Në fshatin tonë çdo familje ka emigrantë, unë vetë shkoj bashkë me dy-tre shokë nga muaji prill deri në muajin shtator ose tetor në Maqedoni. Aty dita e punës shkon 15-20 marka, d.m.th. 7-9 euro, -thotë një emigrant në fshatin Liqenas. Shumica e banorëve të fshatit Liqenas emigron me sezone në Maqedoni ose Greqi. Në Maqedoni ustai merr deri 15 euro, kurse ushqimi është sipas marrëveshjes me pronarin. Kurse në Greqi një usta që punon në ndërtim, merr rreth 29 euro, pra merr më shumë. Ai sqaron se kur shkoj në Maqedoni kursej 100-150 euro në muaj dhe të ardhurat janë vetëm për të ngrënë se i harxhojmë në periudhën që nuk emigrojmë. Kjo është panorama e një emigranti të thjeshtë që jeton me paratë e emigrimit. Paratë, puna, numri dhe jeta e migrantëve shqiptarë nëpër Botë, janë bërë publike në një raport të Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale. Gjatë periudhës 1991 “ 2003, dërgesat e migracionit ndërkombëtar kanë ardhur duke u rritur. Në vitin 2002 dërgesat e emigrantëve arritën në 630 milion USD, ishin rreth 2 herë më të larta se eksportet e mallrave dhe përfaqësonin burimin kryesor valutor të vendit. Ato kanë luajtur një rol të dukshëm për stabilizimin makroekonomik të vendit, për zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së një pjese të familjeve shqiptare, -thotë z. Ilir Gëdeshi, drejtor i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale (CESS).Në mungesë të kushteve më të përshtatshme ekonomiko-sociale sipas z. Gëdeshi, kjo sasi monetare e injektuar në ekonominë shqiptare nga migracioni ndërkombëtar, nuk ka nxitur sa duhet deri më sot prodhimin e vendit, por është përdorur për importin e mallrave të konsumit. Rreziku i parë, që vjen nga kjo gjendje, është se një pjesë e brezit të ri që hyn në tregun e punës, detyrohet t i drejtohet migracionit ndërkombëtar. Studimi Nxitja e zhvillimit ekonomik-sociale në lidhje me rritjen e rolit të ardhurave të emigrantëve u realizua me mbështetjen financiare të PNUD dhe Fondacionit Soros. Puna kërkimore në terren u realizua nga ekipi i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale (CESS) dhe u drejtua nga Ilir Gëdeshi. Raporti u prezantua gjatë një takimi të zhvilluar ditët e fundit nga Fondacioni Soros. Shifrat e emigrimitThuajse 12 vjet pas fillimit të tranzicionit, rreth 1/5 e shqiptarëve ose mbi 600,000 vetë kanë migruar jashtë vendit, ndërsa migrimi i brendshëm ka përfshirë qindra mijëra të tjerë. Anketa tregon se migracioni ndërkombëtar shqiptar është i shpërndarë në vende të ndryshme të Europës dhe jashtë saj. Pjesa më e madhe e të anketuarëve janë vendosur në Greqi (57.1%) dhe në Itali (36.6%). Kurse të tjerët kanë emigruar në SHBA (2%), në Gjermani (1.4%), në Kanada (0.9%), në Angli (0.5%) etj.Punë ta pakualifikuaraNë vendet pritëse emigrantët shqiptarë përgjithësisht kryejnë punë të pakualifikuara dhe gjysëm të kualifikuara në ndërtim, në hotele dhe restaurante, në ndërmarrje të vogla e të mesme industriale ose shërbimesh, në bujqësi etj. Emigrantët shqiptarë në vendet pritëse, sipas anketës, punojnë kryesisht në sektorin e shërbimeve (48.2%), në industri (32.6%), në ndërtim (9.4%) dhe në bujqësi (3.9%). Në këta sektorë ata kryejnë në përgjithësi punë të thjeshta dhe të pakualifikuara. Ndërsa gratë punojnë kryesisht në shërbime shtëpijake si pastruese, kujdestare për fëmijë, për njerëz të moshuar ose handikapatë etj. Në këto rrethana paga e tyre është e ulët. Të ardhurat dhe kursimet e emigrantëveMadhësia e dërgesave të emigrantëve varet nga disa faktorë kryesorë, siç janë niveli i të ardhurave në vendin e emigrimit, kursimet dhe sjellja e tij për të dërguar para në vendlindje. Thuajse 82% e emigrantëve shqiptarë dërgojnë para për të ndihmuar familjet ose të afërmit në vendlindje. Në vendin e emigrimit 48.6% e emigrantëve jetojnë me familjen, 6.2% me një pjesë të saj dhe 45.2% jetojnë vetëm. Në këto kushte, në vendin e emigrimit krahas kryefamiljarit mund të punojnë edhe një pjesë e anëtarëve të familjes, kryesisht gruaja dhe fëmijët e rritur. Në vitin 2002 të ardhurat mesatare mujore familjare të emigrantëve ndërkombëtarë ishin 1565 euro. Në rreth 43% të rasteve për krijimin e të ardhurave kontribuojnë edhe një ose disa pjesëtarë të familjes. Sipas anketës kryefamiljari siguron mesatarisht 1153 euro në muaj, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes kur punojnë, sigurojnë mesatarisht 1098 euro të ardhura në muaj. Kështu, të ardhurat mesatare mujore familjare të emigrantëve që punojnë në Greqi, arrijnë 1119 euro, ndërsa për ata që punojnë në Itali janë 1840 euro. Sipas anketës së realizuar, këto të ardhura janë më të larta për emigrantët që punojnë në Belgjikë, në Gjermani, në Angli, në Kanada dhe në SHBA. Të ardhurat mesatare mujore të familjes kur kryefamiljari është me arsim fillor janë 1242 euro, ndërsa kur kryefamiljari është me arsim të lartë ato janë 2736 euro. Rikthimi i emigrantëvePjesa më e madhe e emigrantëve afatgjatë ose 66% e tyre dëshirojnë të kthehen në vendlindje mesatarisht pas 5.6 vjetësh. Duke llogaritur edhe kohën kur kanë migruar, del se kjo pjesë e emigrantëve nga të gjitha vendet dëshirojnë të kthehen në vendlindje pas një kohëqëndrimi mesatar prej 13-14 vjetësh në emigracion. Rikthimi i emigrantëve ka rëndësi për zhvillimin lokal, sepse ata mund të investojnë kursimet financiare dhe kapitalin e tyre human të fituara në vendin e emigrimit. Kursimet e tyre familjare mesatare vjetore në vendin e emigrimit gjatë një periudhe 13-14 vjeçare do të jenë rreth 46,000 Euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.