Tregtia e jashtme janar-gusht
Në muajin gusht të këtij viti vlera e mallrave të eksportuara zbriti në 17,077 milionë lekë, duke rënë me gati 13% krahasuar me muajin korrik. Por, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë eksportet u rritën 27%, sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave.
Mallrat e importuara gjatë muajit gusht ishin 45,326 milionë lekë, duke rënë 5 % krahasuar me një muaj më parë dhe 1.9 % në krahasim me gushtin 2011.
Deficiti tregtar pësoi një rritje të lehtë mujore (0.4%) duke shënuar 28,249 milionë lekë. Por, krahasuar me një vit më parë, deficiti është përmirësuar dukshëm. Sipas INSTAT, vlera e tij ra gati 14% krahasuar me gushtin 2011.
Tregtia me vendet e Bashkimit Europian zuri 62.6 % të totalit të tregtisë dhe partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia e Greqia. Tregtia me Italinë është 33.1 %, ndërsa me Greqinë është 7.1 %.
Partnerët tanë tregtarë drejt të cilëve rritëm më shumë eksportet janë Austria, Gjermania, Kosova, Maqedonia dhe SHBA. Në importe rritje shënuan mallrat e ardhura nga Bullgaria, Gjermania, Kina dhe Turqia.
Në gusht të këtij viti, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 9,955 milionë lekë duke zënë 22 % ndaj totalit të importit. Krahasuar me korrikun e këtij viti, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 24.4 %. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara, 80.4 %, e zënë nënproduktet e naftës.
Burimi: INSTAT