2020-a mund të sjellë ngadalësim të shitjeve
Viti 2020 pritet të jetë sfidues edhe për sektorin e pasurive të paluajtshme në vend. Aktorët e tregut presin që rikthimi i rivlerësimit me një normë të favorshme prej 3% mund të bëjë më të aksesueshëm disa apartamente për shkak të reduktimit të kostos fiskale, pasi individët që kërkojnë të shesin do të kursejnë një shumë të konsiderueshme nga ky proces.
Megjithatë, aktorët e tregut thonë se ecurinë e pasurive të paluajtshme në 2020 do të ndikohet nga një grup faktorësh, ku përveç rivlerësimit, ata presin që të rritet kërkesa për apartamente cilësore pas tërmetit të 26 nëntorit.
Viti 2019 pati sërish një bum të lejeve të ndërtimit veçanërisht gjatë 9 muajve të parë. Ecuria e ndërtimeve të reja pritet të ndikojë në rritjen e ofertës gjatë 2020-s. Megjithatë, aktorët thonë se në këtë bum ndërtimesh duhet parë me kujdes së si do të përgjigjet kërkesa, në një kohë kur ndryshimet demografike, që lidhen me rënien e lindjeve dhe emigracionin pritet që të ulin kërkesën për shtëpi.
Nga ana tjetër, aktorët e tregut e konsiderojnë klimën ekonomike të vështirë, çka është një faktor i drejtpërdrejtë te vendimmarrja e atyre që duan të blejnë një shtëpi në 2020.
Edhe për vitin 2020 zonat e preferuara pritet që të kenë të njëjtën tendencë. Zonat më të kërkuara mbeten ato brenda Unazës së Vogël të Tiranës, ndërsa për biznes zonat më të preferuara konsiderohen rruga Myslym Shyri, zona e Bllokut, zona e Radio Televizionit Shqiptar.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, agjencitë e pasurive të paluajtshme presin që në vitin 2020 patundshmëria në bregdetin e Durrësit të ndalojë. Ata mendojnë se do të ketë një zhvendosje të kërkesë më në Jug, në Sarandë dhe Vlorë për të paktën 2-3 vite.