Universitetet, përpos edukimit dhe formimit të anës profesionale të studentëve, nxjerrin produkte shkencore. Gjatë panairit, në stenda të veçanta ishin ekspozuar punët shkencore të studentëve, nga robotë të vegjël, deri te makineri të fuqishme të përpunimit, por edhe mokete të studentëve të inxhinierisë elektrike, ndërtimit dhe arkitekturës.
Megjithatë, vitet e fundit, universitetet publike po prodhojnë shumë pak kërkime shkencore dhe për këtë, shkak është bërë ligji i ri për pranimet e doktoraturave. Prej katër vitesh, universitetet publike, në kuadër të reformimit, nuk kanë pranuar asnjë kërkesë të re për doktoratura. Sipas rektorit të UPT, kjo ka ndaluar prodhimin e kërkimeve shkencore. Shqipëria renditet e fundit për sa i përket numrit të kërkimeve shkencore në të gjithë rajonin.
Kërkimi shkencor për rektorin e UPT mund të nxitet dhe nëpërmjet bashkëpunimit me kompanitë private, marrëveshje që ato synojnë që t’i arrijnë edhe nëpërmjet panairit të punës. Duke qenë se universitetet hasin vështirësi në sigurimin e ambienteve dhe janë të varfër në infrastrukturë dhe laboratorë, nëpërmjet kompanive private mund të sigurojnë mjedisin për të zhvilluar kërkimin shkencor. “Në këtë mënyrë, mund të krijohen inkubatorët” – thotë Maliqari, rektor në UPT. Produktet shkencore do të jenë pronë e kompanive private, ndërsa Universiteti do të ketë mundësi që të zhvillojë kërkimin shkencor.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave pranë UNESCO-s, Shqipëria llogarit 0.2% ndaj PBB-së shpenzime për kërkime dhe zhvillim. Vendi ynë ka 157 kërkues për 1 milion banorë, ku rreth 56% e zënë meshkujt dhe 44% femrat.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve i takon buxhetit të shtetit me rreth 20.7 milionë dollarë, ndërsa universitetet llogarisin një shifër të afërt, në rreth 19 milionë dollarë. Shpenzimet për kërkim dhe zhvillim në sektorin privat dhe publik në vendin tonë llogariten rreth 39.8 milionë dollarë në vit.
Në rajon, nivelin më të lartë të shpenzimeve për Kërkimin dhe Zhvillimin e ka Serbia. Shpenzimet për Kërkimin dhe Zhvillimin janë sa 0.8% të PBB-së, apo 757 milionë dollarë, ndërsa numri i kërkuesve përllogaritet rreth 1,830 për 1 milion banorë. Sipas të dhënave të publikuara, peshën më të madhe të bizneseve e kanë bizneset me rreth 224 milionë dollarë.
E dyta renditet Maqedonia, shpenzimet e së cilës për Kërkimin dhe Zhvillimin janë rreth 0.5% e PBB-së, apo 145 milionë dollarë. Maqedonia numëron rreth 838 kërkues për 1 milion banorë. Ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja, shpenzojnë për Kërkimin dhe Zhvillimin përkatësisht 0.4% dhe 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Numri i kërkuesve për 1 milion banorë është 673 në Malin e Zi dhe 266 në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.