Ish Ministri i Financave në kohën e qeverisjes së partisë demokratike ka pohuar në një deklaratë për shtyp se qeveria po fsheh marrëveshjen me Fondin Monetar, që parashikon rritje të reja të taksave dhe futjen e taksave të reja, për shkak të performancës së dobët të qeverisë dhe përkeqësimit të shpejtë të ekonomisë
Bode tha:
“Dje, mbarë opinion publik përcolli me shqetësim deklaratën e bordit të drejtorëve të FMN lidhur me konsideratat dhe propozimet për marrëveshjen aq shumë të reklamuar si sukses nga ana e qeverisë Shqiptare.
Po dje qeveria, që kishte mbajtur në fshehtësi termat e kësaj marrëveshje, që kishte folur vetëm për përfitimin e 330 ml eurove në 3 vjet dhe jo termat dhe shqetësimet e FMN për zhvillimet në vend, u mundua të mohojë dhe përgënjeshtrojë atë që për muaj me radhë negocioi po vetë.
E vërteta është se Bordi i Drejtorëve të FMN shpreh me të drejtë shqetësimin alarmues të përkeqësimit të shpejtë dhe futjes në recesion, të ekonomisë që po sipas Bordit në 2009-2012 u arrit “të mënjanohet me sukses rënia në recesion në kulmin e krizës globale dhe që pati një rënie të ritmit të saj më të lehtin në rajon”.
E vërteta është se FMN është I alarmuar për risqet e mëdha që paraqet borxhi i rritur me aq lehtësi nga qeveria Rama vetëm në harkun e pak muajve duke qenë “më I larti ndër vendet e Europës Qendrore, Lindore e Juglindore”.
Performanca e dobët e qeverisë, mungesa e reformave dhe amullia që ka sjellë në ekonomi qeveria Rama, për shkak të paaftësisë dhe klientelizmit, do sjellë rritje të reja taksash pasi rritja e taksave, bërë ne dhjetor të vitit të shkuar për vitin 2014 ka dhënë rezultate të pamjaftueshme. Ecuria e dy muajve të parë të këtij viti dëshmon dështimin e plotë dhe korrupsionin në zgjerim të qeverisë Rama. Rritja e madhe e akcizave sipas qeverisë pritet të sjellë 120 milion USD më shumë në buxhet, në fakt për dy muajt e parë ka sjellë 10 milion USD më pak, ndërkohë që rritja e të ardhurave është në më pak e 1/5 e asaj që është programuar.
Kjo paaftësi për të vendosur disiplinën fiskale është shkaku I propozimeve të FMN për rritjen apo vendosjen e plot 10 taksave të reja mbi qytetarët dhe ekonominë. Në fakt përgënjeshtrimi i Ramës është i turpshëm për qytetarët e këtij vendi, pasi në faqe 29 të raportit, paragrafi i 3, janë propozuar si mundësi:
• Vendosja e TVSH në arsim;
• Vendosja e pagesave toll në rrugët e vendit;
• Rritjen me 50% të taksës mbi tregtimin e makinave të përdorura;
• Futjen e TVSH për ndërtimet-banesat e reja;
• Futja e një takes për hyrje daljet nga Shqipëria të popullsisë vendase;
• Vendosja e taksës mbi pronën (shtëpi, tokë) sipas vlerës;
• Futja e jjë takes vjetore për përdorimin e makinave bazuar në vlerën e tyre;
• Rritjen e tatimit mbi të ardhurat e individëve, përfshi dhe interesat e depozitave dhe dividendin nga 10 në 12% (rritje 20%);
• Vendosjen e një akcize mbi të ashtuquajtur mallrat e luksit.
Rama po ashtu, vetë dhe me tellallët e tij, mohoi rritjen e çmimit të energjisë, kur vetë dhe ministrat e tij kanë firmosur memorandumin, I cili në faqen 46 të tij shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare se në qershor të këtij viti çmimi I energjisë për popullatën do të afrohet me çmimet e tregut ndërkombëtar, që do të thotë një rritje e shqetësuese për qytetarët. Dhe kjo ndodh kur paguhet më pak se 50% energjisë dhe ata që paguajnë duhet të paguajnë një çmim 2 herë më të lartë, ashtu siç duhet të paguajnë taksa të dyfishuara në favor të klientelës së qeverisë që nuk paguan taksa.
Një angazhim tjetër i qeverisë në këtë memorandum është ndërmarrja e një reforme të pensioneve, e cila nuk do të kufizohet vetëm në rritjen e moshës së pensioneve por edhe të masës së kontributeve.
Memorandumi i bashkëpunimit të qeverisë Rama me FMN është dëshmia më e qartë e pasojave të rënda dhe kostove të papërballueshme që solli për vendin një qeverisje diletante, klienteliste dhe e papërgjegjshme. Ky është shpërblimi që po marrin qytetarët shqiptarë në këmbim të besimit që i dhanë dyshes Rama-Meta: rritje taksash, rritje çmimesh, rritje të papunësisë, varfërisë dhe mjerimit.”, tha Bode
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.