Përveç dritave dhe zbukurimeve, kjo traditë islandeze e Krishtlindjeve është përjetësuar me dashuri
Nuk do të mjaftonte një libër i tërë për të përshkruar disa nga traditat e Krishtlindjeve më magjike të të gjitha kohërave, që vijnë nga e gjithë bota. Zbulimi i tyre e bën edhe më të bukur këtë periudhë të vitit që e presim gjithnjë me gëzim dhe entuziazëm.
E nëse nga një anë, ankorohemi fort pas traditave tona, që i ruajmë fort dhe i përcjellim nga brezi në brez, në anën tjetër, fakti i zbulimit të traditave që vijnë nga vende të tjera në botë, të afërta apo të largëta, e bën edhe më magjike këtë periudhë festash.
Në mesin e shumë traditave në botë, është njëra të cilën duhet ta përqafojmë. Ajo quhet Jólabókaflód dhe vjen nga Islanda.
Kjo është një traditë e thjeshtë që mbështetet te dhuratat që bëhen me zemër. Jo dhurata të çfarëdoshme, por libra.
Nëse këtë vit dëshironi të ndiheni qytetarë të botës dhe doni ta bëni tuajën një traditë që vjen nga larg, atëherë përqafoni atë islandeze. Jólabókaflóðið, (në anglisht Christmas Book Flood – Vërshimi i librave për Krishtlindje), i referohet një vërshimi librash, siç thotë edhe vetë termi kur përkthehet fjalë për fjalë.
Miq, familjarë, të afërm dhe kolegë pune: të gjithë mund të përfshihen. Të gjithë mund të marrin librin e tyre për Krishtlindje. Nuk ka kufizime në sasinë dhe në përzgjedhjen e titujve dhe zhanreve. Rregulli i vetëm është që këto dhurata të bëhen me zemër.
Kjo traditë islandeze i ka rrënjët në kohëra të largëta. Në vitin 1994, kur vendi fitoi pavarësinë, u ndodh përpara një periudhe të vështirë. Shumë të mira mungonin, shumë, por jo libri. Kështu qytetarët filluan të zgjedhin librat si dhurata për të tjerët. Dhe ajo që lindi si një situatë e nevojshme, u shndërrua në një traditë të mrekullueshme.
Sot dhurimi i librave është një gjest dashurie kushtuar miqve dhe të afërmve. Librat hapen më 24 dhjetor dhe tradita kërkon që Vigjilja e Krishtlindjes të kalohet me njerëzit e afërm, duke lexuar librat e marrë si dhuratë. Kuptohet, jo pa çokollatë të ngrohtë.
/ Si Viaggia.it