Lufta kunder korrupsionit, e cila vazhdon te mbetet me shume nje shfaqje mediatike se sa nje angazhim i sinqerte dhe real i qeverise, ditet e fundit ka pesuar nje dimension te ri: Thirrjen ndaj qytetareve shqiptare per te mos dhene rryshfet! Normalisht dhenia e rryshfetit eshte nje nxitje e hapur e korrupsionit, por thirrja qe u behet njerezve per te reaguar eshte jo vetem e sforcuar, por edhe shume ireale per te parandaluar fenomenin qe vazhdon te komprometoje rende shoqerine shqiptare. Thuhet se eshte me shume çeshtje perceptimi se sa realitet konkret identifikimi i Shqiperise ne listen e vendeve me nivel te larte korrupsioni, por sido qe te gjenden justifikimet per te mbuluar fenomenin, qe po asfikson krahas vlerave morale, edhe zhvillimin normal te shoqerise, ai vazhdon te mbetet nje problem serioz per vendin. Dimensionimi i luftes ndaj ketij fenomeni duke rritur denoncimin e qytetareve i jep vetem nje sensibilitet publik kesaj çeshtjeje, pa tentuar ta zgjidhe ate. Aq me shume kur qytetareve iu thuhet se duhet domosdo te heqin dore nga dhenia e rryshfetit, gje qe i kalon ata ne anen e fajtoreve. Moralisht nuk qendron kerkesa ndaj tyre per te qene mburoja e pare e luftes kunder korrupsionit, pasi rrjedhimit i bie qe te jene edhe burimi qe e ushqen, kur ne fakt eshte krejt e kunderta. Ata (pra qytetaret ) jane viktima te tij, jane te penalizuarit e medhenj, jane pjesa e drejteperdrejte dhe pambrojtur qe vuan pasojat e rritjes se shkalles se korrupsionit.
Qytetaret shqiptare jane te shternguar te japin rryshfet. Ata nuk e bejne absolutisht kete veprim sepse duan te pyrlyejne shoqerine tone, sepse duan te komprometojne procesin politik te zhvillimit e integrimit te vendit, sepse duan qe te kene arme politike e mediatike per te sulmuar qeverine dhe mazhorancen, se u dhimbsen zyrtaret qe kane rroga jo te mjaftueshme e kerkojne permes humanizmit ekstrem t’i ndihmojne e pasurojne ato. Absolutisht qe jo! Ata duan te zgjidhin nevojen qe kane dhe nuk kane asnje alternative tjeter perpos dhenies se rryshfetit te kthyer ne norme te pashkruar gati kudo. Njerezit e thjeshte, po edhe biznesmenet jane te detyruar te japin rryshfet sepse nuk kryejne dot pune ne zyrat e administrates shteterore; sepse ndeshen me lloj-lloj marifetçinjsh qe iu tjetersojne pronat; qe nuk u hipotekojne pallatet; qe i sorrollasin per nje firme pa le per dhenien e licences; qe gjenden para alternatives gjobe ose rryshfet; qe, nuk realizojne dot nje vizite normale tek mjeku, apo kane frike te kurohen nese nuk kane paguar mjekun; nuk marrin nje çertifikate qe u duhet rast pas rasti, nuk marrin sipas rregullave nje patente e mjaft te tjera si keto. Sigurisht ka edhe raste kur perputhen interesat ne dogana e tatime, me policin rrugor apo ate te ndertimores dhe te dy palet bashkeshkelin mbi dinjitetin dhe ligjin, japin rryshfetin dhe kryejne punen sipas leverdise reciproke. Por ama perseri ne dem te xhepit te shtetit dhe te interesit publik.
Ne keto kushte tingellon shume utopike kerkesa per te denoncuar korrupsionin kur vete sjellja e zyrtareve te shtetit ta imponon kete, kur ligji ka hapesira te shumta e te ndryshme per t’u interpretuar, kur perdoren hapur standarde te dyfishta ne zbatimin e tij, kur problem eshte vjedhja qe bejne njerezit me lejen dhe mburojen qe kane nga pushteti dhe jo viktimat gjyhnaqare qe shfaqen ne ekrane. Denoncimi eshte nje mundesi qe qeveria kerkon t’i jape publikut dhe nje rruge per te parandaluar korrupsionin, por rruget me efektive jane krejt te tjera. Ato duhet te fillojne ne rradhe te pare me reformat thelbesore ne te gjithe sistemin, duke e kapur problemin nga rrenjet si dhe ne forcimin e zbatimit te ligjit dhe jo te perqendrohen vetem ne majen e ajsbergut, pra te klienti fundor!