Arsimi Profesional në vend u përfshi në një reformë të thellë këtë dekadë me synimin për të rritur aftësitë në tregun e punës.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë (PNUD) duke analizuar këto arritje në një studim të posaçëm të publikuar së fundi për ecurinë e arsimit profesional analizoi se, menaxherët e bizneseve nuk i kanë shumë në fokus shkollat profesionale për të rekrutuar punonjës.
PNUD vë në dukje se përfaqësuesit e biznesit janë dakord të marrin nxënës për praktika profesionale, kryesisht sepse duan t’u bëjnë nder shkollave profesionale dhe nxënësve, dhe më pak sepse kanë nevojë. Disa menaxherë i shohin praktikat profesionale si një mundësi e mirë për të përzgjedhur stafin e ardhshëm, pasi ka ose do të ketë kërkesë për ta.
Menaxherët e kompanive shprehen se një pjesë e mësuesve të shkollave nuk janë të njohur me realitetin e biznesit në fushën ku japin mësim. Ekziston nevoja për programe aftësimi për mësuesit dhe instruktorët e shkollave profesionale në fushën e tyre të profesionit. Shumica e bizneseve nuk janë të përgatitur që të presin mësues të shkollave në ambientet e tyre për trajnim.
Një numër i vogël biznesesh kanë rënë tashmë dakord që të ftojnë mësuesit e shkollave profesionale për të përmirësuar aftësitë e tyre, dhe biznese të tjera u janë afruar shkollave profesionale për të ofruar kurse të përshtatura të cilat i përgjigjen nevojave të tyre për aftësi.
PNUD vë theksin se tema e praktikave profesionale ka shkaktuar polemika në diskutime, çka tregon se ende ka një rrugë të gjatë përpara, për t’i bërë ato pjesë të plotë dhe strukturore të çdo komponenti të arsimit profesional. Çdo sektor ka veçoritë e veta (p.sh. në hoteleri-turizëm kjo është më e lehtë se sa në TIK).
Sipas analizës së PNUD kompanitë ende nuk janë mësuar që të planifikojnë një program të organizuar praktike profesionale për kursantët e tyre dhe se si të zgjidhin çështjet që lidhen me mentorët e kompanive (certifikimi, trajnimi i mentorëve, përjashtimi i pjesshëm apo i plotë nga puna dhe shërbimi i rregullt në prodhim, që do të sillte kosto më të larta, etj).
Pronarët, menaxherët dhe mentorët e kompanive kanë sugjerime të detajuara sa i përket programeve të AFP-së, për të vendosur një lidhje më të mirë mes teorisë dhe praktikës (në punishtet e shkollave dhe në kompani) dhe për mënyrën e organizimit të koordinimit ndërmjet kompanive dhe shkollave.
Konceptet e mësuara teorike duhet të zbatohen menjëherë në projekte pune praktike në shkollë ose në detyra pune brenda kompanisë.
Ata gjithashtu ofrojnë bashkëpunimin e tyre për të hartuar bashkërisht planin e praktikës profesionale, për të mundësuar zhvillimin gradual të aftësive për nxënësit dhe për t’i dhënë çdo biznesi të kompanive një kontribut të vlefshëm.
PNUD sugjeron se, personi ndërlidhës në shkollën profesionale duhet të jetë një ekspert profesionist (”ekspert i fushës”), i cili komunikon direkt me mentorin e kompanisë, në vend që çdo çështje të shkojë në nivelin e menaxherit të biznesit dhe të drejtorit të shkollës profesionale.
Modeli i shkollës profesionale në Gjermani, tre ditë në punë dy ditë në shkollë
Arsimi dhe formimi profesional (AFP) nis pas klasës së 10-të dhe zgjat 2 deri në 3,5 vite. Të rinjtë mund të zgjedhin nga 325 profesione të njohura.
Pjesa më e madhe e AFP-së ofrohet në modalitetin e praktikës (p.sh. 3 ditë në vendin e punës, 2 ditë në shkollën me kohë të pjesshme ose në modalitetin në bllok) që bashkekziston me programet e formimit të AFP-së me bazë shkollën, kryesisht në profesionet komerciale dhe ato të lidhura me shëndetin.
Koncepti i një profesioni apo vokacioni të plotë është parimi bazë për AFP-në në Gjermani.
Sektori privat dhe përfaqësuesit e tyre (shoqatat e punëdhënësve, sindikatat dhe dhomat si organet kompetente) luajnë një rol kyç, p.sh., në projektimin e AFP-së, zhvillimin e standardeve të trajnimit, administrimin e trajnimit të çirakëve (duke përfshirë kurset ndërmjet kompanive), akreditimin e kompanive të trajnimit, trajnimin dhe licencimin e trajnuesve të kompanive dhe organizimin e vlerësimeve të jashtme.
Kompanitë e trajnimit kontribuojnë rreth 70% të kostove totale të trajnimit. Organet drejtuese shtetërore janë Ministria e Arsimit dhe Kërkimit (BMBF) dhe Instituti Federal për Arsimin dhe Formimin Profesional (BIBB).
Modeli i Serbisë, me programe moderne mësimore
Arsimi i mesëm në Serbi është pa pagesë dhe nuk është i detyrueshëm. Grupmosha e nxënësve në këtë nivel arsimor është 15 deri në 19 vjeç. Arsimi Profesional ofrohet në 250 profile me një kohëzgjatje prej 2, 3 ose 4 vitesh, dhe programet 4-vjeçare ofrojnë mundësinë e vazhdimit në arsimin e lartë.
Arsimi i mesëm ofrohet përmes drejtimeve të arsimit të përgjithshëm, AFP dhe dual (bazuar në ligjin për arsimin dual, të miratuar në vitin 2017). Qeverisja e arsimit në AFP-në sekondare dhe në atë dual i është besuar ministrisë përgjegjëse për arsimin, si autoriteti më i lartë i arsimit, dhe tre këshillave kombëtarë shumëpalësh për arsimin parauniversitar, arsimin AFP dhe të të rriturve dhe KKK-në.
Reforma në AFP nisi në vitin 2002 dhe ka çuar në 90 profile dhe kurrikula të arsimit AFP bazuar në standardet e kualifikimit dhe rezultatet e të nxënit, dhe është zhvilluar në një proces me përfshirjen e sektorit të biznesit/industrisë dhe të profesionistëve të arsimit. Thuajse gjysma e nxënësve të AFP-së janë regjistruar në profile të modernizuara. Modernizimi i AFP-së është një proces në vazhdim, me qëllimin që deri në vitin 2021 të gjithë nxënësit të regjistrohen në profile AFP-je bazuar në standardet e kualifikimit, në pajtim me programet arsimore moderne dhe të përditësuara.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Serbisë (CCIS) është një partner strategjik në zbatimin e sistemit arsimor dual dhe është përgjegjëse për akreditimin e punëdhënësve, për trajnimin dhe licencimin e instruktorëve, për menaxhimin dhe mbajtjen e regjistrave të kompanive që kanë hyrë në kontrata trajnim./B.H
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.