Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) kishte planifikuar që nga 20 korriku i këtij viti të fillonte shitja online e policave të sigurimit kufitar. Por, çuditërisht, kjo gjë nuk po ndodh as tani, pesë muaj më vonë.
Për t’i shmangur pritjet e gjata në kufij, Rrahim Pacolli, në cilësinë e kryetarit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) gjatë një takimi që kishte pasur në maj me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadrin Veselin, kishte premtuar se nga 20 korriku i këtij viti, BKS-ja do të fillonte shitjen online të policave të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.
Por, çuditërisht, kjo gjë nuk po ndodh as pesë muaj më vonë. Zyrtarisht zyrtarë të lartë të BKS-së thonë se nuk kanë informacione se pse po zvarritet një gjë e tillë. Jozyrtarisht burime të besueshme të gazetës “Zëri” thonë se procesin qëllimisht po e zvarrisin disa pronarë të kompanive të sigurimit në vend.
Gazeta ka kontaktuar me z. Pacolli, por ky i fundit nuk ka qenë i gatshëm të japë informacione rreth mosfillimit të shitjes së policave online të sigurimit për automjete./ Zeri
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.