. Më 21 prill, LabCorp njoftoi autorizimin e përdorimit urgjent të një testi në shtëpi RT-PCR COVID-19, por për shkak të shkallëzimit, LabCorp deklaroi se për momentin po e ofrojnë ndihmën e parë vetëm për profesionistët e kujdesit shëndetësor.

Dhe për të arritur nivelin e testimit të koronavirusit në Korenë e Jugut, Matthew Harrison vlerëson se SHBA duhet të administrojë 1 milion teste në ditë. Për të ekzaminuar në mënyrë të përsëritur të gjithë popullsinë, ekonomisti fitues i çmimit Nobel, Paul Romer, parashikon se SHBA duhet të arrijë 22 milionë teste në ditë.

 

Antitrupat mund të mos jenë mbrojtës

Shumë komentues supozojnë se ata pacientë të infektuar që zhvillojnë antitrupa, nuk do të infektohen më me SARS-CoV-2. Në fakt, dihet shumë pak nëse antitrupat kundër SARS-CoV-2 janë neutralizuese; d.m.th, mbrojtës kundër infeksionit të ardhshëm. “Tani për tani, nuk ekziston asnjë provë që tregon se përdorimi i një testi serologjik mund të tregojë se një individ ka imunitet ose është i mbrojtur nga riinfektimi”, tha Maria van Kerkhove, udhëheqësja teknike mbi COVID-19 për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në një konferencë për shtyp më 17 prill.

Për shembull, në Korenë e Jugut, 51 pacientë që janë shëruar nga COVID-19, kanë testuar pozitivë për riinfeksion të mundshëm. Kjo nuk është e pazakontë; individët e infektuar me HIV shpesh zotërojnë sasi të mëdha antitrupash HIV në serumin e tyre, që nuk kanë asnjë efekt në virusin HIV ose zhvillimin e SIDA-s. Njerëzit shpesh zhvillojnë antitrupa ndaj gripit të zakonshëm, i cili është gjithashtu një koronavirus, por këto antitrupa rrallëherë mundësojnë imunitet për më shumë se një vit.

Bazuar në përvojën me pandeminë SARS të vitit 2003, shumë ekspertë besojnë se antitrupat kundër SARS-CoV-2, kanë të ngjarë të jenë të paktën pjesërisht mbrojtëse. Por mungesa e një mbrojtjeje të plotë do ta bënte të vështirë vendosjen e punëtorëve në situata me rrezik të lartë. Një sfidë po aq e madhe është se shumica e amerikanëve nuk kanë gjasa të infektohen deri në maj ose qershor të vitit 2020; Prandaj, në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, shumica e amerikanëve do të mbesin tepër të rrezikuar ndaj këtij virusi shumë ngjitës.

 

Trajtimet efikase antivirale mund të zbulohen për një kohë më të gjatë

Historikisht, ilaçet antivirale kanë qenë shumë më të vështira për t’u zhvilluar sesa ilaçet antibakteriale (antibiotikët). Megjithëse tani kemi ilaçe efektive kundër HIV-it dhe hepatitit C, u deshën dekada të tëra studimesh për prodhimin e tyre.

Sipas Trajtimit dhe Gjurmimit të Vaksinave të Covid-19 nga Instituti Milken, ekzistojnë mbi 150 trajtime për COVID-19 në provat paraklinike ose klinike. Megjithëse ekziston një arsye e mirë për të shpresuar se disa nga këto prova do të na japin një trajtim efikas kundër sëmundjes COVID-19, nuk ka asnjë garanci që një trajtim i tillë do të mbërrijë së shpejti.

Ekzistojnë prova paraprake që tregojnë se shkëmbimi i serumit konvulsiv mund të ndihmojë disa pacientë, por nuk ka prova përfundimtare, madje edhe nëse provat e rastit tregojnë ndonjë përfitim, shkëmbimi i serumit do të jetë i kushtueshëm dhe i vështirë për t’u realizuar në masë.

Trajtimet e drejtpërdrejta antivirale kanë disavantazhet e tyre. Më 16 prill, Adam Feuerstein dhe Matthew Herper nga STAT, morën në zotërim një regjistrim konfidencial nga një videokonferencë e mjekëve të Universitetit të Çikagos, të cilët po marrin pjesë në një provë klinike mbi ilaçin remdesivir, një trajtim i mundshëm antiviral për SARS-CoV-2, i zhvilluar nga Gilead Sciences. Mjekët ishin optimistë se remdesiviri po ndihmonte në lirimin e shpejtë të simptomave të COVID-19 tek pacientët. Por raportet optimiste nga mjekët në një studim klinik, nuk do të thotë se do të arrihet sukses i plotë për një studim më të gjerë.

Në të vërtetë, një studim më i gjerë i remdesivirit tregoi se ilaçi nuk kishte asnjë efekt te pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19. Një numër më i madh pacientësh që po trajtoheshin me remdesivir vdiqën (13.9%) sesa pacientët që po trajtoheshin me placebo (12.8%), megjithëse ky nuk ishte një zbulim i rëndësishëm statistikor.

Kevzara, një agjent kundër artritit i njohur si sarilumab, është studiuar gjithashtu në pacientët e sëmurë me COVID-19, me shpresën se ilaçi mund të lehtësojë procesin inflamator që duket se e rëndon edhe më tepër gjendjen e pacientëve. Por prodhuesit e Kevzaras, Regeneron dhe Sanofi, njoftuan më 27 prill se ilaçi nuk kishte ndonjë përfitim për pacientët.

 

Vaksinat mund të mos gjenden kurrë

Megjithëse janë bërë një sërë përpjekjesh, nuk është gjetur ende një vaksinë e suksesshme kundër një koronavirusi vdekjeprurës, përfshirë paraardhësit e SARS-CoV-2, MERS (2012) dhe SARS-CoV-1 (2003). Dhe ndërsa industria biofarmaceutike po bën një përpjekje të jashtëzakonshme për të gjetur një vaksinë kundër SARS-CoV-2, përpjekja nuk është garanci e suksesit; siç kanë dëshmuar edhe provat e dështuara për të krijuar vaksina kundër HIV-it ose Hepatitit C.

Në të vërtetë, programi më i shpejtë i zhvillimit të vaksinave virale ishte për vaksinën kundër Ebolës, e cila zgjati pesë vjet. Shumica e përpjekjeve për krijimin e vaksinave kundër SARS-CoV-2, kanë vënë në shënjestër glikoproteinat që ndodhen në sipërfaqen e grimcës sferike të koronavirusit. Por glikoproteinat – një kombinim i molekulave të sheqerit dhe proteinave – janë shumë të zonja për të shmangur reagimin imunitar të njeriut.

 

 

Amerikanët janë optimistë për nga natyra, dhe publiku ka të drejtë të shpresojë për më të mirën. Por politikanët duhet të përgatiten për më të keqen. Dhe kjo do të thotë se duhet të marrin në konsideratë opsione për rihapjen e ekonomisë në një botë ku nuk e kemi vënë ende plotësisht nën kontroll pandeminë e COVID-19.

 

Koha është thelbësore

Moody’s Analytics vlerëson se brenda vetëm disa javësh, porositë për të qëndruar në shtëpi e kanë ulur prodhimin e ekonomisë amerikane me 29%. Kongresi ka shpenzuar mbi 2 trilionë dollarë, dhe Rezerva Federale edhe më tepër, për të mbështetur ekonominë në muajin prill.

 

 

Një studim i vitit 2016, nga Instituti JPMorgan Chase, zbuloi se “shumica e bizneseve të vogla kanë një nivel rezervash me para që nuk do të ishte i mjaftueshëm për të mundësuar siguri në një rënie të konsiderueshme ekonomike ose ndonjë problemi tjetër”. Bizneset e vogla dhe të mesme zotërojnë mesatarisht rezerva parash të mjaftueshme për vetëm 27 ditë.

 

 

Lajmi i mirë është se ka mënyra për të rihapur një pjesë të mirë të ekonomisë, ndërkohë që vazhdojmë të luftojmë për të rrafshuar kurbën e COVID-19.

Disa komentues mbështesin idenë e një dikotomie, sipas së cilës, mund të përmirësojmë shëndetin publik vetëm nëpërmjet mbylljes totale të ekonomisë, dhe e vetmja mënyrë për të përmirësuar ekonominë – në një periudhë afatshkurtër – është duke sakrifikuar shëndetin publik. Kjo dikotomi është e rreme. Teknologjitë dhe dëshmitë e reja mbi epidemiologjinë e COVID-19, do t’u japin mundësi amerikanëve të krijojnë një strategji të re, e cila mund të rimëkëmbë pjesën më të madhe të ekonomisë amerikane, pa rrezikuar shumë shëndetin publik.

 

Amerikanët e shëndetshëm, nën 65 vjeç, janë më pak të rrezikuar

Megjithëse njerëz të të gjitha moshave nuk kanë arritur t’i mbijetojnë COVID-19, ekzistojnë prova të konsiderueshme paraprake që tregojnë se infeksioni nga SARS-CoV-2 është veçanërisht vdekjeprurës për të moshuarit, sidomos ata që vuajnë nga sëmundje të tjera, si sëmundjet kardiovaskulare, tensioni i lartë, diabeti, astma e rëndë, sëmundje kronike obstruktive pulmonare (COPD), probleme me mushkëritë ose mëlçinë, imuniteti i dobët dhe sëmundjet kancerogjene. Personat e moshës 40 deri në 65 vjeç, janë gjithashtu në rrezik nëse vuajnë nga sëmundje të tjera kronike.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreziku i vdekjes nga COVID-19 është shumë më i lartë tek të moshuarit sesa tek individët e rinj. Deri më 17 prill, ka pasur 129 vdekje për grupmoshën nën 35 vjeç, dhe vetëm 16 vdekje për grupmoshën nën 15 vjeç. Nga ana tjetër, ka pasur mbi 10,000 vdekje nga COVID-19 të personave mbi moshën 65 vjeç, që përbëjnë 78% të totalit të vdekjeve në SHBA.

 

 

Kjo prirje është vënë re në të gjithë botën, dhe tregon se mund të bëjmë më shumë për të rikthyer në punë personat me rrezik më të ulët: sidomos njerëzit e shëndetshëm në moshë pune. Së shpejti duhet të bëhet e mundur të studiohen me kujdes veçoritë e pacientëve me rrezik më të lartë në dimensione të tjera përtej moshës dhe gjendjes shëndetësore, në mënyrë që të rritet numri i njerëzve që mund të punojnë të sigurt. Për shembull, provat duket se tregojnë që burrat janë më të rrezikuar sesa gratë, dhe me kalimin e kohës, mund të zbulohen se profile të caktuara gjenetike janë në rrezik më të lartë ose më të ulët.

Kjo nuk do të thotë se nuk ka asnjë rrezik për të rinjtë, por përfitimet njerëzore të rihapjes së ekonomisë me personat e rinj, ia vlejnë barra qiranë. Një studim i datës 9 prill nga Data for Progress, zbuloi se 52% e votuesve amerikanë nën 45 vjeç “kanë humbur punën, janë pushuar, janë pezullu përkohësisht ose i janë shkurtuar orët e punës”. Ndërsa të moshuarit janë prekur më rëndë nga sëmundja e COVID-19, më të rinjtë janë prekur më rëndë nga pasojat ekonomike të masave izoluese.

 

Kontrolli i përhapjes së COVID-19

Përveç izolimit të personave të infektuar, “gjurmimi i kontakteve”, një teknikë e shëndetit publik, mund të na ndihmojë të ngadalësojmë përhapjen e COVID-19, ndërsa kemi ende kapacitet të kufizuar testimi.

Gjurmimi i kontakteve përfshin intervistimin e një pacienti të infektuar; identifikimin e të gjithë personave me të cilët ai pacient ka qenë në kontakt; duke i paralajmëruar ata individë se mund të jenë në rrezik; dhe pastaj testimi, trajtimi dhe/ose izolimi i këtyre personave në rrezik.

Vendet aziatike si Singapori, Tajvani dhe Koreja e Jugut, kanë përmirësuar gjurmimin e kontakteve duke përfshirë të dhënat e vendndodhjes nga Bluetooth dhe/ose smartphone, të aktivizuar me GPS.

Më 10 prill, Apple dhe Google njoftuan se kishin rënë dakord për të bashkëpunuar në “ndërfaqet e programimit të aplikacionit (API) dhe teknologjinë e nivelit të sistemit operativ për të ndihmuar në gjurmimin e kontaktit” dhe gjithashtu një “platformë të gjurmimit të kontaktit me bazë Bluetooth”. Përpjekja Apple-Google mund të përshpejtojë në mënyrë dramatike aftësinë e palëve të treta, përfshirë autoritetet e shëndetit publik, për të zhvilluar aplikacione smartphone që mund të krijojnë gjurmime të kontakteve në mbarë vendin.

Do të jetë e rëndësishme të sigurohet që gjurmimi i kontakteve të respektojë ligjet e privatësisë së SHBA-së, përfshirë Aktin e Kalifornisë mbi Privatësinë e Konsumatorëve. Unioni i Lirive Civile Amerikane e ka cilësuar përpjekjen Apple-Google si një “nismë që duket se zbut rreziqet më të këqija të privatësisë dhe të centralizimit”, për shkak të qasjes së tij të bazuar në Bluetooth. Por megjithëse Bluetooth është një qasje më superiore nga pikëpamja e privatësisë, nuk është plotësisht e saktë, sepse dy individë mund të përkufizohen si “të lidhur” përmes Bluetooth edhe nëse janë në dhoma të ndara, pa asnjë kontakt me njëri-tjetrin.

Ne vlerësojmë se nëse 50% e popullsisë i përdor këto aplikacione, mund të arrijmë në gjurmim të fortë të kontakteve. Qeveria gjithashtu duhet të krijojë stimuj të fuqishëm për ta bërë më të lehtë që kontaktet e infektuara të marrin pjesë në këtë sistem dhe të vetizolohen, duke siguruar lehtësimin e të ardhurave dhe akomodimin, atëherë kur është e nevojshme, në mënyrë që të ndërpresin zinxhirin e transmetimit. Autoritetet federale dhe shtetërore mund të plotësojnë gjurmimin e kontakteve të bazuar në teknologji, duke rritur gjithashtu fondet për metodën tradicionale të bazuar në pyetjen e të infektuarit.

Gjurmimi efektiv i kontakteve mund të kërkojë thjesht një përmirësim modest të nivelit aktual të testimeve. Një studim i datës 7 prill, botuar nga Mark McClellan dhe kolegët e tij në Qendrën e Politikës Shëndetësore Duke Margolis, vlerëson paraprakisht se “një kapacitet kombëtar prej të paktën 750,000 testesh në javë, do të lejojë izolimin dhe gjurmimin e kontakteve”. 750,000 teste në javë është një shifër paksa më e lartë se niveli i mesit të muajit prill në SHBA prej 100,000 testesh në ditë, megjithëse aftësia e tanishme e testimit mbështetet më tepër në analizat e antitrupave se në testin RT-PCR.

 

Një strategji e re për rihapjen e ekonomisë

Mbështetur në këtë kombinim faktorësh (1) mundësia domethënëse e një skenari pesimist, sipas të cilit përhapja e virusit nuk mund të përmbahet plotësisht në një periudhë afatshkurtër; (2) rrezikshmëria më e lartë e vdekjeve nga Covid-19 tek të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike; dhe (3) mjetet e reja për gjurmimin e kontakteve dhe karantinat — ne kemi propozuar një strategji të re për t’i rikthyer amerikanët në punë dhe për të rimëkëmbur sa më shumë ekonominë e SHBA-së:

 

Të rihapen kopshtet, shkollat nëntëvjeçare dhe gjimnazet.

Megjithëse ka pasur raste sëmundjesh dhe vdekjesh nga COVID-19 tek fëmijët në moshë shkollore, ato janë mjaftueshëm të ulëta për të justifikuar rihapjen e shkollave, kopshteve dhe qendrave të kujdesit për fëmijë. Nxënësit që jetojnë me persona tepër të rrezikuar, si të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, dhe/ose janë në kontakt të ngushtë me individë me rrezik të lartë, duhet të qëndrojnë në shtëpi, po ashtu edhe mësuesit dhe anëtarët e stafit që janë tepër të rrezikuar. Shkollat ​​duhet të administrojnë teknika të pastrimit të thellë çdo ditë, në mënyrë që të zvogëlojnë përhapjen e SARS-CoV-2, dhe të miratojnë praktika të tjera më të mira të shëndetit publik, siç është larja e shpeshtë e duarve.

Shkollat ​​duhet të marrin në konsideratë grupimin e studentëve së bashku, dhe riorganizimin e stafit në mënyrë që të zvogëlojnë kontaktet çdo ditë. Rihapja e shkollave do të na ndihmojë të shmangim rritjen e pabarazive arsimore në SHBA, dhe do t’i mundësojë prindërve të fëmijëve në moshë shkollore të punojnë në mënyrë produktive. Shkollat ​​fillore dhe të mesme publike duhet të rifitojnë kohën e humbur, duke përfunduar semestrin e pranverës në muajt e verës.

Për fëmijët që duhet të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të marrëdhënies së tyre me individë me rrezik të lartë, qeveritë shtetërore dhe lokale duhet të sigurojnë qasje në opsione mësimore me cilësi të lartë, përfshirë qasje të besueshme në internet dhe mundësi për udhëzime virtuale, siç është modeli “klasë e përmbysur” ku regjistrohen leksionet dhe mësuesi investon kohë në mësime interaktive. Në veçanti, shtetet duhet të udhëheqin në planifikimin e kurrikulave virtuale për të gjithë nxënësit që duhet të qëndrojnë në shtëpi. Shkollat ​​gjithashtu duhet të krijojnë plane të vazhdimësisë në rast se viti shkollor 2020–2021 ndërpritet nga një shpërthim i zgjatur.

Duhen hequr urdhrat e qëndrimit në shtëpi për shumicën e individëve jo të moshuar. Personat e shëndetshëm nën moshën 65 vjeç, të cilët nuk kanë kontakt të rregullt me ​​individë në rrezik të lartë, duhet të lejohen nga qeveritë e shteteve të rikthehen në punë, edhe nëse punojnë në biznese “jo thelbësore”. Individët e moshës 40 deri në 65 vjeç, duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi nëse vuajnë nga ndonjë sëmundje tjetër që i bën më të rrezikuar ndaj COVID-19, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, tensioni i lartë, diabeti, astma e rëndë, sëmundje kronike obstruktive pulmonare (COPD), sëmundje të veshkave, të mëlçisë, imunitet të dobët ose kancer.

Ia vlen të përmendet se një përqindje e madhe e popullsisë mbi 40 vjeç ka një nga këto kushte, kështu që do të jetë me rëndësi të monitorohen rastet e COVID-19 me kalimin e kohës, për të gjetur prova që na ndihmojnë të ngushtojmë kategoritë e rrezikut, dhe gjithashtu prova në lidhje me marrëdhënien midis testeve pozitive të antitrupave dhe imunitetit. Zyrtarët shtetërorë duhet të nxisin individët që kthehen në punë për të shkarkuar dhe për të instaluar aplikacionet e gjurmimit të kontakteve që përmbushin standardet amerikane të privatësisë dhe kanë potencialin për përdorim mjaft të gjerë.

Të rihapen bizneset e sigurta, “jo thelbësore”.

Për shembull, larja e makinave mund të mos jetë “thelbësore” siç janë spitalet, por lavazhet e makinave nuk kërkojnë ndërveprim social dhe nuk e lehtësojnë transmetimin viral mes njerëzve. Shtetet duhet t’i lejojnë bizneset që mund të veprojnë në mënyrë të sigurt në një mjedis pandemik, pavarësisht nëse forca e tyre e punës përfshin ose jo popullsi të moshuar ose më të rrezikuar.

Duhen nxitur punëdhënësit të mundësojnë testimin RT-PCR në punë.

Kongresi duhet të ofrojë një kredi tatimore prej 300 dollarësh për test – afërsisht e barabartë me koston e një testi RT-PCR – për bizneset që administrojnë teste RT-PCR për punëtorët e tyre, dhe të sigurojë punëdhënësit se nuk do të cilësohen përgjegjës për sa i përket administrimit të këtyre testeve. Testimet në vendet e punës do të përshpejtojnë ripunësimin, dhe do të rrisin besimin e konsumatorit në bizneset e shitjes me pakicë që administrojnë teste universale. Një kredi tatimore me vlerë fikse do t’i stimulojë punëdhënësit të bëjnë blerje për platformën më të efektshme të testimit dhe do të rrisë konkurrencën e çmimeve midis furnizuesve të testeve.

Duhen nxitur konsumatorët të përdorin aplikacionet për gjurmimin e kontakteve.

Në mënyrë të ngjashme, Kongresi mund të ofrojë një kredi tatimore prej $50 për konsumatorët që shkarkojnë një aplikacion të certifikuar të gjurmimit të kontakteve, që përmbush standardet e privatësisë dhe qëndrueshmërisë.

Duhet vazhduar të ndalohen grumbullimet e mëdha në grup.

Për të zvogëluar rrezikun e transmetimit të shfrenuar, shtetet duhet të vazhdojnë të ndalojnë mbledhjet e mëdha të grupeve, si ngjarjet sportive, koncertet, konventat dhe parqet e lojërave. Vendet me rrezik të lartë si baret, klubet e natës dhe palestrat duhet të qëndrojnë të mbyllura derisa shkalla e riprodhimit të infeksionit, të matur nga R₀, të bjerë nën 1. Shtetet duhet të lejojnë që restorantet të rihapen, por me rregulla të reja të distancimit të tavolinave, për të mundësuar largësinë fizike, dhe të vlerësojnë në mënyrë aktive R₀ në lokalitetet dhe qarqet.

lejohen udhëtimet ajrore dhe udhëtimet me Amtrak.

Në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i përhapjes së koronavirusit tek individët gjatë fluturimeve dhe udhëtimeve me trenat Amtrak, korporatës Amtrak dhe të gjitha linjave ajrore duhet t’u kërkohet që të lënë të lira ndenjëset e mesit, për sa kohë që marrin ndihmë nga Kongresi për të vazhduar operacionet e tyre. Linjat ajrore duhet t’i furnizojnë pasagjerët me maska ​​dhe peceta të lagura me alkool, dhe të pastrojnë thellësisht aeroplanet pas çdo fluturimi, siç janë duke bërë tashmë disa kompani ajrore.

Personave që udhëtojnë me avion ose Amtrak, duhet t’u kërkohet të marrin pjesë në një aplikacion të certifikuar të gjurmimit të kontakteve, dhe linjat ajrore duhet të testojnë ekuipazhin e tyre të fluturimit sa më shpesh të jetë e mundur – të paktën një ose dy herë në javë, me teste RT-PCR, për të konfirmuar mungesën e infeksionit. Pasi të jetë mundësuar testimi në masë, pasagjerëve duhet t’u kërkohet të demonstrojnë gjatë procesit të check-in se kanë testuar negativë për SARS-CoV-2 me një test RT-PCR të miratuar nga FDA-ja dhe të vërtetojnë se nuk kanë pasur simptoma brenda dy javëve të fundit.

Nëse provohet se antitrupat janë mbrojtëse, prova për mbartjen e tyre mund të mjaftojë për hipjen në bord. Këto masa mund të bëhen të vlefshme edhe për metrotë, autobusët dhe trenat, aty ku është e mundur. Meqenëse transportuesit do të kenë një stimulim ekonomik për të rritur numrin e pasagjerëve, Kongresi duhet të sigurojë fonde të përshtatshme për t’i ndihmuar ata të lehtësojnë testimin e pasagjerëve. Si një masë testimi shtesë, Administrata e Sigurisë së Transportit duhet të punojë me aeroportet për të siguruar që skanuesit e aeroporteve të jenë të konfiguruar për të zbuluar pasagjerët me temperatura tepër të larta, pasi ethet mund të jenë një shenjë e infeksionit të SARS-CoV-2.

Të mos penalizohen shtetet që kufizojnë udhëtimin ndërshtetëror.

Mund të bëhet e nevojshme që qeveritë e shteteve të kufizojnë hyrjen në juridiksionet e tyre për amerikanët që vijnë nga një shtet kufitar ku COVID-19 është përhapur së tepërmi. Për shembull, më 29 mars, në përgjigje të një shpërthimi të COVID-19 në New Orleans, guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke kërkuar që personat të cilët vinin me makinë nga Luiziana në Teksas, të hynin në karantinë për 14 ditë gjatë qëndrimit në Teksas.

Sipas Kushtetutës së SHBA-së, rregullimi i tregtisë ndërshtetërore është fushë e qeverisë federale; prandaj, mund të jetë e nevojshme që Kongresi t’i japë një të drejtë të përkohshme shteteve për të kufizuar udhëtimet për shkak të përhapjes së COVID-19, në mënyrë që të sigurohet që masa të tilla të mos sfidohen në procese gjyqësore.

Të shihet me përparësi testimi në sektorët me rrezik të lartë.

Teksa testimet rriten, do të jetë e rëndësishme të sigurohet se njerëzit që punojnë ose jetojnë në ambiente me rrezik të lartë, do të kenë qasje ndaj testeve të miratuara nga FDA-ja. Këtu përfshihen punëtorët e kujdesit shëndetësor; pacientët në spital; personat që punojnë në bizneset thelbësore; dhe ata që punojnë ose jetojnë në ambiente me rrezik të lartë, si azile pleqsh, ambiente rehabilitimi dhe burgje. Për më tepër, FDA-ja duhet të bëjë gjithçka për të mundësuar testimet RT-PCR në shtëpi, në mënyrë që të mund të diagnostikohen më shpejt infeksionet, duke zvogëluar numrin e kontakteve të ekspozuara.

Të lidhen kontrata me hotelet bosh për të strehuar pacientët e sëmurë nga COVID-19.

Qeveritë shtetërore duhet të lidhin kontrata me pronarët e hoteleve për të strehuar pacientët e infektuar nga koronavirusi, të cilët nuk kanë asnjë alternativë për të jetuar në shtëpi. Strehimi në karantinë mund të ndihmojë veçanërisht ata që jetojnë me individë të rrezikuar, ose në një azil pleqsh.

Të minimizohen pranimet jothelbësore në spitale.

Ekzistojnë prova të konsiderueshme, të hartuara këtu nga Jonathan Tepper, që tregojnë se infeksionet nosokomiale – ato që përhapen brenda spitalit – ndikojnë në shpërthimin e COVID-19. Autoritetet federale dhe shtetërore duhet të punojnë me mjekët dhe institucionet e kujdesit akut, për t’u siguruar që sa më shumë pacientë të jetë e mundur të vizitohen nëpërmjet vizitave virtuale dhe të dërgohen në ambientet ambulatore.

Të zhvillohen strategji për testimin e komunitetit.

Siç tregoi studimi i serologjisë nga Santa Clara, është thelbësore të kuptohet prevalenca e vërtetë e shkallëve të infeksionit të SARS-CoV-2 në komunitet, në mënyrë që të kuptohet rreziku i vërtetë i virusit. Zyrtarët e shëndetit publik duhet të ndërtojnë plane strategjike për testimet në masë RT-PCR dhe testimin e antitrupave, në mënyrë që të kuptojnë plotësisht normat e seroprevalencës. Testime të tilla mund të përfshijnë ndalesa për makinat ku mund të bëhen testimet, vendet e punës, ose zyrat e mjekëve dhe farmacitë. Kompanitë e sigurimit dhe mjekët duhet të punojnë së bashku për të siguruar që çdo pacient i cili kryen kontrollin fizik vjetor, të testohet për ARN-në koronavirale dhe antitrupa, pa qenë nevoja që pacienti të paguajë kosto shtesë.

Të inkurajohen shtetet të japin reciprocitet për mjekët me licenca jashtë shtetit dhe të liberalizohen rregulloret e praktikës. Çdo shtet amerikan ka sistemin e tij për licencimin e mjekëve, i cili krijon pengesa artificiale për lëvizjen e mjekëve drejt zonave në nevojë: një pengesë e cila kthehet në krizë gjatë pandemisë. Kongresi duhet të rezervojë një pjesë të ndihmës federale për kujdesin shëndetësor, për shtetet që miratojnë ligje që i lejojnë çdo mjeku të licencuar në një shtet tjetër amerikan, të praktikojë me të njëjtën licencë brenda juridiksionit të tij.

Heqja e këtyre barrierave duhet të jetë e thjeshtë; për shembull, platforma e kujdesit shëndetësor Merita, ka krijuar një sistem për identifikimin e identitetit që mundëson reciprokimin e licencave ndërmjet shteteve. Gjithashtu, Kongresi duhet të shpërblejë shtetet që lejojnë infermierët praktikantë, asistentët mjekësorë, infermierët anestezistë dhe punonjës të tjerë mjekësorë, të praktikojnë licencat e tyre pa mbikëqyrjen e një mjeku. Sot, shumë shtete kanë ligje për “shtrirjen e praktikës”, që kufizojnë në mënyrë arbitrare këta profesionistë të kujdesit shëndetësor nga kryerja e shërbimeve që janë të trajnuar të kryejnë.

Duhet vazhduar të rritet kapaciteti i njësive të kujdesit intensiv (ICU), respiratorëve, pajisjeve mbrojtëse personale (PPE) dhe maskave N95.

SHBA duhet të vazhdojë të forcojë aftësinë e saj për të trajtuar pacientët me sindromë akute të frymëmarrjes, në mënyrë që të sigurohet që një valë e dytë infeksionesh të mos destabilizojë infrastrukturën tonë të kujdesit shëndetësor.

 

Riparimi i dëmit të shkaktuar deri tani

Strategjia e re që propozojmë mbështetet në faktin se bllokimi ka shkaktuar dëme tronditëse ekonomike dhe njerëzore për një kohë të shkurtër. Faturat stimuluese të miratuara nga Kongresi mund të arrijnë disa përfitime, sidomos ato elemente që ndihmojnë bizneset e vogla të paguajnë punëtorët e tyre gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpi. Por, në anë të tjera, politikat kanë pasur të meta, si për shembull, çeqet pa dallim prej 1,200 dollarësh që u dërgohen shumicës së amerikanëve, pavarësisht nevojave të ndryshme në situatën e COVID-19.

Ndërsa masa të tjera – si mandatet e kushtueshme të punëdhënësve që e bëjnë edhe më të vështirë mbajtjen e punëtorëve – janë me të vërtetë joproduktive. Për shembull, më 13 mars, Kongresi miratoi Aktin e Përgjigjes ndaj Koronavirusit të quajtur “Familjet të Parat”, i cili përmban një kërkesë të dizenjuar dobët, sipas së cilës punëdhënësit duhet t’u ofrojnë punëtorëve 12 javë leje me pagesë, e cila do të kompensohej pjesërisht nga një kredi tatimore e ndërlikuar dhe e pavolitshme. Shumica e bizneseve të mëdha ofrojnë leje me pagesë në rast sëmundjesh, por bizneset më të vogla me rezerva të pakta parash, do të përballen me një trysni shtesë, duke u detyruar të pushojnë punonjësit e tyre ose të mbyllin fare dyert e biznesit.

Politikanët në Uashington po shqyrtojnë si mundësi faturat shtesë stimuluese, dhe qeveritë e shteteve të ndryshme vazhdojnë të kërkojnë mënyra për të ndihmuar komunitetet e tyre. Këto mjete shtesë mund të përdoren për të marrë në konsideratë politikat e mëposhtme:

 

 

Risigurime shëndetësore për të financuar koston e kujdesit për të sëmurët.

Risigurimi, i cili funksionon si mjet për të ndihmuar pacientët në rrezik të lartë, mund të përdoret për të financuar drejtpërdrejt kostot e kujdesit për individët e sëmurë, si ata me COVID-19. Kongresi duhet të rifinancojë një sigurim prej 20 miliardë dollarësh në vit për tregun individual të sigurimeve, dhe 20 miliardë dollarë në fonde shtesë për risigurimin e Medicare Advantage, në mënyrë që ata që kanë humbur punën të kenë mundësinë të gjejnë “premiume” të përballueshme në këto tregje alternative.

Të ulen shpenzimet e xhepit për të moshuarit në blerjen e ilaçeve me recetë.

Komiteti i Financave të Senatit ka paraqitur një paketë reformash që mbulojnë shpenzimet e xhepit për blerjen e ilaçeve me recetë në sistemin Medicare, duke ulur gjithashtu shpenzimet e përgjithshme të Medicare me 100 miliardë dollarë gjatë 10 viteve. Këto kursime do të ndihmojnë në kompensimin e shpenzimeve për risigurime dhe programe të tjera.

Të ofrohet mbështetje shtesë për popullatat në rrezik të lartë.

Nëse nuk krijohet me sukses një vaksinë ose nuk arrihet imuniteti në masë i popullsisë, njerëzit mbi 65 vjeç dhe personat e tjerë në rrezik të lartë që diskutuam më sipër, nuk do të jenë në gjendje të punojnë dhe të marrin pjesë plotësisht në shoqëri. Kongresi duhet të sigurojë lehtësim të të ardhurave për individët e padalë në pension dhe që nuk mund të punojnë për arsye sigurie. Gjithashtu autoritetet duhet të lehtësojnë mbështetjen sociale përmes mekanizmave, si shpërndarja e ushqimeve pa kontakt fizik, telemjekësia dhe kujdesi virtual për shëndetin mendor.

Të ndalohen transferimet e detyrueshme të pacientëve me COVID-19 në azilet e pleqve.

Në mars, Departamenti Shëndetësor i Shtetit në Nju Jork, nxori një direktivë, duke detyruar azilet e pleqve të pranonin pacientët që ishin larguar nga spitalet pasi ishin infektuar me SARS-CoV-2. Ky mandat nxiti përhapjen e COVID-19 në Nju Jork dhe shtetet fqinje. Mandate të tilla duhen shfuqizuar, dhe duhet të zëvendësohen me metoda që ndihmojnë të moshuarit të rikuperohen pa i rrezikuar banorët e tjerë të azileve të pleqve.

Të investohet në shkëmbimet e të dhënave të kujdesit shëndetësor midis dhe brenda shteteve.

COVID-19 ka nxjerrë në pah boshllëqe të mëdha në informacionin e kujdesit shëndetësor, duke penguar aftësinë tonë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive pandemisë. Shumica e shteteve kanë krijuar fletëpalosje të thjeshta për të ndjekur ngarkimin e spitaleve, burime si ventilatorët dhe pajisjet mbrojtëse, dhe nivelin e infeksionit dhe të dhënat diagnostikuese. Këto fletëpalosje duhet të shndërrohen në lidhje të qëndrueshme, API dhe burime të të dhënave, në mënyrë që kur të shfaqen sëmundje në të ardhmen, sistemi shëndetësor të jetë shumë më i përgjegjshëm dhe i përshtatshëm. Në vitin 2010, Akti HITECH bëri të detyrueshme që të dhënat elektronike shëndetësore të jenë në gjendje të shkëmbejnë informacione për ngarkesat e spitaleve, si dhe kërkoi fonde për të krijuar shkëmbime informacioni midis shteteve, por shumë shtete amerikane ende nuk e zotërojnë këtë lidhje.

Shtetet e mëdha me metropole të mëdha duhet të ndërtojnë rezerva të pavarura mjekësore.

Kongresi nuk e kishte parashikuar që Stoku Kombëtar Strategjik (SNS) duhej të përballej me një pandemi të zgjatur mbarëkombëtare. Përkundrazi, SNS-ja ishte krijuar për të shërbyer si një burim për sulme më të rajonalizuara të bioterrorit dhe katastrofave natyrore, dhe si një “rezervë” pasi të ishin shteruar sektori privat dhe furnizimet shtetërore. Në mënyrë alarmuese, gati 90% e pajisjeve mbrojtëse personale të SNS-së u zbraz deri në fillim të prillit. Shtetet me qendra të mëdha urbane, si Nju Jorku, Florida, Kalifornia, Pensilvania dhe Ilinoisi, duhet të marrin në konsideratë ndërtimin e rezervave të pavarura të respiratorëve dhe pajisjeve mjekësore, bazuar në nevojat e tyre.

Rishikimi i menaxhimit të Rezervës Strategjike Kombëtare dhe kontratave federale për gatishmëri emergjente.

Raportimet nga ProPublica dhe New York Times zbuluan se gabime të shumta çuan në një mungesë respiratorësh në nivel kombëtar. Në vitin 2006, zyrtarët federalë u përpoqën të blinin 70,000 respiratorë nga sektori privat për dhjetë vjet; në mars 2020, vetëm 12,700 ishin të disponueshëm për shpërndarje. Do të jetë e rëndësishme për degën ekzekutive të vlerësojë në mënyrë objektive këto pengesa burokratike dhe të lehtësojë bashkëpunimin ndërinstitucional në lidhje me kontratat e gatishmërisë emergjente.

Duhen përshpejtuar projektet e infrastrukturës. Shtetet duhet të përfitojnë nga ulja e trafikut për të përshpejtuar projektet e infrastrukturës në autostrada. Përshpejtimi mund të sigurojë një stimulim ekonomik afatshkurtër, duke punësuar më shumë njerëz, dhe gjithashtu rimëkëmbje afatmesme, duke zvogëluar bllokimet e trafikut.

Duhen siguruar burime dhe mbështetje për shkollat dhe institucionet arsimore që mbeten të hapura gjatë verës.

Pabarazitë në fushën arsimore rrezikojnë të rriten gjatë kësaj periudhe të mbylljes së shkollave, sepse prindërit me të ardhura të ulëta nuk kanë burime për të siguruar mundësi arsimore jashtë shkolle për fëmijët e tyre. Kongresi dhe qeveritë e shteteve mund të ndihmojnë financiarisht shkollat dhe institucionet arsimore që zgjedhin të qëndrojnë të hapura gjatë verës për të fituar kohën e humbur, ose për të siguruar që fëmijët të kenë qasje të barabartë në një arsimim cilësor. Nëse kontratat e sindikatës së mësuesve nuk i lejojnë shkollat të mbeten të hapura gjatë muajve të verës, fondet federale dhe/ose ndihma shtetërore kundër COVID-19, mund të aplikohen në Llogaritë e Kursimit të Arsimit të përdoren më pas nga familjet për të paguar për shërbimet e mësimit online.

Të adresohet kriza e mundshme humanitare në burgjet e Amerikës.

Siç ka vënë në dukje Jonathan Blanks, burgjet nuk janë ndërtuar për të ruajtur distancimin fizik. Kongresi duhet të japë fonde shtesë për t’u siguruar që burgjet federale, shtetërore dhe lokale të kenë mjetet e nevojshme për të testuar të burgosurit dhe punëtorët për koronavirus; të izolohen personat që testojnë pozitivë; dhe të konsiderohet lirimi i parakohshëm për të burgosurit që testojnë negativë ndaj SARS-CoV-2 dhe plotësojnë kriteret si jo të dhunshëm dhe të parrezikshëm.

 

Kush përfiton nga hapja e pjesshme e shkollave dhe ekonomisë?

Plani ynë është krijuar për të maksimizuar aftësinë e Amerikës për të rihapur ekonominë, duke mbrojtur shëndetin publik. Por rruga që ju rekomandojmë ka kufizime të rëndësishme.

Për shembull, propozimi ynë për të rihapur shkollat për fëmijët që nuk jetojnë me persona të moshuar ose në rrezik, do të thotë se disa fëmijë duhet të qëndrojnë në shtëpi. Sëmundjet kronike janë më të përhapura tek personat me të ardhura më të ulëta dhe afro-amerikanët. Nga ana tjetër, ka shumë nëna beqare të cilat nuk mund të punojnë sepse nuk mund t’i lënë fëmijët vetëm në shtëpi.

Ne besojmë se përfitimet për ata fëmijë dhe prindër i kapërcejnë disavantazhet e rihapjes së pjesshme të shkollave. Sidoqoftë, është e rëndësishme që shtetet të bëjnë gjithçka të jetë e mundur për të lehtësuar mësimin virtual për ata që qëndrojnë në shtëpi.

Edhe një rihapje e pjesshme e punëve mund të përfshijë pabarazi të përkohshme. Një program i gjerë testimi në vendet e punës mund të ndihmojë në zbutjen e këtij problemi. Edhe në këtë rast, vazhdimi i bllokimit ekonomik pa asnjë përpjekje për rihapje, do të ketë efekte edhe më të këqija për komunitetet në nevojë dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Ekzistojnë prova të mjafrueshme që tregojnë se rritjet e konsiderueshme të papunësisë rrisin numrin e të vdekurve. Një rritje prej 1 pikë përqindje në shkallën e papunësisë në SHBA, shoqërohet me një rritje prej 6% të probabilitetit të vdekjeve gjatë vitit të ardhshëm. Vetëm tek pacientët me sëmundje të zemrës, papunësia shoqërohet me një rritje prej 50% të rrezikut të vdekjeve.

Këto efekte ekonomike janë të ndara nga efektet e drejtpërdrejta në sistemin e kujdesit shëndetësor për sa i përket neglizhencës ose shmangies së kujdesit të nevojshëm. Ende nuk e dimë sa amerikanë kanë hequr dorë nga kujdesi shëndetësor i palidhur me COVID-19, por provat paraprake janë domethënëse. Dhurimet e organeve dhe transplantet janë ulur në mënyrë të ndjeshme, duke dëmtuar ata që kanë sëmundje të rëndë të mëlçisë. Në Karolinën e Veriut, shumë më pak njerëz po vijnë në dhomat e urgjencës, që mund të jetë një tregues se kushtet e zakonshme si atakët kardiakë, nuk po trajtohen siç duhet. Ndërprerjet e trajtimit ndaj kancerit mund të rrisin ndjeshëm vdekshmërinë. Deri tani, askush nuk ka provuar të kryejë një analizë sistematike të këtyre kostove.

 

Të mësojmë nga historia, por të mbështetemi në prova të reja

Pjesa më e madhe e paradigmës tradicionale për administrimin e pandemive vjen nga përvojat tona historike, veçanërisht nga pandemia e gripit spanjoll të vitit 1918. Por COVID-19 nuk është grip, dhe ata që i bazojnë rekomandimet e politikave në përvojën e vitit 1918, po shpërfillin mundësi të rëndësishme për rihapjen e ekonomisë.

Një vaksinë për SARS-CoV-2 mund të mos jetë aq e lehtë për t’u prodhuar sa vaksina kundër gripit. Dhe në krahasim me gripin, sëmundja e COVID-19 ndikon shumë më tepër të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Arsyeja kryesore për bllokimin ishte frika se COVID-19 do të mbingarkonte kapacitetin e spitaleve amerikane; Përkundrazi, sot, shumica e spitaleve të SHBA-së po frekuentohen shumë më pak.

Me pak fjalë, duhet të mësojmë nga historia, por jo të jemi të lidhur pas saj. Duhet të përqendrohemi në biologjinë specifike të virusit në fjalë, dhe provat specifike të sëmundjes në fjalë. Nëse i bëjmë këto gjëra, do të zbulojmë se kemi mundësi më të mira se ç’pritej, për të përmirësuar shëndetin publik dhe për të rihapur ekonominë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of