Pjesëmarrja në ankandet e bonove, tregu dominohet nga Raiffeisen

27/10/2020 12:30 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë vendosi në muajin gusht të këtij viti ndërprerjen e ofrimit të shërbimit të pjesëmarrjes në ankandet e bonove për individët.

Duke filluar nga viti 2021, banka qendrore nuk do të pranojë më hapjen e llogarive të reja për këtë qëllim dhe individët do të mund ta marrin këtë shërbim vetëm prej bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për veprimet me letrat me vlerë të qeverisë shqiptare.

Mbështetur në të dhënat më të fundit të AMF-së tregu i ofrimit të shërbimit të pjesëmarrjes në ankandet e bonove të thesarit për individët dominohet nga Raiffeisen Bank.

Sipas statistikave, 68% vlerës së bonove të blerë nga individët në tregun primar gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti u bë nëpërmjet Raiffeisen Bank. Ndërmjetësi i dytë për nga volumi renditet BKT, me rreth 18% të totalit.

Për sa i takon kostove, komisionet e aplikuara nga Raiffeisen dhe BKT janë në nivele të ngjashme, me 0.2% të shumës së investuar, por jo më shumë se 10 mijë lekë. Bankat e tjera të licencuara si shoqëri komisioneve kanalizuan së bashku rreth 14% të investimeve të individëve në ankandet e bonove të thesarit.

Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, individët investuan rreth 6.8 miliardë në tregun primar të bonove të thesarit, në rënie me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për shkak të normave të ulëta të interesit, individët po orientohen gjithnjë e më shumë te obligacionet, ku kthimet janë më të kënaqshme, sepse afatet e maturimit janë më të gjata. Vlera e investimit në obligacione për nëntë muajt e parë të këtij viti arriti në 6.1 miliardë lekë, 54% më shumë krahasuar me një vit më parë. Tashmë obligacionet përbëjnë rreth 47% të investimeve totale të individëve në tregun primar të letrave të borxhit qeveritar.

Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve është bërë gjithnjë nëpërmjet bankave, sepse Banka e Shqipërisë nuk e ka ofruar këtë shërbim. Ndryshe nga bonot e thesarit, pjesëmarrja në ankandet e obigacioneve sipas bankave komisionere paraqitet më e ekulibruar. Edhe këtu udhëheq sërish Raiffeisen, me 29% të shumës totale të investuar nga individët, e ndjekur nga BKT me 27% dhe Intesa Sanpaolo dhe 17%. /E.Shehu

Burimi: AMF

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of