Ministria e Financave njofton se, në zbatim të Strategjisë për Shlyerjen e Detyrimeve të Prapambetura, po vijon të respektojë afatet ligjore të shlyerjes së këtyre detyrimeve për të gjithë ata subjekte dhe individë që i përfitojnë sipas ligjit.
MF njofton se, duke filluar nga data 25 maj 2015, janë bërë të njohura emrat e subjekteve përfituese, të cilat mund të gjenden lehtësisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave në linkun (http://www.financa.gov.al/al/program/shlyerja-e-detyrimeve-te-prapambetura).
Ministria e Financave njofton edhe se pas pak ditëve do të bëjë të njohur të dhënat e plota për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, përfshirë vitin 2013, 2014 dhe periudhën korrente.
Qeveria në muajin shkurt 2014, me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 50, datë 05.02.2014, miratoi Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura e të planit të veprimit ndaj biznesit dhe individëve.
Në kuadër të zbatimit të VKM nr. 50, datë 05.02.2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, të ndryshuar, për vitin 2015 Ministria e Financave ka vijuar punën për të siguruar vazhdimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.
Në kuadër të strategjisë, deri më datë 25 maj 2015, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 14.33 miliardë lekë detyrime të prapambetura sipas kategorive: (i) Investimet publike, janë alokuar 5.8 miliardë lekë dhe janë paguar apo çelur 91 % e shumës (ii) Shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.2 miliard lekë, (iii) dhe janë paguar apo çelur 32 % të shumës, rimbursim TVSH-je janë alokuar rreth 4.5 miliardë lekë dhe janë paguar apo çelur 91 % të shumës, (iv) “Të tjera” janë alokuar 3.8 miliardë lekë ku përfshihen: detyrimet për “Vendimet gjyqësore”, janë alokuar rreth 1.6 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë dhe janë paguar apo çelur 69 % të tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.