Si Ekuadori u bë vendi më vdekjeprurës në Amerikën Latine. Dyzet e tetë orë trazira në vend, teksa gangsterët vranë rojet e burgut dhe bastisën një stacion televiziv, shkruan The Economist
El Noticiero, një nga programet më të ndjekura të lajmeve në Ekuador, po transmetonte drejtpërdrejt, kur papritur, në studio hynë disa persona të armatosur. Kamerat vazhduan të xhironin, ndërsa gangsterët me kapuçë godisnin me pistoleta stafin e shtrirë në dysheme.
Këto skena zgjatën për 15 minuta, ndërsa gangsterët bënin gjeste përpara teleshikuesve të habitur, duke tundur përpara kamerës hanxharë, dinamit dhe mitraloza.
Kjo dhunë që tronditi banorët e Ekuadorit, u përhap në të gjithë vendin pasditen e 9 janarit dhe pamjet e trazirave u transmetuan nga kanali shtetëror TC Televisión.
Skena të tilla janë seria e fundit dhe më dramatike në shfaqjen e degradimit të Ekuadorit, gjatë përpjekjeve katërvjeçare të vendit, për të kontrolluar bandat e drogës.
Në vitin 2019, Ekuadori ishte në fakt një nga shtetet më të sigurta në Amerikën Latine, me një shkallë vrasjesh prej 6.7 për 100,000, e krahasueshme me atë në Shtetet e Bashkuara (shih grafikun).
Disa burime në vend, vlerësojnë se deri në vitin 2023, shkalla e vrasjeve u gjashtëfishua, duke shkuar në 45 vrasje për 100,000 banorë.
Kjo e bën Ekuadorin shtetin më vdekjeprurës në kontinentin e Amerikës së Jugut.
Gangsterët kanë ndjekur taktika të tmerrshme, si varje publike, prerje kokash dhe djegie.
Ngjarjet nisën në mëngjesin e 7 janarit. Rojet e burgut La Regional në qytetin Guayaquil, qyteti më i madh i Ekuadorit, zbuluan se Adolfo Macías, bosi i bandës së drogës me emrin Los Choneros, nuk ndodhej më në qelinë e vet. Ai kishte qenë duke bërë dënimin me 34 vjet burg, për vrasje dhe trafik droge.
Sapo u përhap lajmi për arratisjen e tij, anëtarët e bandave nëpër burgjet anembanë vendit, nisën trazirat. Nëpër rrjetet sociale qarkulluan video të gangsterëve që merrnin peng rojet e burgut dhe i qëllonin. Disa roje u varën.
Të nesërmen, presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, e cila do të zgjasë deri në fillim të marsit dhe vendosi një shtetrrethim gjatë natës. Ai dërgoi ushtrinë për të marrë në kontroll burgjet, nga ku shumë banda drejtojnë operacionet e tyre.
Gangsterët luftuan nëpër rrugët e qyteteve anembanë Ekuadorit, duke shpërthyer bomba, duke djegur makina dhe duke rrëmbyer policë. Në të njëjtën ditë kur njerëzit me kapuçë sulmuan stacionin televiziv Tc Televisión, një grup tjetër i armatosur, bastisi Universitetin Guayaquil, duke marrë peng studentët dhe duke shkëmbyer zjarr me policinë.
Më 9 janar, presidenti Noboa shpalli një “konflikt të armatosur të brendshëm” dhe urdhëroi ushtrinë të “asgjësonte” rreth 22 grupe të krimit të organizuar, duke përfshirë Los Choneros.
Më 10 janar, ndërsa The Economist publikoi këtë histori, automjetet e blinduara dhe ushtarët ishin ende duke patrulluar rrugët e Ekuadorit. Personat e armatosur që sulmuan stacionin televiziv u arrestuan, por të paktën dhjetë njerëz u vranë nga dhuna. Ekuadori tashmë është në izolim.
Forcimi i bandave të drogës, edhe mafia shqiptare zgjeroi praninë në Ekuador
Kjo dhunë i ka rrënjët në Kolumbi. Ekuadori dhe veçanërisht porti i qytetit Guayaquil, u bënë një qendër më e rëndësishme ku kalonte kokaina e ardhur nga Peruja dhe Kolumbia, drejt Shteteve të Bashkuara dhe Europës, pasi portet kolumbiane shtrënguan sigurinë në vitin 2009.
Më parë, monopolin e tregtisë e kishte FARC, një grup i fuqishëm guerilas kolumbian, i cili nuk lejonte shumë dhunë. Por kur FARC nënshkroi një marrëveshje paqeje me qeverinë kolumbiane në vitin 2016, shumica e anëtarëve të tij ndaluan veprimtarinë.
Bandat vendase, rajonale dhe ndërkombëtare, depërtuan për të mbushur boshllëkun e pushtetit. Bandat meksikane financuan ato ekuadoriane. Mafia shqiptare zgjeroi praninë në Ekuador. Fluksi i shpejtë i krimit të organizuar ndërkombëtar u lehtësua nga ekonomia e dollarizuar e Ekuadorit dhe kërkesat e dobëta të vizave për të huajt.
Politikanët i kanë bërë gjërat edhe më keq. Në emër të anti-imperializmit, Rafael Correa, president populist i krahut të majtë, që qeverisi nga viti 2007 deri në 2017, mbylli një bazë ushtarake amerikane në bregdet, uli bashkëpunimin me Administratën e Shteteve të Bashkuara për Zbatimin e Drogës dhe shkatërroi një njësi kryesore të policisë për goditjen e narkotikëve, që ishte trajnuar nga agjentët e Shteteve të Bashkuara.
Si pasojë, gangsterët e vegjël ekuadorianë si zoti Macías, janë bërë tashmë mbretër. Los Choneros duket se ka fituar përparësi duke u bërë një nga grupet më të hershme ekuadoriane që vendosi marrëdhënie me bandën Sinaloa të Meksikës.
Ajo dhe bandat e tjera lokale, janë armatosur me armë të marra nga klientët meksikanë, në këmbim të dërgesave të kokainës. Tani, ata zotërojnë mitraloza, pushkë dhe granata, që i japin mundësinë të luftojnë me Forcat e Armatosura të Ekuadorit, me trajnim të dobët.
Bandat e Ekuadorit kanë fituar para, duke krijuar një terren fitimprurës në Europë, ku konsumi i kokainës po rritet. Më 5 janar, kryetari i Bashkisë i Amsterdamit, paralajmëroi se Holanda mund të bëhet një “shtet narkotik”.
Rruga më e ngarkuar e trafikut të kokainës në botë sot, kalon nga qyteti Guayaquil, në portin Antwerp në Belgjikë, sipas Chris Dalby-t nga grupi hetimor “World of Crime”, me seli në Holandë. Pjesa më e madhe e kësaj kokaine, paketohet nëpër kontejnerë transporti që përmbajnë banane, një nga eksportet më të mëdha të Ekuadorit.
Kërkesa e Europës “i ka kthyer portet ekuadoriane në një nga pjesët më të vlefshme të infrastrukturës që mund të kontrolloni, nëse jeni një grup trafiku droge në Amerikën Latine”, thotë Will Freeman, nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, në Nju Jork (Zoti Freeman ka shkruar për The Economist edhe në të kaluarën).
Kjo i ndihmon bandat të korruptojnë rojet e burgut. Macías dhe drejtues të tjerë bandash kanë kthyer ndoshta një të katërtën e 36 burgjeve të Ekuadorit në selinë e tyre, nga ku ata organizojnë sulme dhe rekrutojnë anëtarë të rinj. Macías u arratis pak kohë para se të transferohej në një njësi më të sigurt burgu. Me siguri, për këtë lëvizje, duhet ta kenë vënë në dijeni zyrtarë të korruptuar.
Korrupsioni i këtij lloji është mjaft i përhapur. Në vitin 2023, policia filloi të hetonte disa zyrtarë qeveritarë për lidhje me mafien shqiptare. Disa muaj më vonë, i dyshuari kryesor u gjet i vdekur. Në vitin 2022, 25 zyrtarë të forcave ajrore, u dënuan se kishin sabotuar pajisjet e radarëve që vëzhgonin veprimtarinë e bandave të drogës në hapësirën ajrore të Ekuadorit.
Kushdo që u kundërvihet bandave të drogës dhe rrjeteve të tyre të korruptuara, është në rrezik. Gushtin e kaluar, Fernando Villavicencio, kandidat presidencial dhe ish-gazetar hetimor, u vra 11 ditë para zgjedhjeve, pasi kërcënoi se do të shkatërronte bandat.
Më 5 janar, Fabricio Colón Pico, udhëheqës i grupit Los Lobos, një bandë rivale e Los Choneros, u arrestua për dyshime se kishte komplotuar për të vrarë prokuroren e përgjithshme Diana Salazar. Zonja Salazar kishte hetuar lidhjet midis trafikantëve të drogës dhe burokratëve.
Në dhjetor, ajo urdhëroi arrestimin e 31 personave, duke përfshirë gjyqtarë, prokurorë, policë dhe kryetarin e Këshillit Gjyqësor. Zoti Colón Pico arriti të arratisej nga burgu, vetëm katër ditë pasi u arrestua.
Pasi bëri fushatë për çështje shumë më pak polemike, presidenti Noboa, i cili mori detyrën në nëntor, ka treguar një grusht të hekurt ndaj bandave. Ai ka bërë të ditur se do të ndërtohen dy burgje të reja me siguri maksimale, bandat e drogës do të shpallen organizata terroriste dhe paralajmëroi se zyrtarët që bashkëpunojnë me ta, do të vihen para drejtësisë.
Ashtu si paraardhësi, ai po dërgon ushtrinë në rrugë dhe në burgje. Dhe ka bërë thirrje për një referendum në javët e ardhshme, për të legalizuar ekstradimin dhe për të bërë të mundur sekuestrimin e pasurive të kriminelëve të dyshuar.
Dyshohet se disa nga këto taktika janë imitime të metodave të ndjekura nga presidenti i El Savadorit, Nayib Bukele, i cili ka vënë prapa hekurave rreth 2% të popullsisë së moshës së rritur dhe është bërë një nga presidentët më të famshëm në botë gjatë kësaj kohe.
Megjithatë, sfidat me të cilat përballen dy udhëheqësit, janë të ndryshme. Bandat ekuadoriane janë shumë më të forta se ato në El Salvador. Dhe zoti Noboa, i cili do të kandidojë për rizgjedhje pas 18 muajsh, ka më pak popullaritet se zoti Bukele.
Pavarësisht suksesit të Bukele-s deri tani, qasja me grusht të hekurt ndaj bandave të drogës në Amerikën e Jugut, zakonisht ka dështuar.
Zotit Noboa i nevojitet një plan më i zgjuar. Ai duhet të urdhërojë zyrtarët që të ndajnë të dhëna me homologët në rajon, gjë që tani nuk po bëhet, thotë zoti Dalby.
Ai duhet të krijojë një regjistër armësh, të rindërtojë njësitë e dobëta kundër narkotikëve të vendit dhe të forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, që kanë ofruar ndihmë.
Dhe duhet të forcojë praninë e forcave të rendit përgjatë kufirit me Kolumbinë dhe në portin Guayaquil. Pa bërë këto, nuk ka të ngjarë të fitohet lufta kundër bandave të fuqishme të Ekuadorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.