Flet PhD Rexhep Uka, njëkohësisht sipërmarrës në sektorin e agro-turizmit
Në fakt, rrekem të gjej pse më drejtoheni mua për këtë çështje…? Seç m’u kujtua një pyetje e imja, “naive”, në grupin parlamentar të PD-së, të viteve 1992-‘96, drejtuar parisë së atëhershme: “çfarë është, apo kush është Sudja? Reagimi ishte më shumë se sofizëm: “Marrëdhëniet me Maqedoninë janë të shkëlqyera… (?!)”. Kurrë nuk mund të prisja përgjigje më “të saktë”. Prandaj mos u habisni edhe me timen, që ajo mund t’i afrohet retorikës që përmenda më lart.
Duke lexuar artikullin tuaj, përfitoj nga rasti t’ju përgëzoj pasi analiza që keni bërë është gati shteruese dhe besoj se do të gjej shumë pak gjëra për të shtuar. Ajo që nuk do të merrni përgjigje nga unë, që në të vërtetë mendoj se për atë më jeni drejtuar si profesionist bujqësie, është teknologjia e kultivimit, impakti agronomik, apo mjedisor. Jo! Edhe këto pothuajse i keni trajtuar. Unë bimën e drogës, kanabisin, e kam parë veç në libra, në internet dhe në televizor. Ende nuk kam pasur “fatin” dhe mos e paça ta kem në dorë, do të më pëlqente më shumë një gjemb gomari që shëron, se sa ai, (hahaaa…)
“Ndrysho këndvështrimin për gjërat dhe gjërat ndryshojnë” thotë një proverb i kahershëm.
Para një gote vere, qelqtari dhe verëtari shohin atë çka njohin, njëri qelqin, tjetri verën.
Ka një përgjigje të shkurtër fare: o kanabis, o bujqësi, o kanabis o ekonomi. Por ju sigurisht nuk kërkoni këtë.
Le të vazhdojmë me idenë e nisur… Jo më kot e përmenda Suden, d.m.th., piramidat. Shqiptarët kanë një precedent për këtë çështje, se sa i pasur bëhesh me para të lehta, të pista d.m.th., jo të pastra. Droga, në dekadën e fundit kryesisht, është një variant i ri, prirje e kohës, si piramidat dikur. Mos vallë nuk mësuam nga pësimi? Ende nuk kemi zënë mend?
Fitimi i shpejtë mund të të bëjë “bos”, siç e dëgjojmë shpesh të përdoret, por jo të fisëm, as të pasur e zotni, përkundrazi historia ka treguar se vendet e zhvilluara kanë një trashëgimi tjetër, thelbësore: bujqësinë e zhvilluar. Askush, asnjë komb nuk ka përparuar nëse nuk ka zhvilluar bujqësinë. “Një vend duhet të mësojë më parë se të kultivuarit e bimëve është po aq me vlerë sa të shkruarit e poezive”, ka thënë Volteri. Ata që përmendët si mbështetës të hyrjes së valutës në Shqipëri nga droga, pavarësisht se u intereson ideja ose jo, e dinë fare mirë, po aq sa edhe ne, se ajo është e përkohshme dhe se shpërndarja e tyre bëhet nëpër kanale të zeza dhe nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm. Më së pakti, mund t’i shërbejë pushtimit të pushtetit. Biznesi i kanabisit të bën të pasur për aq kohë sa i bën qejfin atij që e konsumon. Ata që merren me këtë biznes nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë, madje kjo quhet “industri”, që merr këtë trajtë në kushtet kur është e paligjshme. Nëse do të ishte e ligjëruar, kam bindjen se nuk do ishin këta që do të merreshin me të, por specialistë të vërtetë. “Bujqësia është 95% shkencë dhe 5% punë”, thotë Shimon Perez. Pra, unë mendoj se edhe alternativa e ligjërimit nuk duhet përjashtuar. Por kam vënë re se ky është një kapitull që kur e diskuton sot i ngjan një skenari imagjinar, në një mbledhje të organizatës bazë të partisë së punës, në vitet ‘70, ku dikush hedh mendimin: “po sikur ta bënim Shqipërinë kapitalizëm…?” Nëse ekziston vullneti për ta diskutuar në këtë këndvështrim, mbaron gazetaria, publicistika dhe esetë dhe ftohen ekspertët që e mbulojnë me kompetencë e profesionalizëm këtë fushë.
Por, çfarë po ndodh në të vërtetë me sfidën e kanabisit? Nëse do të merrja të mirëqenë ato çka thotë media, se kanabisi “ka marrë dhenë”, duhet të pranojmë shumë gjëra të tjera. E para, që kriza vazhdon, niveli i jetesës është në kufijtë e mbijetesës, dhe njerëzia “mbahet për shkume”, siç thotë populli. Nga ana tjetër, shteti mendon se: “populli mbill dhe policia korr e digj”, zgjidh problemin. Kjo është strategjia më banale sipas meje, ky është një show që populli e përkthen siç do vetë… Për këta skenarë, të përsosura janë diktaturat, por asaj i kemi lënë shëndenë me kohë e kurrë mos ardhtë më!
Kultivimi i kanabisit nuk është veçse varianti popullor i imituar nga varianti i politikanëve të fitimit të shpejtë. Për shabllonin e politikanëve, të cilët, si me magji, pasurohen sapo kapin dhe nuk lëshojnë karrigen e pushtetit, politika është majaja më intriguese, se me rrugë të ndershme, është i vështirë, deri i pamundur krijimi i pasurisë! Pra, rruga jashtë punës, djersës, nuk zë fill nga poshtë, por nga lart, atje lart fare! Për këtë, po ju tregoj një ese, të cilën e kam shkruar në vitin 1987 dhe kam tentuar ta botoj në 1989-n. Çfarë utopie…??!! Dhe kjo, për faktin se këto dekada, shoh prirjen e përsëritur historike për t’iu rikthyer së kaluarës, që më duket se e kemi fiziologjike ne shqiptarët, tamam si “Shaban Qosja”…
Lexoni në këtë shkrim të shkurtuar ndërmjet rreshtash, të bardhat thonë ç’kam dashur, të zezat janë vetëm skeleturë….
BUROKRACIA E SHUAN DEMOKRACINË*
Shkenca, si veprimtari e kualifikuar njerëzore, si objektiv final të saj ka lehtësimin e punës dhe jetesës të shoqërisë njerëzore, në kuptimin material dhe social. Ndonëse e zhveshur nga xhelozia dhe pretendimet, asaj duhet t’i përkiste vend prioritar në shoqëri…
… Por politikën e zbatojnë burokratët (antidemokratët) të cilët e njohin mirë “shkencën” e tyre sepse kanë “mençurinë” për të zbuluar tek vetvetja profesionin “paaftësi” i cili te ne paguhet me pagë reale dhe nominale më shumë se çdo zeje tjetër. Kjo është fyese dhe indinjuese dhe bën që burokratët të ndeshen në çdo frymëmarrje me progresin bashkëkohor shoqëror. Progresi për ta është si dielli për lakuriqët e natës. Të paaftët janë aktorët dhe autorët e burokracisë. Burokracia është universiteti më i aftë që diplomon paaftësinë… Prerekuizita e burokratit është opulenca e postit (pushtetit), forca për të mbjellë frustracion kudo që shtrihet mastiga e tij. Të vetimunizuar ndaj këtij opiumi që e përdorin për të tjerët, arma më e sofistikuar e tyre, nuk humbin për asnjë çast vëmendjen dhe survejimin, sa të rreptë aq edhe soditës, për gjithçka dhe këdo që kanë nën vete … …Dora e të paaftit, vula e tij ndeshet kudo, që në shkallmimin e traditës kombëtare, në errësimin dhe mohimin e progresit bashkëkohor, deri në perden e ozonit. Entropia politike është kryevepra e tij. Atë e trembin arritjet botërore, qytetërimi, ka frikë nga bota, nga modernia, nuk pranon të marrë asgjë prej tyre përveç përfitimeve personale, paçka se në këtë mënyrë humbet çdo gjë autentike, kombëtare dhe njerëzore. Por nuk duhet harruar se ai është më i afti dhe i pari në simbiozën me të renë, (simbiozë unike kjo) arrin të shpërblehet edhe si novator duke qenë armiku më i madh i saj, e reja në duart e tij është e përçudshme.
Me forcën e unisonit, pushteti burokratik guxon të matet me uraniumin, por kurrë jo me “polifoninë” kur ajo me të vërtetë është e tillë. Polifonia ka nevojë për një maestro por jo për dirigjent! Polifonia është varri i burokracisë shtetërore. Të paaftët kanë edhe një aftësi, ata dinë ose njohin edhe paaftësitë dhe dobësitë e veta, por veçanërisht të shokëve. Në ditë me diell dinë ta ruajnë shoqërinë e tyre, ka diçka të përbashkët këtu me klandestinitetin masonik, por kur e ndiejnë rrezikun janë të parët që ua qëndisin njëri-tjetrit bëmat, të thënat e të pathënat. Lodhje për ta është puna dhe të studiuarit, uufff…! Deviza, lajtmotivi i tyre është “autoriteti i pushtetit mbi arsyen”! E kundërta është fatale! Dëmi kronik i burokracisë nuk mund të krahasohet me asnjë lloj aksidenti tjetër, sado tragjik për një shoqëri. Auditori i burokratit është kafeneja dhe bari, atje u shkëlqejnë ërërat duke çuçuritur vesh më vesh, sepse vetëm aty vizitojnë më rrallë se çdo gjë njerëzit e ndershëm e punëtorë, këta të fundit, kur kanë gjë për të thënë parapëlqejnë hapësirën e drejtpërdrejtë të “mexhlisit”. Burokracia në shkencë është persekutim kronik i intelektualit!
Sot, sa shpejt rrëshqasim drejt fitimit të shpejtë, duke i ikur zhvillimit të qëndrueshëm!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.