Drejtuesit e tre sipërmarrjeve kryesore të prodhimit të birrës në vend, Tirana, Korça dhe Stela pohojnë se ata kanë kosto të larta të operimit në tregun e brendshëm, ndërsa birrat e huaja u favorizuan.
Luan Bregasi, drejtues i Birra Tirana pohon se kompanitë që importojnë në Shqipëri birrë me kapacitet më të lartë se 200 mijë hektolitra, marrin vërtetime fiktive nga kompanitë mëmë, sikur ato prodhojnë nën 200 mijë hektolitra, duke paguar më pak taksa dhe duke konkurruar si rrjedhojë me çmime më të lira.
Stefan Pinguli i Birrës Stela pohon se prodhuesit vendas po hasin vështirësitë në rimbursimin e akcizës, por edhe me taksat që po aplikohen te produktet të cilat nuk prodhohen në vend, si plastika.
Për Armando Xoxën, drejtor i shitjeve i Birra Korça pohon se zhvlerësimi i monedhës euro ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostove të birrave të importit. Ai shton se industria prodhuese e birrës në vend ka ndikim të gjerë në ekonomi, pasi ka një zinxhir të mirëfilltë që nga prodhimi, shpërndarja, punëtorët që punojnë për shitjen, agjentët e shitjes, menaxherët. “Performanca e mirë apo e keqe ndikon në të ardhurat e shoqërisë”, pohon ai.
Flet Luan Bregasi, drejtues i Birra Tirana
Prej kohësh, industria vendase po vuan mungesën e konkurrencës reale në treg, sipas Luan Bregasit, drejtuesi i Birra Tirana, më e madhja në vend për nga qarkullimi. Bregasi shton se kostot e larta të operimit po pengojnë që produkti vendas të bëhet konkurrues në tregun vendas. Prodhuesit kërkojnë politika lehtësuese.
Prodhimi i birrës vendase shënoi rënie gjatë 2018-s, ndërsa importet vijuan që të rriten. Në mendimin tuaj, cilët janë faktorët që po sjellin këtë rënie të prodhimit vendas?
Industria e prodhimit të birrës vendase nga pikëpamja e investimit zë rreth 80 milionë euro dhe ka të punësuar në të gjithë sistemin e vet rreth 20 mijë punonjës. Është një industri që nga pikëpamja e investimeve dhe punësimit të njerëzve duhet parë me më shumë kujdes.
Industria vendase prej kohësh vuan nga mungesa e konkurrencës reale në treg, nga deformimet që ka pësuar tregu i birrës për shkak të mungesës së politikave, dhe këtu nuk flas për politika proteksionsite dhe favorizuese, por po flas për politika që sigurojnë barazi në treg dhe konkurrencë korrekte. Kjo e parë në pikëpamjen e asaj që do të them pak më poshtë.
Shqipëria ka një ligj për industritë vendase. Kjo është një direktivë e Bashkimit Europian, që industritë vendase kanë një akcizë më të vogël krahasuar me kompanitë e mëdha që eksportojnë në Shqipëri. Është një fashë që për një kapacitet prodhues nën 200 mijë hektolitra, industritë paguajnë 15 lekë për litër, ndërsa kur kapaciteti është mbi 200 mijë hektolitra, atëherë kompania që importon ose prodhon mbi këtë kapacitet paguan 30 lekë për litër akcizë, dyfish.
Video Shifra & Fakte
Agonia e birrës vendase
Për herë të parë që nga 2013, sasia e birrës së importuar në vend ishte më e madhe se ajo e prodhuar…
Ajo që deformohet në Shqipëri është që përgjithësisht, Doganat nuk e respektojnë ose kompanitë që importojnë në Shqipëri birrë me kapacitet më të lartë se 200 mijë hektolitra, marrin vërtetime fiktive nga kompanitë mëmë, sikur ato prodhojnë nën 200 mijë hektolitra. Moszbatimi në mënyrë korrekte i legjislacionit shqiptar, që të stimulohen industritë vendase nëpërmjet fashës së kapacitetit të prodhimit ka krijuar atë që thatë dhe ju, që prodhimi vendas po vjen duke u ulur dhe prodhimi i huaj, apo importet, po rriten.
Industritë vendase vuajnë ende diskriminimin që rrjedh nga moszbatimi i legjislacionit shqiptar. Kjo është bërë para katër vitesh dhe vazhdon që të ketë ndikimin e vet edhe tani, me gjithë përpjekjet pozitive që kanë bërë drejtoritë doganore për zbatimin. Efekti është i shtrirë në kohë.
Shkaku i dytë që industritë vendase përjetojnë këtë dramë në raport me importet është sepse prodhimi vendas ka kosto shumë të larta në prodhim, gjë që e bën të pamundur konkurrencën me birrat e importit. Në kostot e larta përfshihen: çmimi i lartë i energjisë elektrike, kostot e larta të kredive bankare, kosto e lartë e ujit, akcizat e larta, koncesioni i pullave fiskale, që i merr biznesit vendas miliona euro. Vetëm Birra Tirana pagoi rreth 800 mijë euro për pullat fiskale. Kemi bërë kërkesë për uljen e çmimit të energjisë, por pa rezultat. Për ne energjia është lëndë e parë kryesore për prodhimin.
Si e prisni vitin 2019?
Në rast se ka një punë të mirë që është bërë në Shqipëri është fuqizimi i turizmit. Unë kam investuar në fushën e turizmit, i cili nga viti në vit ka ardhur në rritje. Shqipëria, prej kohësh, është në fokusin e kompanive turistike dhe ne kemi çmime konkurruese në krahasim me rajonin. Kjo ka dhënë rezultate pozitive në vitin kaluar, thuajse 6 milionë turistë. Projeksioni do të ishte pozitiv në rast se nuk do të ishte konflikti politik që po zhvillohet në Shqipëri. Biznesi ka nevojë për qetësi dhe për rregulla loje të qarta, ne kemi nevojë për stabilitet.
Prej situatave të kohëve të fundit, kam pasur anulime të rezervimeve, situata nuk është aspak favorizuese për sipërmarrësit shqiptarë. Ka një frymë mosbesimi në tregun turistik për vitin 2019, por për shifrat presim t’i shikojmë gjatë vitit. Ne bëjmë thirrje që politika të stabilizojë vendin, mirë që nuk krijojnë një klimë konkurruese, por të paktën të kenë një stabilitet makro.
Cilat janë ndryshimet që keni kërkuar në legjislacion?
Ne kemi bërë disa kërkesa gjatë kohës që u diskutua Paketa Fiskale 2019. Shoqata e Prodhuesve së Birrës Shqiptare bëri një kërkese në kuadrin e këtyre propozimeve, të cilat nuk ishin kërkesa për të privilegjuar industrinë vendase, por përkundrazi, për të rritur konkurrencën dhe për ta bërë industrinë vendase konkurruese. Ne kërkuam uljen e çmimit të energjisë elektrike, sepse çmimi i energjisë dhe i ujit në Shqipëri janë gati sa dyfishi i çmimit të energjisë dhe të ujit në të gjithë vendet e rajonit.
Ne kërkuam që të hiqet edhe taksa e ambalazhit të qelqit. Nga të gjitha kërkesat që ne bëmë, na u përgjysmua vetëm taksa e ambalazhit të qelqit, që nga 10 lekë për kilogramë u bë 5 lekë për kilogramë, dhe asnjë kërkesë tjetër nuk u mor parasysh me idenë se buxheti është i rëndësishëm.
Ne si sipërmarrës në këtë industri kemi bërë të gjitha përpjekjet tona për të ndërgjegjësuar qeverinë shqiptare, për këtë pak industri vendase. Shqipëria është një vend tregtar (bli dhe shit), ku një pjesë e biznesmenëve e kthyen kapitalin e tyre në kapital investues, në kapital prodhues. Por realisht, ky kapital vendas po vuan mungesën e politikave të qarta, e strategjive për të krijuar klimë të barabartë me të gjithë prodhimet vendase. Ne nuk kërkuam që prodhimeve të importit t’i vendoseshin barriera, por shteti duhet të mbështesë dhe lehtësojë biznesin vendas që të bëhet konkurrues.
Birrat vendase kanë humbur rreth 20% të tregut
Pritshmëritë për 2019-n nuk janë aspak optimiste për drejtuesin e Birrës Stela, një nga më të mëdhatë në vend. Industria e prodhimit të birrës shfaqet jo konkurruese përballë importit, i cili sipas zotit Pinguli ka hyrë në tregun vendas me fuqi të lartë marketuese dhe financiare.
Si e presin vitin 2019 prodhuesit vendas të birrës?
2019-a është një vit i vështirë dhe ne nuk po shikojmë asgjë të re në frontin e prodhimit vendas. Megjithëse kemi tentuar që të kapin tregun e jashtëm, ashtu siç kanë kapur të tjerët tregun shqiptar, po konstatojmë se kemi shpenzime të mëdha tregtare. Prodhuesit vendas po hasin vështirësitë në rimbursimin e akcizës, por edhe me taksat që po aplikohen te produktet të cilat nuk prodhohen në vend, si plastika. Së pari u bë një rregullim në taksat kombëtare për plastikën, e cila në Paketën Fiskale 2019 u ul nga 100 lekë për kilogram në 35 lekë për kg.
Megjithatë, e vlerësoj këtë ulje si minimale, pasi niveli i saj ishte 8 herë më i lartë se në vendet e tjera të Ballkanit, ndërsa na u ul vetëm 2.5 herë, pra tashmë aplikohet 3 fish më e lartë se në rajon. Prodhuesit vendas janë jo konkurrues në këtë taksë për sa u përket kostove të produktit. Ne kërkojmë që të vazhdojë të ulet çmimi i plastikës.
Së dyti, taksa u rrit për një grup shoqërish të cilat prodhonin plastikë për ne indirekt dhe këto taksa bënë që çmimi i plastikës që ne blejmë nga prodhuesit vendas u rrit. Automatikisht ajo çka u përmirësua nga njëra anë, u hoq nga ana tjetër.
Thatë se keni tentuar të kapni tregjet e huaja. Si ju kanë rezultuar ecuria e eksporteve për birrën shqiptare?
Në përgjithësi, produktet tona janë shumë të shtrenjta për jashtë. Po nuk patëm ndonjë përmirësim, kjo nuk na bën të gatshëm për eksporte.
Një ndër problematikat ka qenë rimbursimi i akcizës. Ne përdorim karburantet, për të cilat nuk marrim rimbursim. Nuk arrijmë të rimbursojmë më shumë se 5-10% të kësaj vlere, që na bën të rrisim kostot.
Problem tjetër është mbrojtja nga importi i produkteve të vendit, i cili ka qenë shumë evaziv dhe shumë pak i kontrolluar. Ne konstatojmë se mallrat e importit, sidomos birra, megjithëse kanë kosto më të lartë çuditërisht po shiten më shumë.
Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe për faktin që tregon se mallrat e importit kanë një lloj mbështetje, tregtare ose juridike, e cila konkurron me produktin vendas në strukturën e përgjithshme të shitjeve. Konstatojmë që importues të birrave të huaja kanë një fuqi shumë të madhe marketuese, me vlera të jashtëzakonshme, gjë që na e bën jo konkurrues prodhimin vendas me ta. Kjo tregon se ata kanë mundësi financiare të larta të cilat rrjedhin nga shitjet e tyre, të cilave unë i cilësoj si abuzive.
Së fundmi, hyrja e këtyre importuesve dhe kapja e tregut për një periudhë të caktuar, kur shteti ishte i pavëmendshëm për akcizën që duhet të paguanin ata si birra të huaja, apo për birra me prodhim mbi 200 mijë hektolitra, bëri që ata të forcojnë pozicionet e tyre në treg dhe të jenë më konkurrues.
Nga përllogaritjet më rezulton se ne kemi humbur gati 20% të tregut. Nuk mendohet në asnjë rast çfarë do të bëhet për rimbursimin e akcizës së karburanteve, të cilat ne i përdorim dhe përbëjnë gati 30% të kostove të produktit nga distribucioni te struktura energjetike e fabrikës. Edhe TVSH-ja e karburanteve është pjesërisht e parikompensueshme.
Një element tjetër që ne ia kemi shprehur shtetit është çmimi i energjisë, i cili sot është më i lartë se ai i konsumatorit. Ne e përdorim me sasi të madhe dhe për këtë duhet të kemi kosto të ulëta. Shteti nuk mund të na marrë çmim për energjinë më të lartë se popullatës, produktet dalin me kosto më të larta, gjë që të cilën në finale e paguan sërish konsumatori. Të gjitha produktet që ne marrim në import kanë nevojë për një vëmendje të veçantë, ose të rimbursohen për prodhim, ose në rastin më të mirë të lehtësohen nga barra e tyre administrativo-fiskale. Ne kemi shtuar administratën në mënyrë të jashtëzakonshme. Jemi para të papriturave.
Flet Armando Xoxa, drejtor i shitjeve i Birra Korça
Birra Korça shënoi rritje të shitjeve gjatë 2018-s, megjithatë sipas Armando Xoxës, menaxher shitje i kompanisë, ato ishin larg pritshmërive të tyre. Ndër faktorët që ai nënvizon për rënien e prodhimit vendas është edhe zhvlerësimi i euros, gjë që solli që birrat e importit të kishin çmime promocionale të favorshme.
Si ka qenë ecuria gjatë 2018-s?
Viti 2018 jo vetëm për birrat, por edhe për pjesën e tregut të pijeve soft drink ishte i vështirë, sepse këto janë të lidhura ngushtë me motin. Janë nën ndikim shumë të lartë të kushteve atmosferike dhe vera e vitit të kaluar ishte një verë problematike. Qershori ishte një muaj jashtë pritshmërive dhe kjo u reflektua në sektorin e turizmit. Nga Velipoja deri në Vlorë, me përjashtim Sarandën dhe pjesën e Himarës, ishte shumë poshtë me kërkesën në krahasim me vitin 2017. Fillimi i sezonit, nga diskutimet që kemi bërë edhe me operatorët turistikë dhe me investitorët në këtë sektor, ka qenë pothuajse gati 50% më pak në krahasim me një vit më parë.
Sa i përket fundit të korrikut dhe muajit gusht, kërkesa ka qenë relativisht e mirë, por sezoni u përqendrua nga 3 muaj në 30 ditë kohë pune, flas për pjesën e bregdetit. Kjo automatikisht reflektohet edhe në pritshmërinë që kanë kompanitë për të zhvilluar volumet. Birra Korça ka vijuar me trendin rritës, por nuk ka qenë ai trendi që ne kemi planifikuar, pra pritshmëritë tona kanë qenë më të mëdha, pavarësisht me të gjitha birrat e tjera që prodhohen këtu.
Nga ka ardhur kjo?
Sikurse thashë dhe më sipër, kjo lidhet me pjesën e kushteve atmosferike dhe mund të veçoj një rol jo më pak të rëndësishëm edhe të zhvlerësimit të monedhës euro. Zhvlerësimi i monedhës euro ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostove të birrave të importit. Me rënien me 10 pikë të euros, shumë birra të importit, dolën me oferta dhe me çmime pothuajse njësoj, ose në disa raste, edhe më të lira se birrat vendase. Kjo shkakton jashtëzakonisht probleme në stabilitetin e tregut, ku në një pikë gjatë festave të fundvitit, oferta e birrave në tërësi shkoi -20-25% nga çmimi bazë.
Janë dy rrugë, ose do të përpiqesh që të ruash pjesën e stabilitetit të çmimit dhe të klientelës të pozicionuar në nivelet gjatë vitit ose do të ndjekësh lojën. Për të mos dalë nga rrjedha dhe tregu, ne bëmë disa oferta gjatë festave, por ofertat që bënë birra Peja apo birra Elbar në festat e fundvitit ishin në nivele jashtëzakonisht të ulëta. Në momentin që birrat vendase nuk performojnë dot me ato çmime, apo mbështetje, që nga nivelet promocionale apo uljet e çmimeve, ato bëhen jo konkurruese dhe atëherë, duhet ndërmarrë diçka patjetër.
Të mos harrojmë që sektori i birrës ka një xhiro të konsiderueshme në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe është një sektor që punëson shumë persona. Nuk bëhet fjalë vetëm për një fabrikë të ndërtuar në Korçë apo Tiranë, por për një zinxhir të mirëfilltë që nga prodhimi, shpërndarja, punëtorët që punojnë për shitjen, agjentët e shitjes, menaxherët, janë sektorë të shtrirë në të gjithë ekonominë. Performanca e mirë apo e keqe ndikon në të ardhurat e shoqërisë.
Si e parashikoni konsumin për vitin 2019?
Një fabrikë birre në kushtet optimale mund të prodhojnë 70-75% të kapacitetit maksimal, pasi birra është një produkt që fokusohet në një cikël 5-mujor, maj-shtator, i cili është një produkt që nuk ka qenë traditë në Shqipëri. Kur temperaturat janë të ulëta, shihet konsumi i pijeve alkoolike më të forta, por edhe të pijeve tradicionale si rakia. Birra është e pozicionuar në këta pesë muaj. Ne mund të themi se jemi të pozicionuar mirë në treg dhe se Birra Korça është një emër i preferuar nga konsumatori dhe presim të rritemi. Prej pak kohësh, rreth 2 vjet, Birra Korça ka nxjerrë formatin kanoçe. Kemi punë për të bërë përpara për të marrë nga konkurrentët tanë pjesën e kanoçes.
Për sa i përket legjislacionit duhet që ne, si shtet, por edhe si konsumatorë, të mbështesim në tërësi prodhimin vendas. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për birrën, flas në tërësi. Në çdo vend ku ne shkojmë, jo më larg se vendi i rajonit, në çdo lokal birrat janë ato vendase. Shteti, biznesi e deri te konsumatori, mbështesin prodhimin vendas.
A keni provuar eksportin?
Kemi provuar sasi të vogla, në Amerikë. Në Kosovë është një nga synimet tona. Presim që për këtë vit të hyjmë atje. Tregu në rajon është potencial, por duhet të kuptojmë se vendet fqinje nuk kanë kushte lehtësuese për importet sikurse në Shqipëri. Për distribucionet e vendeve fqinje, kushtet dhe detyrimet janë më të vështira se sa të trajtojnë një birrë vendase.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.