Gara e imazhit PS-PD

10/04/2021 10:12 PM 0 komente

Shqiptarët po zbulojnë në këtë fushatë elektorale dimensione të reja të liderëve politikë. I kanë parë në formatin “one man show”, në hapësirat e tyre familjare e në kufijtë e thjeshtësisë në takimet derë më derë. Gara e imazhit, këtë herë, duket të jetë më e ashpër. Ekspertët e komunikimit vlerësojnë se më agresive në gjuhën e tonet e përdorur është partia në pushtet. Opozita, nga ana tjetër, po përdor një gjuhë më të qetë dhe imazhi i liderit të PD-së po mbështetet nga elemente të përfshirjes së familjes në fushatë. Në kodet e paraqitjes, Basha i ka thyer më shumë ato në këtë fushatë kur tradicionalisht në këtë aspekt, më herët, ka dominuar Rama. Sa u takon sloganeve ka një orientim drejt simbolikave kombëtare, ku dy prej partive kryesore opozitare kanë përfshirë Shqipërinë, kurse partia në pushtet ka zgjedhur të vërë theksin te reformat. Për shkak të pandemisë, kjo nuk është më vetëm një përballje në terren por e njëtrajtshme, edhe në kanalet e tjera të komunikimit ku mediat sociale zënë peshë jo të vogël. Politologët vlerësojnë se investimi në marketing, marrja e elementeve amerikane dhe premtimet pafund do ta kenë të vështirë gjithsesi të bindin elektoratin gri, i cili do programe dhe politikanë më realistë. 

 

Nga Nertila Maho

Ekrane LED të shkëlqyeshëm, lider në formatin “one man show” apo të penës, në dimensione që nuk ua njihnim më parë. Pastaj të njëjtët zbresin nga Olimpi i krijuar nga kompanitë e tyre të marketingut mes njerëzve të thjeshtë, për t’ju thënë se jemi si ju, ku nuk mungojnë veshjet e shkujdesura, përqafime, lot gëzimi e halli sipas rastit. Fushata zgjedhore 2021 ka nisur shumë më herët sesa njëmujori i fundit, ku motorët ndizen plotësisht. Thuajse çdo gjë rrotullohet rreth zgjedhjeve të ardhshme. Qeveria, opozita e të gjithë palët kanë zbehur plotësisht vëmendjen nga gjithçka, për t’u ndalur vetëm te gara politike.

Të gjithë po marketojnë produktin e tyre politik, në kushte aspak të njohura më parë, për shkak të pandemisë së COVID-19. Kjo nuk i ka penguar ama grumbullimet me më shumë se 10 persona, edhe pse ato kanë qenë të ndaluara, e as trokitjen derë më derë te shtëpitë e thjeshta të qytetarëve, apo vizitat nëpër biznese. Pavarësisht elementeve të përbashkëta që kanë fushatat e partive politike, këtë herë duket se strategjitë ndryshojnë që nga gjuha e përdorur e deri tek imazhi, simbolika, elementet vizuale që po përdoren, për të tërhequr pranë vetes votuesit. Këta të fundit do të vendosin se cili do të qeverisë vendin në 4-vjeçarin e ardhshëm ndaj “joshja” e tyre drejt kutisë ka shumë rëndësi për partitë.

 

Gjuha dhe imazhi, qeveria tone më agresive, opozita më e qetë

Ekspertët e komunikimit vërejnë se në këtë fushatë, gjuha e përdorur për herë të parë nuk është uniforme. Qasja e partive politike në përballjen me njëra-tjetrën është e ndryshme, ndërkohë që edhe përballë elektoratit, gjuha ka ndryshuar. “Jo vetëm partitë e reja kanë hyrë me një gjuhë të re, por një regjistri të tillë normalizimi të gjuhës i është përgjigjur edhe Partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike.

Një lloj paraleleje mund të hiqet vetëm sa i përket gjuhës së ashpër të përdorur nga PS dhe LSI, me përfaqësuesit e tyre më të lartë” – shprehet Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET.

Lexoni intervistën / Belina Budini: “Qasjet e Fushatës, Rama targeton emocionet, Basha arsyen”

Karshi elektoratit, znj. Budini shprehet se partitë janë treguar të përmbajtura me gjuhën e përdorur, por nuk ka munguar marketingu agresiv, i cili ka qenë i tillë edhe në fushatat e mëparshme. Më agresiv në tone, në këtë fushatë, sipas ekspertëve të komunikimit është shfaqur kryeministri.

“Mesazhet denigruese, arrogante dhe të ashpra të protagonistëve politikë përkundrejt njëri-tjetrit nuk kanë munguar, por këtyre mjeteve u është drejtuar, së pari, kampi qeveritar dhe vetë kryeministri Rama, i cili ricikloi gjuhën e harruar të kohës kur ishte përballë Berishës, edhe pse jo me të njëjtat efekte si dikur. Me një sjellje prej opozitari agresiv ndaj kundërshtarit politik, gjuha dhe imazhet që përdori vetë kryeministri në adresë të kandidatëve për deputetë, duke u vënë etiketa dhe diçitura denigruese, nuk gjeti gjithsesi të njëjtën eko nga pala tjetër, duke rezultuar kësisoj një fiasko, në mos një ‘bumerang’ për vetë Ramën” – thekson znj. Budini.

Të njëjtin perceptim sjell edhe ekspertja e komunikimit, Edlira Gjoni, por sipas saj edhe brenda të njëjtit kamp dhe veçanërisht Partisë Demokratike, gjuha e përdorur nga lideri, që është më e qetë dhe joagresive, ka ndeshur probleme pasi nuk përqafohet nga të gjithë. “Flamurin e gjuhës denigruese dhe të ashpër e ka marrë Partia Socialiste.

Lexoni intervistën / Edlira Gjoni: “Gjuha ndaj elektoratit mbetet retorikë, fushata elemente amerikane, por pa debat”

Rama është kampion i saj, e pas vetes ka shpurën e ndjekësve brenda partisë, por edhe atyre të cilët e mbështesin PS-në e në mënyrë të vazhdueshme janë bërë shqetësim për gjuhën denigruese që përdorin karshi oponentëve politikë. Shqetësuese është edhe gjuha e përdorur nga presidenti në disa raste, më flagrantja prej të cilave ngelet në përplasjen te zyrat e FRD-së. Kurse në PD, ka mungesë njëtrajtshmërie.

Kreu i saj ruan imazhin e një lideri, i cili nuk i njeh oktavat e larta, të cilin nuk e kemi parë kurrë të nxehet, apo të denigrojë askënd në mënyrën që njohim nëpër fushata. Ama kandidatët e tij nuk i binden të gjithë shembullit që ai mundohet të imponojë” – sjell në vëmendje znj. Gjoni.

 

 

Sloganet dhe simbolikat bëhen më të forta, theksi kombëtar përballë reformave

Fushatat elektorale nuk kanë kuptim pa sloganet e partive. Janë në fakt si qershia mbi tortën e madhe të premtimeve, programeve ekonomike dhe vizionit për të ardhmen që premtojnë të gjithë. Partia Demokratike ka ardhur nën sloganin “Shqipëria fiton”, duke futur në lojë aspektin kombëtar.

“Slogani ‘Shqipëria fiton’ përfaqëson thelbin e programit të Partisë Demokratike dhe z. Basha për qeverisjen e Shqipërisë: një qeverisje ku fiton Shqipëria, fitojnë shqiptarët, fitojnë të rinjtë, fitojnë sipërmarrësit, fitojnë punëtorët, fitojnë fermerët, fitojnë familjet shqiptare. Veçanërisht në këtë situatë krize të thellë shëndetësore dhe ekonomike, një program i madh ndihme për të gjithë shqiptarët është i domosdoshëm” – shprehet Desada Metaj, Drejtore e Komunikimit të fushatës së PD-së.

Lexoni intervistën / Desada Metaj: “PD, qasje me imazh jashtë klisheve, pse vihet theksi te simbolika kombëtare”

Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka vendosur t’i mëshojë faktit që rruga e nisur prej saj është e duhura, ndaj drejt saj duhet të vazhdohet në kushtet kur ka një sërë sfidash, që presin zgjidhje e këtë e ka përmbledhur nën “s’ka kohë për pushim”.

“2020 ishte një vit i vështirë, procesi i rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 dhe pandemia, vaksinat kundër COVID-19 janë dy shtyllat kryesore për të cilat duhet të punojmë edhe më shumë nga çfarë kemi bërë deri më tani. Reforma në drejtësi, reforma në ekonomi e të tjera të ndërmarra nga kjo qeveri s’duhet të mbeten në mes. Është koha për të vrapuar, për të ecur përpara, për ta drejtuar këtë vend në një të ardhme më të mirë” – shprehet Ervin Bushati, Kryetar i PS-së, Tiranë, njëkohësisht deputet.

Lexoni intervistën /  Ervin Bushati: “PS po promovon figurat e reja, rrjetet sociale, dritarja kryesore e komunikimit” 

Edhe LSI duket se ka në themel të saj një simbolikë kombëtare dhe slogani “Shqipëria, shtëpia juaj”, lidhet pikërisht me këtë aspekt.

 

 

Kodet e paraqitjes dhe përfshirja e familjarëve, si “luhet” me elementet

Politikanët, në kohë fushate, i sheh jashtë kornizave të zakonshme. Nuk mungojnë momentet familjare, veshjet sportive e të thjeshta, copëza piknikësh e gatimi, të cilat janë servirur të gjitha edhe në këtë fushatë. Kryeministri Rama duket se e ka “braktisur” pjesën e përfshirjes së familjes në fushatë dhe kjo, për politologun Afrim Krasniqi, lidhet me faktin se ai tashmë e ka konsumuar këtë aspekt në fushatat e mëparshme.

Lexoni intervistën / Afrim Krasniqi “Liderët politikë si ‘Babagjysha’, premtime dhe imazh joreal”

“Në lidhje me komunikimin nëpërmjet veshjes, komunikimin dhe përdorimin e familjarëve është një element që zoti Rama e ka përfshirë në politikë që në mandatet e para si kryetar bashkie. E ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme dhe i ka funksionuar. Në vitin 2013, kur ai erdhi si kandidat për kryeministër, një nga leksionet dhe këshillat që mori dhe përmendet vazhdimisht ishte nevoja për të pasur imazhin e një familjari të mirë dhe e ka përdorur.

Zoti Rama nuk ka më nevojë për të përdorur diçka të kaluar, pasi nëse përdoret shumë, konsumohet. Ndaj është i detyruar të operojë me situatën e re, duke hequr dorë nga përdorimi i familjes dhe duke përdorur vetëm rastin e djalit të tij, në mënyrë simbolike për brezin e ri dhe duke e përqendruar fushatën elektorale te prurjet e reja në partinë politike dhe jo te vlerat personale si lider” – shprehet z. Krasniqi.

Përfshirjen e familjes në fushatë, sipas tij, po e shohim tek z. Basha dhe kjo ndodh pasi ky aspekt nuk është i konsumuar tek lideri i opozitës. Kjo duket se rekomandohet nga kompania e PR dhe sipas ekspertëve të komunikimit, ndërtimi i imazhit të z. Basha me përfshirjen e familjes, ka nisur prej muajsh.

“Të dyja partitë e mëdha kanë kompanitë e tyre të PR-it, të cilat duket qartë se po i këshillojnë me kujdes për imazhin elektoral. Basha, prej disa muajsh, po mbështetet tërthorazi në këtë perceptim të ri, nga postimet familjare që bën në mënyrë konstante (e jo rastësore) bashkëshortja.

Postimet janë të gjitha të natyrës familjare dhe në subkoshiencë, nxisin imazhin e një familje normale, me rutinë gatimi, udhëtimi, kohe me fëmijët e të afërmit. Është imazh që funksionon për votuesin e djathtë, edhe për shumicën e shqiptarëve, që ende e duan familjen dhe e cilësojnë atë vlerë” – shprehet ekspertja Edlira Gjoni.

Në lidhje me kodet e paraqitjes, edhe ato janë vënë në funksion të imazhit. Për Belina Budinin, kryeministri në këtë fushatë ka qenë disi më i rezervuar sesa në daljet e mëparshme.

“Deri tani, kodet e thyera i kemi parë më tepër te Basha, ndërsa te Rama, një paraqitje më të përmbajtur, po të kemi parasysh thyerjet e mëhershme të kodeve të paraqitjes prej tij. Duket se për të, kjo nuk do të jetë një fushatë e shpenguar dhe e lirshme, sikurse ajo për zgjedhjet vendore. Kandidatin e së djathtës për kryeministër e kemi parë ndërkohë në formate pak më të lirshme sesa zakonisht, edhe pse në tërësi, kodi i tij i paraqitjes mbetet konservator, ai i një politikani normal” – vlerëson Budini.

 

 

Fushatat shqiptare, si kopje të fushatave amerikane, por anashkalohet debati

Debati televiziv që zhvillohet tradicionalisht nga liderët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një nga ngjarjet më të ndjekura botërisht. Shqipëria, prej shumë vitesh, nuk ka një debat të tillë. Amerikanizimi i të gjithë elementeve të fushatave shqiptare, jo pa qëllim “harron” gjithmonë një pikë, përballjen e liderëve me njëri-tjetrin.

Betejat e liderëve shqiptarë të dekadës së fundit i kemi parë të zhvillohen paralelisht në ekrane të ndryshme, në orare të njëjta, ose në rrjetet sociale, ku synohet të arrihen sa më shumë ndjekës online. Për ekspertët, edhe në këtë fushatë nuk kanë munguar elementet amerikane, ku një prej atyre që bie në sy është një kanal i ri për dhënien e mesazhit, i cili u përzgjodh nga lideri i PD-së.

“Një nga kanalet më rrallë të përdorur në kontekstin e fushatës në Shqipëri, edhe pse është një praktikë e zakonshme, sidomos në zgjedhjet për president në ShBA, ishte publikimi i një libri politik nga kandidati për kryeministër, Lulzim Basha. Mesazhin më të gjatë drejtuar votuesve ose shqiptarëve, lideri i Partisë Demokratike zgjodhi ta përcillte nëpërmjet librit ‘Misioni im’, të cilin e quan ndryshe edhe një letër drejtuar shqiptarëve. Ky është një format, ose zhanër i natyrës racionale, një medium që i drejtohet arsyes dhe reflektimit” – nënvizon znj. Budini.

Për politologun Afrim Krasniqi, tradicionalisht që nga viti 2006, elementet e fushatave amerikane janë kopjuar në Shqipëri, edhe pse me realitetet e dy vendeve nuk mund të heqësh paralele.

“Krijimi i një modeli amerikan, në kushtet e Shqipërisë, është në fakt një ftesë për të shkëputur politikën dhe për të shkëputur qytetarin nga vendimmarrja politike. Lidhur me risitë e kësaj fushate dhe elementet e tjera, është e vërtetë që është një fushatë interesante dhe ndoshta më e kushtueshmja në aspektin e buxhetit shtetëror, për shkak të aventurave dhe eksperimenteve me teknologjinë. Por është një fushatë që krijon rivalitet të ashpër sidomos në mediat e reja dhe në atë që quhet rivalitet brenda listës, për shkak të sistemit preferencial dhe nevojës që individët të kapërcejnë njëri-tjetrin në listën e partive politike. Po krijojmë modelin e njeriut të ri, që e kemi pasur në vitet ‘60-‘70” thekson ai.

Për eksperten Gjoni, i vetmi element amerikan që nuk po kopjohet është debati.  Ka patjetër elemente të përshtatur nga fushata amerikane: veshja, përshëndetjet me dorë, familja, postimet në rrjetet sociale, rrethimi me të rinj e me gra, sforcimi për të qenë pozitiv, nxjerrja në vijën e parë vetëm të figurave që tërheqin pozitivitet në rang vendi, tërheqja e shigjetimeve negative nga persona të përgatitur për këtë, ushtri komentuesish e njerëzish që blejnë hapësirë e influencë në rrjetet sociale, përfshirja e figurave të artit, modës, sportit, kulturës etj.

I vetmi element që duket se nuk po ia dalin dot palët që ta kopjojnë e shtjellojnë nga amerikanët, janë debatet televizive. E kuptueshme, sepse aty nuk kërkohet retorikë, por përgatitje e përgjegjshmëri, të cilat politikanët tanë kanë treguar se nuk i zotërojnë” – nënvizon ajo.

 

 

Premtime… premtime…por elektorati gri më i vështirë për t’u bindur

Partitë politike e kanë të qartë se nëse “lufta” do të ishte vetëm për të tërhequr militantët, nuk do të kishte nevojë të shpenzoheshin kaq shumë për imazh. Ky grup votuesish e ka më të thjeshtë zgjedhjen duke kaluar votën. Ai që është i vështirë të bindet për të shkuar drejt kutive është elektorati gri. Politologu Afrim Krasniqi shprehet se ky grup nuk bindet vetëm me premtime, por kërkon më shumë argumentim nga politika. “Elektorati gri ka shumë më tepër kërkesa sesa u ofrojnë praktikisht në momentin aktual partitë politike.

Ata duan më shumë gjëra konkrete. Janë mësuar me ata që kanë shkuar e kanë ardhur, me liderët aktualë, të cilët janë përballur me njëri-tjetrin disa herë dhe shumica prej tyre, nuk mendojnë që 25 prilli është dita e parë apo e fundit e demokracisë në Shqipëri. E shohin si proces normal. Janë të zhgënjyer nga politika dhe që të kenë gjëra konkrete, ata refuzojnë të jenë pjesë e një komunikimi virtual dhe një kontrate të munguar. Prandaj elektorati gri kërkon diçka tjetër. Për shembull, kërkon jo vetëm një program të shkruar, por edhe realist” – pohon z. Krasniqi.

Sipas tij, marketingu ka marrë një fokus të veçantë këtë herë dhe është interesante që të gjitha palët, apo ato dy kryesore, kanë marrë kompani izraelite apo nga vende të tjera dhe nuk kanë zgjedhur kompani shqiptare, që mund të ishin ndoshta më të kuptueshme dhe për qytetarin e thjeshtë. Zgjedhja e kompanive të huaja, sipas z. Krasniqi është pozitive, vetëm për faktin që i detyron liderët të ndryshojnë, por në këtë aspekt, çështja shtrohet sesa vetë ata duan të ndryshojnë.

Sesa, në të vërtetë, janë ata brenda ndryshimit? Ai vëren se lista e premtimeve të partive këtë herë ka qenë e gjatë dhe se liderët politikë kanë marrë rolin e Babagjyshave të Vitit të Ri, por asnjëra prej partive nuk ka një program të shkruar e publikuar në faqen e saj në internet, apo të shpërndarë tek zgjedhësit dhe kjo lidhet me faktin që nuk duan të lënë prova që nesër mund t’i akuzojnë për premtime të pambajtura.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of