Nga Pajtim Melani*
Sa herë lexojmë që fituesi i një tenderi ka marrë mbi 99 % të fondit limit, atëherë është ngjarje me probabilitet shumë të lartë që nuk ka patur garë dhe se një nga format e korrupsionit ose koluzionit (kartelit) ka qenë prezentë.
Një shembull konkret e hetuam në Autoritetin e Konkurrencës para disa vitesh dhe nga ku llogaritja e fondit të fituesit me fondin limit shkonte rreth 100% ndërkohë që në tre lote kompanitë fituese dhe “mbushëse” kishin ndërruar vendet me rotacion. Kështu në lotin e I-rë, fitues ishte kompania X me 99.82 % të fondit limit ndërkohë që dy operatorët e tjerë që konkurruan, ishin bashkimi i operatorëve Y dhe Z (si Joint venture) me 99.91% të fondit limit dhe shoqëria G me 99.96% të fondit limit.
Në lotin e II-të, fitues është bashkimi i operatorëve YZ, me ofertë rreth 99.9% e fondit limit ndërkohë që oferta kanë paraqitur X me 99.98% dhe G me 99.99% të fondit. Në lotin e III-të, fitues rezultoni me vlerë oferte fituese 99.9% e fondit limit ndërkohë që ofertë si operator i vetëm ka paraqitur një nga konkurrentët e lotëve të tjera me 99.95 % të fondit limit. Tenderi kalon vlerën e 20 milionë eurove, të gjithë kishin fituar ndërkohë që humbësi i vetëm ishte buxheti i shtetit që ka kursyer qindarka nga mungesa e garës, karteli dhe korrupsioni në një prokurim publik.
Një studim i OECD tregon se nëse në një procedurë prokurimi publik ka konkurrencë, vlera fituese shkon rreth 75-85 % e fondit limit ndërkohë që për vlera fituese mbi 90% dyshohet për korrupsion që duhet të hetohen sipas Kodit Penal ose marrëveshje në oferta(kartel)që duhet të hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës. Korrupsioni në prokurimet publike shfaqet si një raport vertikal mes zyrtarëve të prokurimeve dhe shoqërive private ndërsa koluzioni (karteli) si marrëdhënie horizontale mes pjesëmarrësve në garat për fondet publike.
Kosto direkte e korrupsionit në prokurimet publike përfshin dëmin në buxhet si pasojë e shpenzimeve më të larta, cilësi më të ulët produktesh ose shërbimesh. Ata që paguajnë ryshfete, tentojnë të mbulojnë “humbjet” nga korrupsioni aktiv duke ofertuar çmime më të larta, duke reduktuar cilësinë e punimeve p.sh në ndërtimin e rrugëve, duke faturuar për punë të pakryera etj…dhe si rezultat duke ekzagjeruar kostot dhe duke ulur cilësinë.
Një studim i OECD&BB tregon se korrupsioni në tenderat në infrastrukturë udhëheq ndër gjithë sektorët dhe pavarësisht se është e vështirë të maten kostot e sakta ato variojnë nga 10-30 për qind të investimeve në projektet e ndërtimit (COST, 2012)dhe humbjet vjetore janë rreth 2.5 trilion USD. Brenda BE korrupsioni parashikohet në rreth 120 miliardë euro në vit që është rreth 1 % e Produktit të Brendshëm Bruto dhe është shumë afër buxhetit vjetor të BE prej rreth 143 miliardë euro.
Format kryesore të marrëveshjeve në oferta janë ofertat e mbuluara me fitues të paracaktuar, rotacioni në oferta, ndarja e tregjeve(lotëve) ose tërheqjet nga gara pasi është arritur një marrëveshje e ndaluar. Për të shmangur kartelet në prokurime publike OECD ka rekomandime të qarta për secilën nga fazat e procesit dhe gjithkush merret me prokurimet publike e gjen veten në rastet si vijon të cilat mund të parashikohen të përmirësohen në draft-ligjin e ri të prokurimeve publike që pritet të votohet në Kuvend:
Analiza e tregut duhet të mbështetet nga vlerësimi nevojave reale për produkte/shërbime ndërkohë që vihet re që në shumë raste ka influencë nga faktorët e jashtëm te vendimet e personave që merren me prokurimet publike dhe marrëveshje informale për kontratën para zhvillimit të garës;
Planifikimi dhe buxhetimi karakterizohen shpesh nga planifikimi i varfër në ide dhe dështim për një buxhetim real të fondeve për projektet që prokurohen.
Përcaktimi specifikimeve teknike ose kërkesa për një procedurë prokurimi duhet të shmang rastet kur specifikimet janë paracaktuar dhe përshtatur për një kompani të caktuar. Kriteret e specifikimeve teknike duhet të jenë objektive dhe mos përcaktojnë fituesin në avancë.
Zgjedhja e procedurës së prokurimi karakterizohet nga format jo të duhura për të siguruar konkurrencën duke tentuar drejt përdorimit abuziv të formave jo-konkurruese të prokurimit nëpërmjet përjashtimit të garës, negocimit të drejtpërdrejtë, abuzimin me urgjencën e rastit etj.
Kërkesa për ofertë shumë herë ndodh që ka mungesë transparencë në publikimin e njoftimeve për konkurrim dhe informacioni mbi termat/specifikimet teknike është konfidencial dhe nuk publikohet. Dërgimi ofertave karakterizohet nga procese të mungesës së konkurrencës ose raste të marrëveshjeve në oferta (Mbulim i ofertës, tërheqje e ofertës, rotacioni dhe ndarje e tregut;)
Vlerësimi i ofertave duhet bërë me kujdes për të shmangur konfliktin e interesit(njohjet mes zyrtarëve të prokurimeve dhe firmave pjesëmarrëse në prokurim), shmangien e personave që janë bërë familjarë me një treg të caktuar dhe aktorët e tij, apo ku kanë njohje dhe interesa personale nga ku kanë përfituar dhurata ose kontrata punësimi për të afërmit e tyre.
Menaxhimi kontratave(performanca) duhet të evitojë abuzimit e ofruesit në veçanti lidhur me cilësinë, kohën, çmimet e tepruar etj. Urdhërimi pagesës shpesh ndodh të jetë bërë pa vlerësuar realizimin faktit të kontratës, me fatura false apo pagesa të kryera në avancë.
Si konkluzion, korrupsioni në prokurimet publike çon drejt shtrembërimit të konkurrencës, kufizimit të tregjeve, kufizimin e hyrjeve të reja në treg dhe mosafrimin e investitorëve të huaj. Për këtë arsye, biznesi i ndershëm duhet të jetë më i interesuari për miratimin e ligjit të ri nga Kuvendi për prokurimet publike, që tashmë ka kaluar në Komisione dhe pritet të miratohet në seancë plenare.
Ligji i ri është i përafruar me BE dhe tenton të rrisë transparencën dhe konkurrencën në prokurimet publike por duhet të përmirësohet më tej për të shmangur maksimalisht korrupsionin me tenderat me fitues me 99.9 % të fondit limit apo tenderave pa garë, personalizimit (tailor) të specifikimeve teknike duke paracaktuar fituesin apo marrëveshjeve në oferta si rasti më lart.
___________________
* Pedagog i jashtëm i “Konkurrencës dhe prokurimit publik” në Universitetin “Luarasi”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Shume i interesuar per te pare kete studimin e OECD. Nje link do te ishte minimalisht i domosdoshem per tu referuar ketyre te dhenave. Personalisht do dyshoja shume qe vlerat e ofertave ne EU te shkonin ne nivelin 75-85% e fondit limit pasi nese do ishte e vertete do kishte probleme me menyren sesi eshte llogaritur ky fond limit (me gjasa i fryre).