Miliona euro në vit edhe më tutje vazhdon të paguajë Qeveria e Kosovës në emër të qirave për institucionet shtetërore që janë të vendosura në objekte private.
Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2013, shihet qartë se për këtë qëllim janë paguar 7.2 milionë euro, shumë e njëjtë kjo e cila do të paguhet edhe gjatë këtij viti, ku gjatë pjesës së parë të vitit janë paguar në llogari të pronarëve të objekteve rreth 3.3 milionë euro.
Megjithatë, në fillim të mandatit, Qeveria Thaçi I, kishte premtuar se do t’i largonte institucionet shtetërore nga objektet private, por një gjë e tillë nuk ndodhi edhe gjatë dy mandateve që Thaçi ka drejtuar Qeverinë e Kosovës.
Ndërsa, Berat Thaçi, nga Instituti GAP, ka thënë se në bazë të të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shpenzimet për qira nga buxheti i Kosovës janë rritur nga rreth 5.6 milionë euro në vitin 2009 në 7.6 milionë euro sa janë tash. Sipas tij, organizatat buxhetore nuk i kanë ulur por i kanë rritur shpenzimet për 36%.
Ngjashëm është shprehur edhe, Lorik Bajrami, nga Organizata “Çohu”, i cili ka thënë se së pari do të duhej që njëri prej vendimeve të para të Qeverisë së Kosovës, Thaçi I, të përmbushej që t’i largonte institucionet nga qiratë. Megjithatë, ai ka thënë se kjo nuk ka ndodhur, edhe pse është premtuar pothuajse në çdo fushatë parazgjedhore.
“Vendimi i parë i Qeverisë Thaçi I, nuk është zbatuar dhe kjo gjendje është bërë edhe më e rëndë kur Qeveria Thaçi I dhe Qeveria Thaçi II, ka vazhduar me investime nga më të ndryshmet në sektorë të ndryshëm dhe nuk i ka dhënë prioritet vendimit të cilin e ka marrë ai vetë, që institucionet e shtetit t’i largojë nga qiratë”, ka thënë Bajrami.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.