Të mirat: Do të ketë mbështetje me ndërlidhje LTE-Advanced (më e shpejtë se i zakonshmi 4G LTE), ndërsa do të jenë të disponueshme edhe variantet 3G e LTE për tregjet në zhvillim.
Të këqijat: Ende nuk janë evidentuar
Të përgjithshme: Do të prezantohet në Panairin IFA 2014 në Berlin.
Çmimi: Mendohet se do të ketë çmim të përafërt me Note 3 (rreth 570 euro)
Tashmë që Samsung Galaxy S5 gjendet në pikat e shitjeve, gjiganti koreanojugor po përgatitet për prezantimin e modelit të dytë të së njëjtës gamë që do të jetë një element i rëndësishëm për vitin e ardhshëm. Do të quhet Samsung Galaxy Note 4 dhe prezantimi i tij do të bëhet në Panairin e përvitshëm të teknologjisë IFA 2014 që do të zhvillohet në Berlin. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja “Korea Times”.
Informacioni që publikoi “Korea Times” nuk është edhe aq i papritur, por konfirmon pak a shumë atë që priste i gjithë tregu i teknologjisë: gama e Galaxy Note ka lindur pikërisht në Panairin IFA të Berlinit dhe secili që është komercializuar deri tani, është prezantuar pikërisht në këtë nivel. Ka qenë pikërisht një burim anonim i shtëpisë prodhuese koreane që bëri me dije se edhe këtë herë nuk do të ketë përjashtim nga ky “rregull” dhe se grupi po e vlerëson si mundësi.
Burimet bëjnë të ditur se nuk është përcaktuar ende se si do të jetë ky model nga ana e harduerit, megjithatë lihet të kuptohet se Samsung është duke menduar për ndryshime dhe se prodhimi në sasi nuk ka nisur ende. Duke qenë se Galaxy S5 doli në treg pak përpara se sa ishte parashikuar, dikush hodhi hipotezën se e njëjta gjë do të ndodhte edhe me prodhimin e gjeneratës së katërt, por mesa duket nuk do të ndodhë kështu.
Të interesuarit për fabletin e ri me zemër Android do të duhet të presin të paktën deri më datë 5-10 shtator. Sipas thashethemeve do të jenë dy variante modelesh që do t’i prezantohen tregut, një me procesor 32 bit dhe tjetri me 64-bit. Gjithashtu do të ketë mbështetje me ndërlidhje LTE-Advanced (më e shpejtë se i zakonshmi 4G LTE), ndërsa do të jenë të disponueshme edhe variantet 3G e LTE për tregjet në zhvillim. Natyrisht nuk ka sesi të mungojë ekrani me definicion të lartë e që hipotetizohet se do të jetë 5.9 polësh (dikush flet edhe për 5,7 polësh), 3 Giga Ram, një fotokamerë 16 megapiksel dhe procesor Qualcomm Snapdragon 805.