Duhet parë se si do te reagojë secili operator, pasi praktika ka treguar se këto ndërhyrje nuk shoqërohen me uljen e pritur në tregun pakicës…..
Në një vendim të fundit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka reduktuar tarifat e interkoneksionit në përgjithësi për operatoret në tregun e shumicës.
AKEP ka miratuar vlerat maksimale të tarifave të terminimit celular në Shqipëri 2014-në vijim, të cilat parashikojnë barazim gradual të tarifave deri në 2016 në 1.48 lekë për minutë pa TVSH.
Ndërsa nga 1 prilli 2014, tarifat nga Vodafone drejt AMC do të ulen nga 4.57 lekë për minutë në 2.66 lekë për minutë; drejt Eagle Mobile nga 4.57 lekë për minutë në 4 lekë për minutë; drejt Plus Communication nga 8.85 lekë/min në 6.52 lekë/min.
Por, kjo ulje e tarifave të terminimit, nuk do të thotë se për konsumatoret kjo do të sjellë detyrimisht ulje të çmimit, pasi disa operatorë (Vodofone e AMC ) kanë një politikë çmimesh me pakicë shumë të pavarur nga këto tarifa të vendosura nga AKEP, siç është vërtetuar dhe në raste të mëparshme, kur AKEP ka ndërhyrë në tregun shumicës.
Nuk dihet konkretisht se ku është bazuar AKEP në formulimin tarifave qe janë në secilën prej qelizave të tabelës së miratuar, apo të afateve që ka përcaktuar ne te, por nga një vështrim i parë duket sikur operatoret e mëdhenj janë më të favorizuarit në këtë strukturim të çmimeve për vitet në vijim, pasi ndonëse kanë një madhësi tregu më të larte se ajo optimale në një treg me 4 operatore (30%) kanë ruajtur një tarifë terminimi që është më e lartë se ajo e gjykuar si “niveli tarifor në një treg të stabilizuar në aftagjatë”, ndërsa midis dy operatoreve të vegjël, Eagle duket me i favorizuar pasi ka një ulje më graduale të tarifave në harkun kohor te parashikuar në rishikimin e tarifave të terminimit, në krahasim me Plus, të cilit i duhet te reduktoje tarifat pothuajse dy herë me shpejt gjatë kësaj periudhe.
Kjo ulje sigurisht do të sjellë në treg oferta me atraktive sidomos nga operatoret e vegjël, që kanë qenë prej disa vitesh e promotorët e çmimeve me atraktive për konsumatorin.
Kjo lëvizje bëhet në kushtet e një tregu qe ka arritur nivele çmimesh nga më të ulëtat në rajon e në krahasim edhe me Bashkimin Europian.
Kjo ndodh gjithashtu në kushtet kur operatoreve do t’u kërkohet që të investojnë për të rritur mundësinë e aksesit të rrjeteve të shpejta 4G për të ngritur Shqipërinë nga vendi i ulët ku ndodhet për sa i përket aksesit tek këto lloj rrjetesh në raport me BE, apo me vendet e rajonit.
Vendimi, jo në linjë me rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës
Vendimi i AKEP vjen pasi në fund të janarit 2014, Autoriteti i Konkurrencës, vendosi mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj ndërmarrjes “Vodafone Albania” SHA si dhe dhënien e disa rekomandimeve drejtuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ku i kërkohet të marrë masa konkrete për rregullimin e tregut në mënyrë që të rritet konkurrenca.
Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës, që erdhi pas më se një viti hetimi në treg, përmbante absurdin, provoi abuzimin me pozitën dominuese të Vodafone (që zotëron mbi 50% të tregut të të ardhurave), ku diferencimi i tarifave brenda dhe jashtë rrjetit dëmtonte operatorët e tjerë më të vegjël. Por, Komisioni i Konkurrencës e mbylli pa gjobë hetimin, duke ia lënë “zgjidhjen” Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për të cilin jepte disa rekomandime për “të marrë masat e ndërmjetme dhe të menjëhershme, përpara përfundimit të Analizës së tregut të pakicës së telefonisë celulare, për të bërë të zbatueshme zgjidhjet e rregullimit të tregut për të parandaluar daljet nga tregu që do kishin pasoja afatgjatë mbi konkurrencën të marrë masat e ndërmjetme dhe të menjëhershme, përpara përfundimit të Analizës së tregut të pakicës së telefonisë celulare, për të bërë të zbatueshme zgjidhjet e rregullimit të tregut për të parandaluar daljet nga tregu që do kishin pasoja afatgjatë mbi konkurrencën.
Pavarësisht kësaj, AKEP nuk duket të ketë pasur parasysh kërkesat e AK për rishikimin e këtyre tarifave dhe nuk e ka aplikuar në këtë vendim, pothuajse fare rekomandimin e AK (madje në kontradiktë me gjetjet e AK, ulja për Plus është më e madhja në vlerë absolute, ndonëse nga AK tregohej në mënyrë shumë të saktë se çfarë do të duhet të synohej nga kjo ulje.)
Kjo sjell në vëmendje të operatoreve tregtare por edhe të politikëbërjes se ç’ndodh kur dy institucione të pavarura veprojnë në kundërshtim me gjetjet e njeri tjetrit dhe cilat janë mënyrat e zgjidhjes së këtij konflikti.
Avantazhi qe i jep AKEP ne rolin e rregullatorit OFNT-se(Vodafone Albania) duke ja ulur tarifat e terminimit drejt rrjetit te tij në masë absolute më pak se operatoreve të vegjël është në drejtim të kundërt me zhvillimin e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg për shkak të efektit “tribu”(njohur ndryshe club) që vjen si pasoje e numrit te madh të abonenteve që ka operatori dominues Vodafone dhe kompania e dyte në treg(AMC). Ky numër i madh abonentësh i jep operatoreve dominante mundësinë e arkëtimit të të ardhurave nga operatoret më të vegjël për shkak se abonentët e këtyre të fundit i shpenzojnë te gjitha dhe relativisht ne afat kohor te shkurtër minutat kombëtare (jashtë rrjetit) ndërkohë që abonentët e kompanive të mëdha për shkak se shumicën e bisedave i kanë brenda rrjetit (on net) kanë probabilitet shumë të ulet t’i shpenzojnë minutat jashtë rrjetit(qe njihen si minuta kombëtare në fushata publicitare).
Vendimi i AKEP vjen si pasojë e presionit te kompanisë lider ne treg Vodafone për ta spostuar masën e menjëhershme që kishte kërkuar Autoriteti i Konkurrencës për barazimin e tarifave brenda dhe jashtë tregut dhe në këtë pikë Rregullatori ka dështuar për ta rivendosur tregun në kushtet e konkurrencës së lire dhe efektive ku operatoret e licencuar nga vete AKEP duhet të jenë mjaftueshëm eficent për të përballuar presionin konkurrues. Por politikat e vazhdueshme rregullatore qe kanë mbyllur hapësirat konkurruese për operatoret e rinj i kane krijuar avantazhe te forta dhe te pamerituara dominantit Vodafone që për pasoje po rrit pjesët e tregut vit pas viti dhe sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Konkurrences ka kaluar 59 % të tregut për vitin 2012. Diferencimi i tarifave on-net dhe of-net në të gjitha vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim është pranuar se sjell efekte antikonkurruese që janë riparuar ose me gjoba nga autoritetet e konkurrencës ose me rregullim tregu nga ana e Rregullatorit ose te dyja bashkë.
Vetëm Shqipëria bën përjashtim ku Antitrusti ia kalon fajin Rregullatorit i cili duhet të marrë masa të menjëhershme për barazimin e tarifave on net me of net për dominantin e tregut ndërkohë që Rregullatori bën sikur s’kupton dhe ndryshe nga deklarimet publike të kreut të AKEP në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese se do rregullojë tregun sipas rekomandimeve të Konkurrencës bën të kundërtën, duke favorizuar Vodafone dhe AMC dhe duke shtypur konkurrentët e vegjël.
Në këto kushte, kur dy autoritete publike nuk arrijnë të koordinojnë veprimin për të siguruar konkurrencë të lirë, efektive dhe të ndershme në treg, ku në vend të favorizimit duhet të funksiononte merita, problemi duhet të zgjidhet nga një organ epror si Kuvendi i cili i ka instrumentet ligjore për të adresuar çështje të rëndësishme për ekonominë dhe biznesin ku vetëm Plus ka investuar më shumë se 100 milionë euro si investim i drejtpërdrejtë. Kuvendi nëpërmjet komisioneve të përhershme (të Ekonomisë dhe/ose Veprimtarive Prodhuese) nga varen dhe ku raportojnë dy institucionet mund dhe duhet të adresojë për zgjidhje përfundimtare problemet e tregut të telefonisë celulare. Mjafton që rekomandimet e konkurrencës të kthehen në të detyrueshme për AKEP në masa konkrete dhe periudha kohore të përcaktuara qartë dhe tregut do t’i kthehet parimi kushtetues(neni 12) i lirisë se tregut, ekonomisë nuk do t’i ikin qindra milionë lekë investime dhe dhjetëra mije vende pune dhe biznesit nuk do t’i humbin qindra milionë euro investime direkte në infrastrukture, teknologji dhe hapje të vendeve të punës.
Meqenëse te dy institucionet kanë për të raportuar në ditët ne vijim, Kuvendi mund ta zgjidhë çështjen e mosrakordimit institucional për të shmangur kostot e mëtejshme dhe te pakthyeshme në ekonomi, klimën e biznesit, taksa-tatime dhe vendet e punës. Një tjetër instrument ligjor janë dhe komisionet e përkohshme parlamentare te cilat ngrihen dhe funksionojnë për një çështje të caktuar dhe për periudhën aktuale ku sektori komunikimeve elektronike jep rreth 5.5 % të GDP problematika e konkurrencës në tregun celular ka rëndësi jetike për sektorin dhe ekonominë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.