Komisioni Europian propozon bateri të zëvendësueshme për të reduktuar mbetjet elektronike. Prodhuesit duhet të ndryshojnë dizajnin e telefonave, a do ta pranojnë?
Falë Bashkimit Europian, bateritë e zëvendësueshme mund të rikthehen te smartphone. Arsyeja? Reduktimi i ndotjes së mjedisit. Sikur të kishim edhe një herë mundësinë të ndryshonim vetëm baterinë, në rast se ajo nuk do të mbante më gjatë, mund të shmangnim blerjen e një telefoni të ri. Dhe, për pasojë, do të reduktoheshin në mënyrë drastike mbeturinat e rrezikshme elektronike. Kjo do të sillte dobi edhe në xhepat e konsumatorëve.
Në të vërtetë, zëvendësimi me apo pa garanci i baterisë së smartphone është i mundur me kosto që i përcakton prodhuesi. Megjithatë, një pjesë e madhe e konsumatorëve parapëlqen që të përfitojë nga rasti për të blerë një model të ri.
Por vetëm për një bateri që duhet të ndërrohet – ju hidhni një sërë komponentësh “të shëndetshëm”, nga ekrani te procesori, nga fotokamera te module të ndryshme. Të gjitha këto pjesë përmbajnë materiale delikate për mjedisin, të cilat duhet të trajtohen me kujdes, por shpesh përfundojnë keq.
Nisma promovohet nga Frans Timmermans, zëvendëspresident i Komisionit Europian, i cili drejton “Green Deal” – program për zhvillimin eko të qëndrueshëm. Propozimi pritet të prezantohet në mes të muajit mars për t’u miratuar.
Një propozim tjetër do të jetë krijimi i një karikuesi baterie unik për të gjithë smartphone, një lajm që e ka zemëruar Apple. Nisma është për t’u përgëzuar, megjithatë shumë smartphone të rinj nuk kanë më baterinë e kushtueshme dhe të vjetër me formën drejtkëndore. Në vend të saj janë disa komponentë me formë të çuditshme, me qëllimin për të reduktuar përmasat ose për të lehtësuar disa zgjidhje dizajni alternativ.
Mbetemi në pritje se çfarë do të vendosë Bashkimi Europian dhe se si do të veprojnë prodhuesit.
Burimi: Wired