Zero emisione dhe, së shpejti, pa ekuipazh: anija e parë në botë e mallrave që ka drejtim autonom dhe është plotësisht elektrike, u përurua në Norvegji, një hap i vogël ky, por premtues, drejt reduktimit të ndikimit klimatik të industrisë detare.
Yara Birkeland, e shfaqur për herë të parë në media të premten pas shumë vonesash në përfundimin e saj, do të eliminojë nevojën për rreth 40,000 udhëtime me kamionë në vit që aktualisht furnizohen nga nafta ndotëse, duke dërguar deri në 120 kontejnerë me fertilizues nga një fabrikë në qytetin juglindor të Porsgrunn në portin Brevik i cili ndodhet disa kilometra larg.
“Sigurisht, ka pasur vështirësi dhe pengesa” – tha Svein Tore Holsether, shefi ekzekutiv i gjigantit norvegjez të fertilizuesve Yara.
“Por tani kam ende më shumë kënaqësi të qëndroj këtu sot përballë kësaj anijeje dhe të shoh se ne ishim në gjendje ta përfundonim atë,” tha ai, me anijen e hijshme bardheblu të ankoruar pas tij në një dok në Oslo, ku ajo ishte zhvendosur me rastin e këtij eventi.
Anija 80 metra e gjatë dhe me peshë totale prej 3,200 tonë do të hyjë së shpejti në punë, duke qenë fillimisht në provë për dy vite, gjatë të cilave do të parametrizohet për të mësuar të manovrojë vetë.
Kabina e timonit mund të hiqet fare në “tre, katër ose pesë vjet”, tha Holsether, sapo anija të mund të bëjë vetë udhëtimet e saj prej 7,5 milje detare me ndihmën e sensorëve. “Shumë nga incidentet që ndodhin nëpër anijet në përgjithësi janë për shkak të gabimeve njerëzore, për shembull për shkak të lodhjes,” tha menaxheri i projektit, Jostein Braaten.
“Operimi në mënyrë autonome mund të ofrojë një udhëtim të sigurt,” tha ai. Megjithëse distanca që do të përshkojë Yara Birkeland mund të jetë e shkurtër, ajo do të duhet të përballet me shumë pengesa.
Asaj do t’i duhet të manovrojë në një fjord të ngushtë dhe të lundrojë nën dy ura, ndërsa menaxhon rrymat dhe trafikun e rënduar nga anijet tregtare, anijet e argëtimit dhe kajakët, përpara se të ankorohet në një nga portet më të ngarkuara të Norvegjisë.
Muajt e ardhshëm do të jenë një periudhë prove. “Së pari, na duhet të zbulojmë se ka diçka atje. Duhet të kuptojmë se është një kajak, pastaj duhet të përcaktojmë se çfarë të bëjmë me të,” tha Braaten.
“Aktualisht, anijet e mëdha nuk kanë ҫfarë të bëjnë ndaj një kajaku. Nuk mund të bëjnë ndonjë gjë. Mund të paralajmërojnë, por nuk mund të manovrojnë” ose të kthehen mbrapsht për të shmangur një incident. Lundrimi autonom do të duhet të ketë një set të ri rregullash që nuk ekzistojnë ende.
‘100 Tesla’
Në bordin e Yara Birkeland, dhoma tradicionale e makinerive është zëvendësuar nga tetë seksione për bateritë, duke i dhënë kështu anijes një kapacitet prej 6.8 MWh – të furnizuar nga energjia hidrike e rinovueshme.
“Kjo është e barabartë me 100 Tesla,” thotë Braaten.
Sektori detar, i cili është përgjegjës për pothuajse tre për qind të të gjitha emetimeve të shkaktuara nga njeriu, synon të reduktojë emetimet e tij me 40 përqind deri në vitin 2030 dhe 50 për qind deri në vitin 2050.
Pavarësisht kësaj, sektori ka shënuar rritje vitet e fundit. Transporti ndërkombëtar dhe vendas, kombinuar me peshkimin, bënë që kjo industri të emetojë më shumë se një miliard ton gazra serë në 2018, nga 962 milionë ton në 2012, sipas shifrave të fundit nga Organizata Ndërkombëtare Detare.
Në vetvete, kontributi i Yara Birkeland në përpjekjet globale për klimën do të jetë vetëm një pikë ujë në oqean – duke eliminuar 678 tonë dioksid karboni në vit që nxirret nga kamionët e panevojshёm.
Edhe ekspertët nuk presin që anijet elektrike të bëhen një zgjidhje universale për industrinë në të ardhmen e afërt.
“Energjia elektrike ka një përdorim ‘të veçantë’, specifikisht për tragetet pasi këto janë shpesh rrugë të shkurtra dhe të qëndrueshme, ndoshta në transportet bregdetare dhe lumore. Por nuk është i përshtatur mirë për udhëtimet e gjata në oqeane,” tha Camille Egloff, një eksperte e transportit detar në Boston Consulting Group.
“Jo vetëm që një anije do të duhej të ishte me drejtim autonom për distanca të gjata, por gjithashtu do të duhej të pajiseshin edhe portet me karikues baterish. Pra, ka sfida teknike dhe infrastrukturore që do të duhej të koordinoheshin,” tha ajo.
Ndërsa dhjetëra tragete elektrike tashmë kalojnë nëpër fiordet e Norvegjisë – një ndër prodhuesit e mëdhenj të naftës dhe gazit, e cila është paradoksalisht gjithashtu lider në transportin elektrik – linjat oqeanike do të duhet të mbështeten në teknologji të tjera për të kaluar në energjinë e gjelbër, si për shembull LNG, e-metanoli dhe hidrogjeni. / The Brighter Side News