ARMO MBYLLET, POR HISTORIA TANI DUHET SHKRUAR
Kompania e rafinimit të naftës, ARMO, u mbyll pak ditë më parë, por hapi kapakun e kutisë së Pandorës. Brenda saj është shkruar historia enjë privatizimi të dështuar, të mbushur me ngjarje dhe personazhe të dyshimtë, plot borxhe. Ky fill historie që u tjerr në sytë e shtetit dhe me bekimin e tij, nuk dihet ende se ku mbaron dhe duhet hetuar me themel.
Përpara shitjes, ARMO, megjithëse e dërrmuar nga keqadministrimi shtetëror dhe vjedhjet, i jepte publikut deri në 35 milionë dollarë taksa në vit dhe punësonte mijëra vetë. Sot që ajo u mbyll, pretendohet se vetëm detyrimet fiskale të papaguara kanë arritur në 300 milionë dollarë. Praktikisht kemi një proces privatizimi që nuk i shërbeu publikut.
Historia nis në vitin 2008, kur u privatizua për herë të parë. Taçi Oil së bashku me Anika Mercury marrin 85% të aksioneve dhe 15% i mbetet shtetit si paketë kontrolluese. Por,pas 5 vitesh,Taçi falimenton dhe sipas të dhënave zyrtare nga tatimet dhe bilancit të kompanisë në QKR, detyrimi fiskal i papaguar arrin në 193 milionë dollarë.
ARMO merret nga kompania azerbajxhanase për shkaqe që burojnë nga një kredi e pashlyer. Por azerët nuk e menaxhojnë më shumë se një vit. ARMO lëshohet marrëveshje franchisete dy kompani të tjera, Deveron Oil dhe TPD. Borxhi që ato krijojnë sërish vetëm nga mospagesa e detyrimeve fiskale rritet me 65 milionë dollarë të tjera.
Më pas, ARMO hyn në qerthull borxhesh dhe kolateralesh të këqija që rrit ortekun e pretendimeve ndaj palëve që e kishin kredituar apo nuk kishin mbledhur detyrimet si bankat, ujësjellësit, energjia etj. Në 2016,ARMO rimerret me qira nga një kompani amerikane offshore në ishujt Virxhinia, por administratorë të saj janë shqiptarë.
Në bord, përveç përfaqësuesit të shtetit që ka qenë aty gjithë kohës, hyjnë emra të dyshimtë nga brenda dhe jashtë vendit, me çështje të hapura penale për korrupsion dhe krim. Detyrimet fiskale të papaguara kërcejnë me rreth 30 milionë dollarë të tjerë. Pra borxhi ndaj shtetit, vetëm në formën e detyrimeve fiskale të papaguara, arrin në rreth 300 milionë euro. Por ARMO, deri tani,ka miliona dollarë detyrime edhe ndaj ndërmarrjeve publike të ujit dhe energjisë.
Pavarësisht se doza e dështimit lidhet me çështje të menaxhimit nga brenda vetë kompanisë,është shumë e qartë se shteti ka një pjesë të madhe të fajit. Së pari, sepse e ka dorëzuar ARMO-nduke mos i qëndruar rigoroz kriterit ligjor më të rëndësishëm në privatizimet strategjike, atë të blerjes nga një investitor strategjik me garanci të forta financiare dhe menaxheriale. Dhe, së dyti,sepse megjithëse shteti ishte aty gjithë kohës përmes 15% të aksioneve që zotëron,ka lejuar akumulimin e borxhit në këto përmasa, duke sponsorizuar privatët përmes mosmbledhjes së detyrimeve.
Një pjesë e madhe e borxhit u krijua pas vitit 2013, kur ARMO u mor në administrim nga kompania offshore IRTC. Ishte koha kur qeveria socialiste udhëhiqte me dorë të hekurt luftën ndaj evazionit dhe borxheve, duke futur në burg edhe më të varfrit për dritat e papaguara apo për mos lëshim të kuponit tatimor.
Atëherë pyesim se si ka mundësi që ky shtet lejoi që, para syve të tij, të ndodhte me ARMO-n ky ortek borxhesh që kolapson shumë aktorë dhe faktorë ekonomikë. Ky kut i dyfishtë i drejtësisë është pa drejtësi dhe me të drejtë, publiku prej kohësh dyshon se ARMO është përdorur për afera korrupsioni dhe pushteti,
Por çfarë e rëndon më shumë situatën është fakti që askush nuk mban përgjegjësi ligjore për këto borxhe të pambledhura. Ndaj kjo histori nuk duhet të mbyllet këtu, po këtu duhet të fillojë të hapet për t’i kthyer publikut atë që i është mohuar.